Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
DURRES- Të shkrehesh në vaj në sytë e të gjithëve. Të jesh i mjegullt dhe të mos dish se çfarë po ndodh brenda dhe rreth teje. Të shohësh dhe se të është përmbysur bota mu përpara këmbëve. Kështu është ndier dje çifti Kajtazi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit. Ndërsa, pak më tej dy vajzat e tyre të vogla brenda një kafazi. Dhe të gjithë bashkë para një gjyqi publik. “Të zitë ne çfarë na gjeti! Gruaja priste që të paktën të vinte vajza e vogël në shtëpi. Çdo ditë e më shumë po na bëhet jeta ferr. Asnjë nuk e kupton dot se çfarë po përjetojmë ne si prindër. Presim që e nesërmja të na sjellë ndonjë lajm më të mirë, por çdo ditë bëhet edhe më keq. Njëra nga vajzat ngeli në burg, ndërsa tjetra do ikë në Tiranë”, tha pas seancës gjyqësore Hiqmet Kajtazi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tha se dy vajzat e tij, Orialda 18 vjeçe dhe Klevisa 14 vjeçe u kanë ulur kokën, i kanë turpëruar dhe i kanë futur në sherr me të gjithë fisin.
Hiqmet si e pritët vendimin për lirimin e vajzës së vogël?
Nuk e kisha pritur që do ta lironin që në seancën e parë. Mendova që do t’i mbanin disa ditë në burg, me qëllim të zinin mend. Mendova që do t’i ndanin nga njëra-tjetra dhe kështu do të zinin mend për këto veprime të turpshme që kanë bërë. Na kanë ulur kokën, na kanë turpëruar.
Çfarë prisnit sot (dje) në gjykatë nga vajzat?
Ne prisnim që sy më sy të na kërkonin falje. Orialda është bërë si bishë, nuk njihet, as nuk na shikonte me sy. Ndërsa e vogla u mek së qari. E vogla s’ka faj, sepse sa na pa, nuk pushoi së qari gjatë gjithë seancës gjyqësore. Ne nuk dinim si janë këto punë, ku janë gjykatat e prokuroria. Ja që i mësuam nga fëmijët.
Ju i keni mbështetur gjatë këtyre ditëve?
Po, kam shkuar çdo ditë në polici dhe u kam çuar veshje dhe ushqim. Kur u arrestuan, ishin me pantallona të shkurtra, ndaj u çova rroba dhe ushqime çdo ditë në komisariat. U thashë policëve që të mos tregonin nga u vinin, pasi kisha frikë mos nuk i pranonin. Vajzat nuk na pranuan që t’i takonim në polici dhe nuk na kërkuan falje as në gjykatë. Orialda nuk duket sikur është vajza ime. Nuk dua të them asnjë më shumë. Kjo edhe për faktin se i kam rritur vetë.
Pas lirimit të vajzës suaj të vogël, mendoni se do të ndryshojë diçka në marrëdhënien tuaj familjare?
Me vajzën e vogël nuk kemi asnjë gjë, pasi ajo është manipuluar nga Orialda. Kjo është e dukshme. Pavarësisht se është në klasë të tetë, vajza e vogël donte të flinte ende në krevatin tonë. Çdo darkë më thoshte ‘o babi, më fërko kokën të më zërë gjumi’. Ndërsa na porosiste mua dhe gruas “mos u tregoni shoqeve që dua të fle akoma në mesin tuaj”. Ajo është e përkëdhelur, nuk është shkëputur asnjëherë nga gjiri ynë. Po ajo e mesmja është bërë djallushkë dhe e ka manipuluar vajzën e vogël.
Gjykata e liroi Klevisën, por ajo jo vetëm që nuk pranoi të kthehej në banesë, por edhe kërkoi urdhër- mbrojtjeje. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë?
Të zitë ne çfarë na gjeti! Gruaja, priste që të paktën të vinte vajza e vogël në shtëpi. Çdo ditë e më shumë po na bëhet jeta ferr. Asnjë nuk e kupton dot se çfarë po përjetojmë ne si prindër. Neve presim që e nesërmja të na sjellë ndonjë lajm më të mirë, por çdo ditë bëhet edhe më keq. Njëra ngeli në burg, ndërsa tjetra do ikë në Tiranë. Unë as nuk e kuptoj çfarë do të thotë urdhër-mbrojtjeje që kërkoi Klevisa, të cilën e kemi mbajtur shumë afër. Ajo nuk binte në gjumë pa e përkëdhelur.
Çfarë ju shqetëson më shumë?
Po na shqetëson i gjithë fisi, sepse vajzat na kanë përfshirë në sherr me të gjithë. Kanë ardhur kushërinjtë në shtëpi, na kanë telefonuar, na kanë ofenduar e na kanë thënë çfarë janë këto që dëgjojnë. Kam kërkuar që të hiqen ato video nga “Youtube” dhe të mos transmetohen nga mediat.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: