Starti i këtij sezoni në “Abissnet Superiore” ka qenë gjithë surpriza. Në katër javët e para, skuadrat të ashtquajtura të vogla dhe ato që kanë ardhur nga Kategoria e Parë kanë marrë fitore karshi pretendentëve, duke bërë që të gjitha skuadrat të jenë të ngjeshura.

Nuk ka asnjë skuadër me pikë të plota dhe asnjë pa pikë. Mjafton një sy renditjes dhe kupton që Erzeni është “hirushja” e katër javëve të para, teksa është i vetmi ekip që nuk është mposhtur.

Pasi hodhën në tapet Vllazninë, shijakasit bënë të njëjtën gjë edhe ndaj Partizanit kryesues. Çudia tjetër është se skuadra e Kapllanajt ka mbrojtjen më të mirë të Superiores, pasi në katër javë, nuk ka pësuar asnjë gol.

Gjithashtu, edhe ekipi tjetër i ardhur nga Kategoria e Parë, Bylisi, ka bërë mirë, teksa së fundmi mposhti Laçin në fushën e këtij të fundit. Surpriza e madhe e dy javëve të fundit është Egnatia, që pasi mundi Laçin në transfertë, shkatërroi 3-0 Vllazninë, pretendente për titullin.

Po ashtu Kastrioti është shfaqur makthi i skuadrave pretendente, duke mundur Kukësin dhe ndalur Tiranën. A do të vijojnë me këtë ecuri hirushet, kjo vështirë të thuhet, pasi janë edhe 32 javë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb