* Kunata dhe burri donin të më trafikonin vajzën, më thanë ‘do të japim 4 mln lekë’

TIRANË- Të ngarkosh dru në kurriz nga ora 5 e mëngjesit deri në 8 të darkës për të shlyer borxhet e burrit, të lidhesh për tre ditë në pemë pa ushqim vetëm se duhet ti kërkosh para borxh nënës, të rrihesh me rrip pantallonash kur sapo ke sjellë në jetë një fëmijë, të helmohesh nga kunatat beqare dhe të përfundosh në spital dhe të reagosh vetëm kur thurin plane për të shitur fëmijët. Kjo është historia rrënqethëse e Elisabeta Picarit, gruaja e dhunuar përtej imagjinatës njerëzore, e treguar dje në emisionin me “Zemër të Hapur” në News 24 e BalkanWeb.

Elisabeta ka qënë e martuar për 12 vite me Afrim Allushin dhe ka 2 fëmijë, Halimi 12-vjeç dhe Adriana 8-vjeç. Babai i ka vdekur ndërsa nëna e saj e moshuar jeton prej vitesh me 2 djemtë me probleme mendore, 2 djem të tjerë i kanë vdekur.

Motrat e burrit, të cilat jetonin bashkë me të pasi ishin beqarë e dhunonin. Kanë tentuar ta helmojnë madje dhe ka përfunduar në Spital Ushtarak. Bashkëshorti ndërkohë jo vetëm që nuk punonte, por merrte para borxh gjithandej dhe për ti shlyer borxhet e tij, Elisabetës i duhej të ngarkonte dru në kurriz nga ora 5 e mëngjesit deri në 8 të darkës. E detyronte të shkonte tek e ëma dhe t’i merrte asaj para edhe pse ajo ishte e varfër dhe jetonte me pensionet e dy djemve invalidë. Meqënëse ajo nuk bindej e ka mbajtur të lidhur 3 ditë rresht në pemë. “Mori litarin e lopës më lidhi duar e këmbë, më hidhte ujë qumështin e lopës që të mbështilleshin mizat, më shante me fjalët më të ndyraa që nuk thuhen. Kur ai iku të pinte në klub djali mori thikën dhe më tha o mami hajde se të gdhi unë…djali më thoshte mami hajde ikim”,- tregon ajo.

Shpresa e vetme e cila e mbante Elisabetën në atë familje ishte fakti se nëse do sillte në jetë fëmijë ai do të tregonte mëshirë dhe nuk do ta lëndonte më. Gjithcka ishteiluzion, dhuna vazhdonte edhe gjatë shtatzënisë madje ditën kur do të lindte, nga Zall Herri deri në maternitet Afrimi e ka cuar në këmbë. Edhe rruga e kthimit me foshnjën në krahë u bë sërish në këmbë. Fëmijët kanë qenë dëshmitarë të kësaj dhune, djali madje mban mend dhe kujton edhe sot momentin kur babi ka marrë sopatën për të vrarë nënën.

“Kur djali Halimi bëri 7 vjeç dhe duhej të shkonte në shkollë ngaqë nuk kishim asnjë mundësi në shtëpi e cova tek familja ime dhe për këtë ra dakord edhe burri. Halimi filloi klasën e parë në Vorë dhe për të kujdesej gjyshja”,- rrëfen Elisabeta e çliruar sikur ta kish hequr nga kthetrat e ndonjë egërsire.

Dhuna ishte e vazhdueshme edhe pas këtij momenti. Ai nuk e linte të bënte asnjë punë tjetër përveç se të mbante dru në krahë. Një nga episodet e rënda të dhunës është dita kur ka thyer dritaren dhe ka dalë jashtë. Ka marrë me nxitim vazjën në krahë dhe ka shkuar në këmbë zbathur në Komisariatin e Kamzës, për t’i shpëtuar dhunës së bashkëshoritit. E ndërsa priste mbrojtje nga policia, u përball me përcmimin dhe të qeshurat e tyre, pa mundur të përfitojë urdhër mbrojtje. “Mori sëpatën për të më vrarë hyra në dhomë vajza ishte brenda i thashë të dilte jashtë, e mbajta derën po jo aq forcë sa kishte ai..Vjehrra më tha dil nga dritarja se skam si ta ndaloj..unë ika nga dritarja me vajzën në dorë ai dilte nga ana e lumit për të më kapur, gjeta një makinë dhe shkova në polici. Për momentin qeshën, dhe më thanë ik në shtëpi. Kur shkova ditën tjetër në polici me nënën, se kisha frikë ai kishte thënë se kam vjedhur 50 mijë lekë prandaj doja ta vrisja. Policia më tha që ti gënjen dhe s’të japim urdhër mbrojtje”.

Por drama e saj më e madhe nisi ditën kur i shoqi vendosi të shkonte në Itali tek e motra. Ajo nuk dinte asgjë mbi planin që po thurej dhe e priti mirë këtë lajm me shpresën se ai do punonte dhe jeta e tyre domerrte rrjedhë tjetër. Një ditë kur e motra ishte në shtëpinë e tyre gjë që ndodhte rrallë, në bisedë e sipër, ajo i ka thënë Elisabetës se meqë nuk kishte fëmijë do i jepte 4 milionë lekë që ti merrte vajzën.

“Përgjigjia ime ishte e prerë, që kurrë nuk do ta bëja këtë gjë. Për mua është fat i madh fakti që të dy fëmijët gëzojnë shëndet të plotë dhe nuk kanë trashëguar problemet mendore të dajave dhe gjyshes nga babai”,- thotë guraja.

“Afrimi iku i pari në Itali, erdhi dhe shiti gjithcka kishim në shtëpi dhe bëri gati pasaportat. Teksa fliste me të motrën në telefon përgjova telefonatën dhe kuptova se djalin do ta mbante për vete ajo ndërsa vajzën do ma shiste”.

Megjithatë ajo pranoi të ikte, u nisën, shkuan deri tek trageti dhe aty dëgjoi se e motra i tha Afrimit që personi në traget është i sigurt, ajo do kthehet mbrapsht. Atëherë Elisabeta e kërcënon kunatën duke i thënë të lëshonte fëmijët ndryshe do ulëriste dhe do ta denonconte. “I mora fëmijët dhe u ktheva mbrapsht”.

Në vitin 2013’ ngriti një padi në gjykatë dhe kërkoi divorcin. Edhe pse gjykata ka vendosur si kusht një pension ushqimor mujor për secilin fëmijë ai nuk ka paguar asnjëherë. “Nuk mban asnjë përgjegjësi për fëmijët dhe nuk do as ti shohë e as ti takojë”,- rëfen Elisabeta.

Ai është rimartuar dhe sa herë që fëmijët shkojnë ta takojnë ai i kërcënon se do i vrasë. “Nuk do ti shohë më me sy”,- thotë Elisabeta.

Ajo rrfen se aktualisht është e papunë dhe gjendet në vështirësi të madhe financiare. Ka qënë e punësuar në një fabrikë, ku ngrinte dëngje e thasë në krahë, por nga dobësia trupore dhe nga anemia i binte shumë shpesh të fikët. Në këto kushte e larguan nga puna. Shtëpia në të cilën jeton me nënën dhe vëllezërit është e vëllait që jeton në Greqi i cili kërkon që ajo të dalë pasi ai nuk mund ta mbajë dot atë dhe 2 fëmijët e saj.

***
Në emisionin e sotëm, Elisabeta ka treguar edhe situatën me të cilin po përballet djali i saj 10 vjeç, pasi për shkak të gjendjes ekonomike përbuzet nga moshatarët dhe shoqëria në shkollë.

“Djalit dje i ra të fikët, rrugës kur dolëm nga emisioni. Ishte pa ngrënë. Më tha se babi nuk u prek pavarësisht asaj që thashë në emision. Më thotë djali “o mami shokët e mi blejnë gjëra. Unë nuk dua të vishem, nuk dua të blej ndonjë gjë. Të gjithë shokët më urrejnë”. Djali është në klasë të pestë”, tregon Elisabeta duke qarë.

36-vjeçarja, të cilën vuajtjet e kanë plakur para kohe tregon edhe episode nga lindja e djalit dhe vajzës së saj.

“Kur lindi Halimi më çuan në shtëpi në këmbë, ashtu siç shkova e linda. Të gjitha gratë kërkojnë gjëra për fëmijët, kurse ai më thoshte nuk kam, shko tek njerëzit e tu të kërkosh lekë. Njëherë shkova tek prindërit dhe e gjeta nënën duke gatuar. Dhe gjeta që kishte hequr ca bukë për t’ia hedhur pulave. I thashë mi jep mua tua jap fëmijëve me ujë. Dale më tha nëna se e kam nxjerrë për pulat. Unë i thashë që skam bukë për fëmijët”, rrëfen gruaja që herë pas here ndalon për t’u mbushur me frymë.

Elisabeta thotë se ka edhe 5 motra të tjera, por se edhe ato janë në kushte të vështira ekonomike dhe me fëmijë me probleme.

“Kur linda vajzën, më tha nëse nëna jote nuk më sjellë 100 mijë lekë, ti do vdesësh këtu në mes të rrugës. Më tha doktori sa fëmijë ke? I thashë që ky është i dyti. Më tha të rrojë ai që ke se ky do të vdesë, sepse isha e lodhur, anemike. Më çuan në këmbë në Zallherr pasi dola nga spitali. Kur shkova më tha motra e burrit se “do të hash ti, sill lekë nëse do të hash”. Pas 1-2 javësh që kisha lindur më tha shko në mal për dru. I thashë që nuk dal dot se jam akoma e sëmurë dhe vajza do të pijë. Ai doli jashtë hoqi rripin e pantallonave dhe erdhi më rrahu. Erdhi motra ime dhe unë thashë do ngrihem. Sapo tentova të ngrihesha më qëlloi me grusht pas kurrizit. Ai nuk e pa motrën time që po hynte në derë. Më tërhiqte për flokësh, më qëllonte me grushte. Më ka zhveshur në sy të vëllait të vetë. Erdhi xhaxhai i vetë që i ka rritur dhe tha “çfarë është ky krim kështu” por asgjë nuk bëri, më pa njëherë në sy dhe iku”, tregon një episod të dhunës kafshërore që ka kaluar në 12 vite të jetës së saj, 36-vjeçarja.

TENTATIVA PËR TRAFIKIMIN E VAJZËS
Dëshmia e Elisabetës për jetën e saj, i kalon caqet e së mundurës dhe njerëzores. Ajo thotë se përveç torturave ndaj saj, burri dhe motra e tij kanë tentuar t’i trafikojnë vajzën 4 vjeçe, madje i kanë ofruar 4 milionë lekë.

“Vajza ishte 4 vjeç kur donin të ma trafikonin. Burri iku në Itali po nuk punonte. Më thoshte bëhu gati të vish këtu në Itali. Më tha shiti të gjitha. I bëri pasaportat dy fëmijëve dhe pastaj e bëra dhe unë. Mora vëllain në Greqi dhe i thashë si ishte puna, ai më tha ti e di vetë, vendos vetë. Erdha në shtëpi pasi bëra pasaportën, pas një jave erdhi nga Italia me gjithë motrën. Kunata më tha paske vajzë të bukur dhe filloi duke e afruar gocën, duke i dhënë lekë, duke i bërë foto. Filloi duke hedhur fjalë larg e larg “unë nuk kam vajzë, kam djalë vetëm. Ma jep mua se të jap 4 milion lekë”. Unë i thashë që meqë paske ardhur për këtë fjalë, largohu! Iku të nesërmen në Maqedoni dhe erdhi pas një jave. Burrin e mori me vete dhe më tha bëhu gati dhe ti. Kur i thashë nënës sime më tha mos ik. Po unë i thashë jo se më do. U bëra gati, i duhej një dokument që të dilnin fëmijët jashtë shtetit. Ishte ora 8 e darkës, shkuam afër tragetit. Dëgjova kunatën në telefon të fliste “është robi i duhur brenda në traget që do presë fëmijët në traget dhe e di vetë dhe sa të hipi nxire jashtë”. I zbrita valixhet në tokë, dhe fëmijët dhe i thashë do të denoncoj. Mora një taksi e ika. Pas dy ditësh erdhi i ati, po e mora guximin, që nuk do kthehesha më”, tregon gruaja.

“Mora fëmijët denoncova në polici të Vorës më thanë rri e qetë. Pas dy ditësh ai erdhi në Shqipëri me gjithë valixhe, nëna ime ishte ne kuzhinë duke gatuar, unë e shtrirë ai hyri në derë më goditur djali donte të më mbronte kur hyri nëna e përplasi edhe atë derisa mora policinë erdhi 30 minuta mbrapa”.

Elisabeta tregon edhe momentin kur arriti të përfitonte një urdhër mbrojtje. ‘As Kamza as Vora s’ma dha urdhrin e mbrojtjes. Ishte një situatë këtu në Tiranë, kur do ikja tek motra për të marrë 20 mijë lekë ai më erdhi nga pas dhe më goditi, më la të shtrirë në tokë. Ngjarja ndodhi tek stacioni i trenit, mora policinë në telefon erdhi dhe bëra denoncimin”.

E vetmja gjë që kërkon sot është: “Dua të kem një dhomë, një punë që të kem të ha bukë me fëmijët, nuk dua asgjë më shumë”.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb