Pretendimet e diskutueshme, sipas të cilave kryeministri britanik, Boris Johnson, kanë ndikuar në mendimet e patundura të ish-homologes së tij, Margaret Thatcher kundër Bashkimit Europian, gjatë viteve ’90 kur ai ishte gazetar në Bruksel, janë në qendër të arkivave, të publikuara dy ditë më parë.

Dokumentet nga arkivi i Thatcherit, të ruajtura në Universitetin e Kembrixhit, përfshinin një kopje të një shkrimi të Johnson në gazetën ”Daily Telegraph”, më 24 tetor 1990, me titullin “E drejta britanike e vetos përballet me sëpatën në planin e Delors-it”.

”Presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian, Jacques Delors deklaroi se planet kishin për qëllim t’i hapin rrugën një Federate Europiane, një supershteti, ku Komisioni i Brukselit do të ishte qeveria ekzekutive dhe Këshilli i Ministrave Senati”, shkruante Johnson.

Në një shënim për shkrimin e Johnsonit, thuhet se Johnson i tha Thatcher-it se vetë opinioni i Komisionit nuk përmbante atë që Delors kishte sugjeruar, siç është raportuar nga ”Daily Telegraph”.

“Nuk propozon ndonjë ndryshim rrënjësor në planet aktuale institucionale të Komunitetit Europian, megjithatë përmban shumë tmerre të tjera”, thuhej në shënim.

Në një fjalim të famshëm në parlament, të mbajtur më 30 tetor 1990, Thatcher tha “jo, jo dhe jo!”, për atë që ajo pretendonte se ishin tri shtyllat e planit të Delors-it.

Fjalimi i saj erdhi mes përçarjeve të thella të konservatorëve për Europën.

Zëvendëskryeministri pro BE-së i kohës, Geoffrey Howe dha dorëheqjen dy ditë më vonë duke kritikuar qëndrimin e Thatcher për Europën.

Vetë Thatcher dha dorëheqjen më 23 nëntor 1990, duke i hapur rrugën pasardhësit konservator pro BE-së, John Major.

Historiani Chris Collins i fondacionit ”Margaret Thatcher” tha për gazetën ”The Guardian” se leximi i artikullit të Johnson tregon se ky i fundit shfaqet ”therës duke pasur parasysh atë që ka ndodhur atëherë”.

Pascal Lamy, kryekëshilltari i Delors gjatë viteve ’90 i tha vitin e kaluar gazetës ”The Financial Times” se duke raportuar nga Brukseli, Johnsoni “bëri atë që 30 vite më vonë njerëzit do ta quanin fake news ose provokim”.

Përpara se të punonte për gazetën ”Telegraph”, Johnson ishte shkarkuar nga rivalja ”Times”, në vitin 1988, për shtrembërimin e citimit të një studiuesi.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb