Tingëllon e pabesueshme por Prestige shkruan me germa të arta historinë e një klubi shqiptar në Champions League. Kampionë absolut në minifutbollin kuqezi, Prestige arriti një sukses të jashtëzakonshëm në turneun më të rëndësishëm në rang klubesh. Nga një dëshirë shumë e madhe, nga një projekt ambicioz i presidentit Fatmir Hysenbelliu, për të përfaqësuar sa më lart emrin e minifutbollit shqiptar dhe klubit të Prestige në arenën europiane, sot ky është një objektiv i prekshëm dhe real.

Përballë kampionëve boshnjak, Ecos Vitez, ekip që i mposhtën dhe në fazën e grupeve me “poker” golash, Prestige zhvilloi një sfidë perfeke në aspektin taktik. Në drejtimin e trajneri Eldi Topi, Prestige u tregua i kujdesshëm në çdo detaj duke mos rrezikuar në asnjë moment. Në minutën e 14-të, Shima me një aksion të bukur personal, kaloi dhe portierin me një tunel poshtë këmbëve duke i dhuruar Prestige avantazhin. Në fraksionin e dytë, Prestige priti në gjysmëfushë ekipin boshnjak duke i lejuar kontrollin e topit dhe duke shfrytëzuar kundërsulmet, pikërisht nga një i tillë në minutën e 38-të, Albi Dajti realizoi një gol shumë të bukur duke hipotekuar kualifikimin e Prestige në fazën gjysmëfinale të Champions League. Ëndrra Champions vazhdon me shpresën që nga Italia të kthehen me trofeun në duar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb