Nga Ylli Tabaku

Pjesa e tretë
Publikohen kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, me origjinë nga Tirana, pinjoll i një prej familjeve të pasura të kryeqytetit, ku babai i tij, Ramazan Tabaku, pasi kishte dhënë ndihma dhe shuma të mëdha financiare për çetën e Pezës gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, pas mbarimit të Luftës, për kontributin e dhënë, u emërua si Kryetar i Entit të Grumbullimeve dhe në 1947-ën, u dënua me burg të përjetshëm në gjyqin e “Grupit të Deputetëve”, gjë e cila kishte ardhur pas një debati që ai kishte bërë me Enver Hoxhën te Hotel “Dajti”, ku i kishte kërkuar atij të mos sekuestronte pasuritë e atyre që kishin ndihmuar Luftën. Kalvari i gjatë i Ramazan Tabakut në burgjet komuniste dhe persekutimi i egër i të gjithë familjes së tij, ku duke filluar nga bashkëshortja dhe pothuaj të gjithë djemtë e vajzat e asaj familje, që përfunduan burgjeve e kampeve të internimit, deri në shembjen e atij regjimi, apo dhe mundën të arratiseshin nga Shqipëria. Të gjitha këto përshkruhen në kujtimet e Ylli Tabakut, (të publikuara në librin e tij “Arratisja”, botim i Institutit për Studimin e Pasojat e Krimeve të Komunizmit, me parathënie të studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi), i cili vuajti plot 26 vjet, e 8 muaj e 24 ditë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe mundi që të largohej nga Shqipëria në vitin 1990, (me ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave), duke jetuar në Gjermani, deri në vitin 2021, që u nda papritur nga jeta, pa e parë të botuar librin e tij!

Vijon nga numri i kaluar…
Arratisja nga Kampi i Fushë-Krujës, me Maksut Xhomakën me origjinë nga Margëlliçi i Çamërisë

Dhe ashtu ndodhi. Polici u hodh në anë dhe ne kaluam posto-bllokun, megjithëse ishte goxha tub hekuri shumë i trashë, ai fluturoi si një kunj shkrepëse. Sigurisht kështu do të ndodhte, sepse makina me gjithë rimorkio, kishin një tonazh shumë të lartë, kështu që tubi u thye menjëherë. Truproja që ishte nga krahu i shoferit, ishte shumë afër derës së rrethimit, nuk pati mundësi që të hapte zjarr. Ndërsa ai që ishte nga ana ime, qëlloi menjëherë me breshëri dhe tre plumba depërtuan në derë e ranë tek këmbët e mia. Kaluam derën dhe u futëm në rrugën që vazhdonte paralel me rrethimin e kampit. Gjatë këtij rrethimi, ishin 6 roje të armatosura, me mitraloz tip “DP” me dy këmbë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Përpara nesh u shfaq një rul, nga ato që shtrojnë rrugët, i cili kishte zënë gjysmën e rrugës, por ‘Babushi’ e shmangu këtë pengesë dhe e kaloi makinën në anën tjetër, por rimorkio rrëshqiti në kanal dhe gradualisht e tërhoqi edhe makinën nga pas, kështu që makina u përmbys. Xhamat e parë u thyen dhe ne nuk di si kemi dalë prej aty, si me katapultë.

‘Babushi’ ja futi vrapit në drejtim të një toke të punuar, ndërsa unë, vendosa që mos të ndiqja të njëjtën rrugë, se kishte rënë pak shi dhe mendova se mund të mbetem në baltë e vazhdova të vrapoj nëpër asfalt, paralel me rojet.

Menjëherë të gjashtë mitralozat hapën zjarr në drejtimin tim dhe gjatë vrapimit, peliçja ime ishte e hapur e unë ndjeja erën e pambukut të xhupit që digjej nga plumbat. Po vrapoja shumë shpejt dhe breshëria e plumbave vinte në krahun tim të djathtë. Qëllimi im, ishte të arrija të kapja kthesën – se përpara meje vinte një kthesë, pasi po të mbërrija aty, ata nuk mund të më shikonin më, por në moment pashë tre plumba që kaluan ndërmjet këmbëve të mia, që brimuan asfaltin.

Në këtë moment, ndjeva rrezik dhe thashë me vete: – Tani mbaroi çdo gjë, do të më vrasin. Ky ishte një moment i vështirë dhe në të qindat e sekondave, si në një film, përpara meje m’u shfaq në asfalt fytyra e momës time dhe më pas bashkë me mbesën Raunelën, të kapura për dore. Thashë me vete: – Kanë ardhur të ndahen ne mua.

Sigurisht vdekja ishte e sigurt, por ndërkohë, dëgjoj nja zë që thirri: – Zjarr, ndalo! Ngrita shikimin lart dhe pashë që nga kthesa doli një makinë. Kështu që kuptova se ata nuk mund të qëllonin më dhe unë vazhdova të vrapoj. Kur i’u afrova makinës, fillova të ecë me hap, për të mos rënë në sy. Kur makina u afrua tek ata që më ndiqnin mua dhe i kaloi, ata filluan përsëri të qëllonin, por kjo nuk zgjati shumë, pasi u dëgjua po i njëjti zë: – Zjarr, ndalo!

Një oficer po vraponte po vinte përpara meje. Unë ia ngula sytë dhe e sulmova. Ai kërceu kanalin dhe filloi të vrapojë. Për të një i burgosur i arratisur, kishte pamje shumë të frikshme.

Ndërkohë makina e komandës me disa oficerë e polic, më doli përpara. Një oficer më vuri automatikun në gjoks dhe më tha: – Ndalo se të vrava! Unë e shava, se dëshiroja vërtetë që të më vriste, se si i ri që isha, më vinte turp, të kthehesha përsëri në kamp.

Na çuan përpara makinës dhe duke na e treguar na thanë: – Shikoni si e keni bërë makinën. Më pas, na futën në kamp, na rrahën dhe torturuan shumë. Na lidhën tek gardhi i telit në formë kryqi dhe filluan të na godisnin me tulla dhe dru. Ndërsa po ushtrohej dhunë kundrejt nesh, përtej gardhit në rrugë po kalonin disa vajza të reja, laborante të fabrikës, të indinjuara ju drejtuan atyre duke thënë: “Çfarë bëni more kriminelë? Po i vrisni”!

Atëherë komisari dhe urdhër ta na futnin në birucë. Na lidhën, shumë fort me hekura. Aty sollën doktorin dhe oficeri shoqërues e urdhëroi: – Kontrolloje se mos ka marrë ndonjë plumb, se ai nuk ndien gjë.

Mbasi doktori më kontrolloi, konstatoi se mbrapa kokës, kisha një të çarë dhe i tha oficerit: – Ka vetëm një të çarë mbrapa kokës, si duket e ka marrë një plumb shkarazi dhe ka rrjedhje gjaku, ta mjekojmë.

Lëre more qenin të ngordh, dil jashtë – urdhëroi oficeri.
Vërtet, unë fillova të ndjeja diçka të ngrohtë që më përshkonte kurrizin. Siç isha në këmbë, me gishtin e madh të këmbës, fillova të mbledh atë gëlqeren që krijohet në fund të murit në dysheme. Me mundim e çova atë gëlqere në mes të birucës dhe u shtriva në kurriz, me gjithë dhimbjen e madhe të duarve, arrita ta mbështes kokën tek grumbulli i vogël me gëlqere, me qëllim që, të bllokoja rrjedhën e gjakut. Kur u ngrita, vura re se ajo funksionoi.

Më pas na dërguan në komandë, në katin e dytë na detyruan të ulemi në çimento këmbëkryq, ndërkohë na rrethoi një grup me policë dhe oficerë. Ndërmjet tyre, ishte dhe komandanti i po atij kampi. Të gjithë ishin të pajisur me nga një bisht kazme dhe filluan të na qëllojnë dhe, njëkohësisht, duke na sulmuar me pyetje, se: ku do të shkonit?, – kush tjetër ka dijeni për arratisjen tuaj në kamp?

Përgjigja jonë ishte vetëm kjo: Të vetëvriteshim. Sepse kështu e kishim bërë me fjalë qysh në fillim, para se të niseshim, dhe kësaj i qëndruam deri në fund, në qoftë se nuk do të rezistonim dhe do të pranonim arratisje për jashtë shtetit, ata do të na dënonin me pushkatim. ‘Babushi’ ishte shumë impulsiv, ndërkohë shau një nga oficerët që po na rrihnin, atëhere pashë një çizme që u ngrit dhe qëlloi ‘Babushin’ në fytyrë. Kur oficeri, e uli këmbën, çizmja e tij ishte e mbuluar me gjak, ndërsa unë heshtja dhe me mëndje thashë: -Sikur i bien një muri dhe jo njeriu!

Por çfarë bëra unë? Ula kokën sa më shumë që ishte e mundur dhe vëzhgoja çizmet që kisha përpara, se kush do të ngrihej dhe çfarë drejtimi do të merrte. Ndërkohë, u ngrit një çizme stërmadhe që po ecte drejtuar nga unë. Me ta parë që ishte në drejtimin tim, drejtova trupin dhe ai nuk më goditi dot në fytyrë, por në gjoks. Unë rashë në çimento dhe ai, e vuri këmbën në fytyrën time, dhe peshoi mbi një këmbë: – shyqyr – thashë me vete, – që nuk më qëlloi, se do të më kishte çarë kafkën. Ai ishte një burrë shumë i madh, i gjatë dhe shumë i shëndetshëm, ky ishte komandanti i kampit ordiner.

Ndërkohë, aty hyri dhe një civil. Ai i nxori të gjithë jashtë, me përjashtim të komandantit dhe na u prezantua: Unë jam Rexhep Kolli, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, – dhe vazhdoi, me po ato pyetje, – ku do të shkonit dhe kush ka dijeni për këtë plan tuajin dhe, ne, me të njëjtën përgjigje: – Vetëvrasje!

Pastaj ai doli dhe u fut brenda lukunia e oficerëve dhe e policëve me hunj nëpër duar, për të vazhduar torturat ndaj nesh. Mbas një gjysëm ore, hyri një oficer i cili bisedoi diçka me ta dhe ata pushuan menjëherë. Nuk na goditën më. Por ndërkohë, një polic m’i shkelte hekurat, (prangat), me çizme dhe u thoshte shokëve: – Shiko si i bëhet fytyra. Nuk mund ta merrni me mënd, por hekurat e shtrënguara në zero, po t’i prekësh sado pak, të japin një dhimbje të padurueshme.

Ndoshta unë skuqesha apo zverdhesha, pasi ishte gati për të më rënë të fikët, ndërkohë, ai, lozte me ngjyrat që merrte fytyra ime. Nuk kaloi shumë dhe një polic, kapter Sabriu, i thotë: – Lëre Arif, mos e ngacmo, – pse? – u përgjigj ky, me pyetje, pse të dhimbset ty se është i kampit tat? – Jo more, se më dhimbset, por, përderisa zëvendësministri, dha urdhër që të mos i prekim më, ti nuk ke të drejtë ta prekësh! Aty e kuptova se druri nuk do të vazhdonte më.

Mbasi na lanë një muaj të lidhur në birucë, na dërguan tek Dega Brendshme e Krujës, atje na i hoqën hekurat, dhe nuk patëm asnjë lloj presioni, vetëm se na thirrën nja dy a tre herë në hetuesi, dhe mbas dy muajsh, na nxorën në gjyq.

Gjyqi u zhvillua në kamp, në prani të burgosurve ordinerë, se të burgosurit politikë ishin kthyer përsëri në Elbasan, për të vazhduar ndërtimin e një fabrike tjetër.

Gjykata e rrethit Krujë, me vendimin nr.10, datë 31.1.1967, në bazë të nenit 229/1 (arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit), më deklaroi fajtor dhe më dënoi me 3 vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, gjykata na dënoi me 12 vjet burgim, për secilin nga ne.

Gjatë kësaj kohe, që ne mbaheshim të lidhur e të zhveshur në birucën e kampit, erdhën për të na vizituar të gjithë komandantët e kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë, ndërmjet tyre erdhi dhe komandanti i Kampit të Elbasanit, Hysen Kapllani. Ai sapo më pa, u drejtua nga oficeri që mbante çelësat e birucës dhe e pyeti: – Kush e ka bërë kështu këtë? – Oficerët e policët, – u përgjigj, oficeri i birucës. – Po pse nuk e vratë? – foli prapë komandanti. – Nuk e kapi plumbi, – tha oficeri. Komandanti vazhdoi duke thënë: – Si ore bëhet njeriu kështu? Këtë nuk e njeh as nëna e vet që i ka bërë kokën, kështu si e keni bërë ju! Pse duhet ta bënit kështu? Shteti ka ligje, çohet në Prokurori,. Ata e dërgojnë në Gjykatë dhe ajo jep dënim përsëri.

Mbas nja katër muajve, komandantit të kampit të Elbasanit, i vunë një fletë-rrufe, duke e quajtur: “liberal dhe të butë me armiqtë e popullit”. Më pas e zhveshën dhe, unë nuk di se si ka përfunduar. Me sa duket, u bë sebep edhe një fjalë e tij e mbajtur në një mbledhje, në oborr të kampit, kur mblidheshin të gjithë të burgosurit. Në këtë rast, mbasi ai, shtroi planin e punës, i’u drejtua të burgosurve: A ka kush ndonjë pyetje apo kërkesë, urdhëroni dhe flisni.

U ngrit një i burgosur.

-Kam 10 ditë që kam ardhur këtu dhe më kanë lenë me një batanije, me rregullore më takojnë tre. Si do bëhet halli im?- tha.

-Nga ke ardhur ti? – foli komandanti.

-Nga Belgjika – u përgjigj i dënuari.

-Aha, – tha komandanti,

-Ty nuk të kemi pasur në plan. Ku e dinim ne që ti vjen nga Belgjika dhe të ruanim batanije për ty. Por të premtoj, se do bëjmë kërkesë dhe sapo të furnizohemi, ti do të jesh i pari që do të furnizohesh.

I gjithë kampi qeshi nga batuta e komandantit, sepse ishim të vetëdijshëm, se ndodheshim aty jo, se kishim kryer ndonjë faj, por ishim të planifikuar nga Sigurimi i Shtetit dhe Partia Komuniste. Ky njeri ishte një patriot i vërtetë, njeri i rregullit dhe i ligjit se, siç thotë filozofia greke, “Më mirë me një ligj të keq, se sa pa ligj fare”.

7- Në Repartin nr.303 Elbasan, vitet 1966-1967

Më vonë, prej aty na çuan tek burgu i Tiranës, 313-ta, i thoshin, aty qëndruam nja dy javë dhe më pas na përcollën për në Elbasan, tek kampi ynë. Fillimisht aty ndenjëm pa punë, se edhe fabrika ishte në përfundim. Kryetari i Zyrës Teknike, të cilin më vonë e pushkatuan, quhej Vangjel Lezho.

Ai kishte mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik për Gazetari, së bashku edhe me Fadil Kokomanin. Këta të dy bashkë me Xhelal Koprenckën, i shkruajtën një letër lugatit Enver dhe, ai dha urdhër që të pushkatoheshin të tre.

Por mbas disa ditësh, shokët më thanë që të dalë në punë, dhe unë i thashë Vangjelit që të më regjistronte.

-Çfarë të duhet, – më tha ai, – rri rehat se je mirë. Më caktuan te grupi i hekur-kthyesve. Mbas nja dy ditësh, tek po haja bukë në punë, se kështu ishte si rregull, që bënim një gjysëm ore pushim, dhe konsumonim ato që kishim marrë me vete, ndërkohë vijnë nja dy shokë e më thonë: -Pse këtu po e bën pushimin ti? –Po – u thashë unë – pse çfarë ka? Mirë është këtu.

-Hajde mor atje në tarracë, atje janë mbledhur të gjithë shokët tanë, – më thanë. Mbasi ata insistuan, me gjysëm qejfi u binda, se në fakt, aty isha rehat dhe punën e kisha afër. Kur hipa në tarracë, shikoj që, aty, ishin mbledhur nja 30 a 40 vetë. Ndërkohë ngrihet njëri syresh dhe fillon të flasë: – Tani që edhe Ylli Tabaku, është këtu midis nesh, të cilin vetë e kemi zgjedhur Komandant të Shqipërisë së mesme…!

Dëgjova këto budallallëqe dhe i hodha një sy mjedisit, edhe grupit të njerëzve, ku konstatova se ndërmjet tyre, nja pesë a gjashtë, ishin spiunë, ndërsa ky që fliste, në fakt ishte shumë djalë i mirë dhe me karakter. More, a është në vete ky, apo ka luajtur nga mëndja?! Të gjitha këto që foli ky, në darkë kanë për të shkuar në komandë, – mendova.

Ndërkohë filluan të më shpjegojnë, se, në kamp po përgatitej një revolt e madhe. Me shishe me benzinë do të sulmoheshin të gjitha trupat e rojeve të rrethimit, njëkohësisht do të merreshin armët e ushtrisë dhe do të provokohej një revolucion i përgjithshëm. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb