ANKARA-Një i ri 20-vjeçar nga shteti amerikan i Colorados brenda një periudhe prej më pak se katër viteve është sulmuar nga peshkaqeni, ariu dhe gjarpri me zile, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediumeve vendore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Dylan McWilliams, i cili javën e kaluar mori plagë të thellë në këmbë nga një sulm peshkaqeni teksa po notonte në ujërat e Hawait, më herët ka arritur t’i mbijetojë sulmeve nga ariu dhe gjarpri me zile.

“Gjëja më e frikshme ishte notimi deri në brigje”, ka thënë McWilliams, i cili është trajtuar me shtatë qepje pas sulmit të peshkaqenit, duke shtuar se ka qenë i shqetësuar nga ndjekja e peshkaqenit për shkak të gjakut që ka rrjedhë nga plaga.

Ndërkaq, sulmi nga një ari ka ndodhur teksa ai po bënte kamping në muajin korrik të vitit të kaluar në Colorado, ka treguar McWilliams, duke thënë se kthetrat e ariut e kanë plagosur në zverk dhe se ka arritur të ikë pas rënies në tokë.

Po ashtu, ai ka rrëfyer edhe për kafshimin nga një gjarpër me zile para tre viteve e gjysmë në shtetin Utah, duke thënë se, fatmirësisht, kishte pësuar vetëm çrregullime të shkurtra pasi në trupin e tij kishte hyrë vetëm sasi e vogël e helmit.

McWilliams ka treguar se dëshiron të kalojë një pjesë të madhe të kohës në ajër të hapur dhe se ende nuk e ka kuptuar nëse është fatkeq për shkak të këtyre ndodhive, apo fatlum për faktin që ka arritur të shpëtojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb