Publikohet historia e panjohur e Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsmitar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vëndlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbëshme e gazetarit, publicistit, studjuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari

Esat Myftari  lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështërime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.

Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëme, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht antarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.

Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendëshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorrën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbasluftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyne “amë”, Shqipërinë.

Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkëatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdhëun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!

Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundëshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirije, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!

Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.

Në vitin 1990, në fillimet e pluralizmit, Esati merr pjesë aktive në lëvizjet popullore për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që me krijimin e degës së Partisë Demokratike për rrethin e Lezhës, në fillimin e vitit 1991, për të kaluarën e tij dhe kontributin e madh në fillimin e atyre protestave popullore, ai zgjidhet sekretar i asaj dege.

Po kështu si rezultat i atij kontributi, në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit të vitit 1991, Esati zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar aty zgjedhësit e Bregut të Matës, ku kishte punuar si arsimtar deri ditën e arrestimit në vitin 1975.

Një vit më vonë, në vjeshtën e 1992-it, emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Diasporës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që kryesohej prej ministrit, Alfred Serreqi. Në atë detyrë, Esati punoi me përkushtim deri në vitin 2000, kur u emërua në funksionin e diplomatit pranë Ambasadës Shqiptare në Riad, ku ai qëndroi deri sa doli në pension.

Që nga ajo periudhë kohe, Esati i kushtohet pasionit të tij, shkrimeve, studimeve dhe përkthimeve dhe që nga viti 2011, ai fillon të botojë disa libra, të cilët janë mirpritur nga kritika dhe lexuesit, edhe për shkak të tematikës së tyre, si dhe variantit të gegërishtes që ai ka shkruar ato, gjë e cila ndeshet shumë rrallë në botimet shqiptare, të shtetit amë!

Libri i parë i botuar nga Esat Myftari është “Emrush Myftari”(monografi), dhe pasi tij vijnë: “Kosova dhe Enver Hoxha” (studim), “Profili politik i Esat Mekulit” (monografi)

Si dhe “Vdekja jote, jeta ime”, i cili është një roman autobiografik, ku ai ka përshkruar me një mjeshtëri dhe në mënyrë kronologjike pjesën më të madhe të jetës së tij, që nga familja dhe jeta në Kosovë si gjimnazist, arratisja në Shqipëri, peripecitë e shumta nga survejimet e përndjekja e Sigurimit të Shtetit, arrestimi, hetuesia, gjyqi dhe dërgimi në burgun e Spaçit.

Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që përshkruhen në librin “Vdekja jote, jeta ime”, janë reale dhe personazhet aty paraqiten me emra dhe mbiemrat e tyre konkretë, ndërsa vetëm ata persona që ndikuan për keq në jetën e tij, (kryesisht, ata të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme të asaj kohe, si punëtorë operativë, hetues, policë, titullarë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme e të Degës së Punëve të Brendëshme të Tropojës, Lezhës, dëshmitarët në gjyqin e tij, etj.), autori u ka ndryshuar vetëm emrat, duke i dhënë ata me mbiemrat e tyre të vërtetë.

                                   Vijon nga numëri i kaluar

       Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari

                       Arratisja nga Kosova në Shqipëri në vitin 1963

Ridvani hypi në autobusin e linjës Pejë-Gjakovë te Ura e Zallit. Zu vend te dritarja në mënyrë që t’i shikonte edhe nji herë dy shokët që e përcollën dhe shetitoren kryesore të qytetit – korzon, ku për çdo mbramje dilte me ta për t’i ra pash më pash asaj apësine. Në qoftë se ma parë temat e tyne gjatë këtyne shhëtive ishin të larmishme e kapërcimet prej njenës te tjetra mbanin ritmin e moshës, dy muejve të fundit në diskurin e tyne mbisundonte vetëm nji temë: ajo e organizimit sa ma të mirë të qendresës. Erotika dhe flirtet e maparshme qenë shty diku larg – madje po u dukej pak si turp me u marrë me shqetësime të tilla të lehta e të grunta ballë kësaj themelorës e jetikës. Dhe, kur autobusi kaloi nëpër qendër, i hapi sytë mirë që të mos i shpëtonte asnji detaj: pa dy shokët të mbështetun nergut të stenda e reklamave që ngritën duert në shenj lamtumire dhe morinë tjetër të bashkëmoshatarëve të dhanë mbas shprehisë së tyne të përnatshme. Gjithçka po i ngjante lojës ireale që ai vetë e kishte kërkue por që tash, në sendërtim e sipër, i shkaktoi therrje në zemër. E kuptoi se qe futë me të dy kambët në vorbullën e politikës, madje, në degëzimin e saj ma të rrezikshëm.

Shoqnuesi i tij – me të qe njohë pak orë ma parë në parkun e madh të qytetit – ishte ul dy karrike përpara tij në krahun tjetër. E kishin lanë me fjalë që gjatë gjithë udhëtimit të mos komunikonin ndërmjet vedit. Merrej me mend se nji linjë e tillë që përshkohej rranzë maleve kufizuese me Shqipninë mund të kishte përherë ndonji vëzhgues udhëtarësh. Mbasi kaluen Urën e Gurit dhe po hynin në rrugën e drejt për në Gjakovë, Ridvani e tërhoqi perden mbi dritare dhe mbylli sytë. Po hiqej sikur kishte gjumë, por në të vërtetë po hamendësonte të gjitha të papritunat e mundshme. I erdhën në mendje edhe dy letrat e kushërinit që banin fjalë për arratisjen e tij, pikërisht kësaj gjurme në ato kohë të largta të monarkisë, mision që e organizonte fshehtas konsulli shqiptar në Shkup. Por ata, atëherë, ishin pothuej të gjithë të mitunë, që shkonin në Shqipni për shkollimin e tyne në gjuhën amtare. Kurse ky po largohej me tjera synime: kishte ngulitë në mendje kërkesën kryesore për korrigjimin e disa gabimeve që, po ti shkrije në nji të vetme, dilte se ai kishte marrë guximin të përçonte nji porosi shumë delikate për fatin e tyne të matejmë. Për këtë qëllim kishte futë në tru emna e nyje rrjeti që, ndoshta, nji ditë, mund të hynin në histori. Në të kundërtën, rrezikonte ta cilësonin atë bashkë me shokët e tij si aventurierë, ose kuklla teatri, fijet e së cilës i kishin tërheq të tjerët.

Si lanë mbrapa Deçanin, nji katund ky i madh që viteve të fundit po merrte pamjen e nji qyteze të pëlqyeme, me male plotë pisha në sfond, manastirin, pishinën, ujin e tharptë, pushimoret – objekte këto që po e banin epiqendër dëfrimi dhe edukimi estetik. Shoqnuesi bani disa gjeste që i dhanë me kuptue Ridvanit se mbas pak do të zbrisnin. Dhe kur lexoi tabelën me shënimin Junik, autobusi ndaloi. Dolën njeni mbas tjetri pa kthye kryet mbrapa ose anas. Autobusi u rinis dhe ata i mbuloi nata e kunorat e pemëve anash udhës. Vetëm kur u siguruen se s’kishte frymë njeriu afër e s’po ndigjohej asnji lëvizje a zhurmë e dyshimtë, ata u bashkuen. I prekun, Ridvani tha:

– Si asht kjo botë: gjyshja ime prej babe vjen prej Junikut, por unë vetë kurr nuk kam qenë këtu.

– Eh, Juniku, çfarë historije që ka!- tha si me pëshertimë shoqnuesi

Ridvani deshi ta vazhdonte muhabetin e nisun, por ai s’e la:

– Ridvan, – pëshpëriti ai – tashti më duhet me shkue në shpi për do minuta. Deri sa t’kthehna, ti struku diku n’zabel e m’prit.

Ridvani shkoi e u mbështet për nji dru pishe me ftyrë të kthyeme nga shtëpia e shoqnuesit. Ajo po ndriçohej me nji llampë të dobët dhe përvijimet e saja mezi dalloheshin. Ndërmjetësi, i cili e kishte gjetë ket shoqnues, e kishte sigurue se kishte dhanë prova të gjalla besnikije e jo vetëm nji herë. Megjithatë, i ndodhun fillkat i vetëm, midis gjithë atij pylli e në nji mjedis krejt të panjohun, me heshtjen e panatyrshme të fshatit të madh – nata ispat s’ka! – shqetësimi i tij nuk dukej i kotë. Aq ma parë që kallauzi u vonue mjaft, kurse shtëpia e tij nuk qe larg. Në këto e sipër, kur minutat e pritjes po zgjateshin tërkuzë, befas ndigjoi mbas krahëve pyetjen me za të ultë: mos u vonova?

Ridvani ndoqi shtegun që i tregoi ai me dorë. Mbas nji copë rruge të mirë, në qetësinë e thellë e shurdhe të pyllit, shoqnuesi i bani me shenj të ndalonin. “Ndigjo këtu, i tha, tash kufinin nuk e kemi larg. Me emen të Zotit, do të mbërrijmë pa ndonji problem, prandaj po të kallzoj se si ke me veprue. Kur të ndodhesh mu në brezin kufitar, ec kamba-dorës, me lëvizje të kontrollueme. Brezi i butë prej dheu ka me ta lehtësue punën, porse ai brez asht ba për gjurmë e për qen e jo për ta ndihmue shkelsin, prandaj kujdes. Posa të kalosh kufinin, dy-treqind hapa larg tij, fill mbas kodrës së parë, do të shohësh nji shpi të vogël si stan barrijsh. Dhe, sa t’i afrohesh derës, thirr: O i zoti i shpisë, a do mysafir? Kuptohet, ke me pritë nji copë herë se, përgjigja, nuk të vjen menjiherë.

Ridvani e ndigjoi në heshtje këshillën dhe nuk e gjeti me vend ta ngacmonte me ndonji pyetje.

Për fat, qiellin e kthjelltë filluen ta mbulonin me shpejtí re të murme. E, kur u futën në breshtë, zu me rigue nji shi i imtë, tue përftue zhaurimë gjethesh. Kurse shoqnuesi, që po hetonte me bisht të synit çdo reagim të tij, ishte vërtetë i entuziasmuem me të. Rrallë i kishte ndodh të përcillte për në Shqipni nji të ri që i qe bind me aq disiplinë udhëzimeve të tija gjatë gjithë itinerarit. Madje, kur u takoi të përshkoheshin nëpër nji lirishte goxha të hapun, me hanën e plotë sipër tyne, ai i kishte thanë të shkonte ky i pari, kurse ai do t’ia rruente shpinën prej ndonji pusije, teknikishte kjo nji përrallë, sepse me nji beretë që mbante në dorë e i ndodhun midis atyne drujve të shumtë e të dendun, Ridvani ishte krejt i pambrojtun. Në çastin e parë, Ridvanit i shkoi mendja mos kishte ra në kurth e tek po hidhte hapat nëpër bar e fier, tha më vete: “Ndoshta ky paska qenë qenë fati im: me marrë fund si qeni n’rrush, prej nji dore venale shqiptare!” Por s’ndodhi asgja nga këto përfytyrime të zeza e të bujshme të tija: ai u fut përsëri në pyll e, mbas pak, ia mbërrini në krah të tij edhe shoqnuesi, i cili ia fërkoi krahun dhe i pëshpëriti “të lumtë, djalë!”

Kur po ndaheshin, krejt afër cakut, ata u morën ngryk, pa thanë asnji fjalë. Shoqnuesi u zhduk si me magji në terrin e thellë, kurse Ridvani mblodhi forcat e, mbasi bani disa hapa, i doli brezi i famshëm kufitar, për të cilin kishte ndigjue të flitej me fjalë të mëdha gjatë përgatitjeve për arrati. U shtri përtokë e u zhagit si bretkocë, syhaptë e me kthjelltësi mahnitëse të mendjes. Brezin e kaloi thjesht e shpejt.

Shoqërimi nga ushtarët dhe marrja në pyetje në postën e kufirit

Kur i shkeli kamba në tokën e Republikës së Shqipnisë, tha me nji lehtësim të dukshëm: kaq paska qenë kjo punë?! Gjithë qenjen e tij e përshkoi nji ndjesi krenarie që e kishte provue veten si guximtar. E kur u ngjit në kodrën e ultë, si e donte rituali, u kthye me fytyrë kah Kosova. U rrëqeth. Vetëm tash e kuptoi se kishte lanë mbrapa, nji Zot e di për sa kohë, vendlindje, prindë, vëllazën e shokë, pra se po fillonte pikërisht aty shekulli i ndamjes së tij prej tyne.

Posa iu afrue shtëpisë-kasollë, shqiptoi me za të naltë formulën. Ishte mesnatë dhe përreth zotnonte nji heshtim i ftigshëm. Vërtetë askush nuk iu përgjigj, por skenarin tashma e dinte ndaj shkoi e u ul në stolin që ndodhej anës derës.  Nxori paqetën e ndezi nji cigare, shenj se kishte ardhë me qëllime të mira.

Mbas nja gjysë ore, ndërsa po çuditej me vonesën e kufitarëve, papritmas ndigjoi nji thirrje të egër e urdhnuese: “Duart lart!” Fill mbas kësaj, nga pjesa e mbrapme e shtëpisë ia behu toga me automatikë të ngrehun. Ridvani u çue në kambë krejt i qetë. Njeni prej tyne iu afrue dhe e kontrolloi nalt e poshtë, tue e prek me të dy duert gjithandej, pa pikë kujdesi. Mbas kësaj, ai urdhnoi.

– Ec dhe duart mbaji prapa kokës!

E gjithë skena Ridvanit po i ngjante paksa absurde: i vetëdorëzuem e pa armë, pse duhej të trajtohej si rob lufte? Po i shikonte me bisht të synit të gjashtë ushtarët që u pjesëtuen në të dy krahët dhe pothuej pa vetëdije u tha:

– Çkuptim ka kjo masë?!

Prijsi i tyne, të cilit në ersinën e natës nuk po i dallohej mosha, i dha përgjigjen e papritun:

– Ke të drejtë!

Atëherë Ridvani, pa pritë mendimin e dytë të tij, uli duert.

Karaudha qe afër: edhe ajo ishte e vogël e pa farë arkitekture të studjueme. Po dritë kishte, ndonëse jo të fortë. Në zyrë, apo në atë imitim zyre, e priti nji mesoburrë shpatullgjanë e me mustaqe të shpeshta.

– Mirë se na erdhe, trim i Kosovës! – i tha dhe ia shtriu dorën.

– Mirë se ju gjej! – ia ktheu Ridvani.

I afruen karrikën ballë pritësit në rrobe civile, çka linte me kuptue se ndoshta nuk ishte efektiv i pikës kufitare.

– Unë kam qenë në anët tueja dhe i njoh mirë ato. Janë vende të bukura, vërtet të bukura. Na i rrëmbyen me të pa besë serbët, por prapë do t’i bajmë tonat. Kujtoj se edhe ti për këtë ideal ke ardhë.

Këto fjalë të ngrohta, mbas asaj tendosjeje udhëtimi e atyne klithmave ushtarake, po i tingllonin miqësore.

– Do të isha i lumtun po qe se ndihmoj sado pak.

– Jo pak, por shpresoj se do të ndihmosh shumë – tha pritësi dhe shikoi orën e dorës. Po shkonte dy. – Ti me siguri do të jeshë i lodhun, prandaj tash mundesh me shkue në kthinën përballë zyrës sime e me ba gjumë. Nesër, ditën për diell e me mendje të kthjelltë, do ta vazhdojmë muhabetin shtrumas.

– Po, vërtetë kam nevojë për pushim – pohoi Ridvani.

Por, me t’u futë në kthinë, e kapi tmerri: dritarja nuk kishte xhama, nëpër hapësinën e saj qenë vendos në mënyrë të kithtë dy drrasa, kurse pjesa tjetër mbulohej me gazeta të ngjituna. Në mur qe mbërthye nji dollap i vogël me libra. Mbasi e mbylli derën me çelës përmbrenda, u përplas mbi dyshekun me kashtë, ashtu siç ishte në tesha, sa ta merrte disi veten. Ndryshimet e gjendjeve ishin kaq të furishëm në nji njesi kaq të shkurtë kohe, sa ai po dyshonte mos ishte në andërr. E luti gjumin, por s’po i vinte. Atëherë u çue t’i hidhte nji sy dollapit me libra. U mrekullue kur gjeti përmbledhjen e dokumenteve të shpalljes së pavarësisë, në shqip e frengjisht. U lëshue mbi të si nji i uritun, sepse nji material të tillë, kur ishte atje – tashma në Kosovën e tij të largët – e ndiqnin si nji mi gjithë infeksione.

Kapaku i librit qe me nji dizajn të thjeshtë por kuptimplotë: Plaku i Vlonës me kostumin e tij europian të periudhës së vonë osmane, me fesin e kuq në krye, me nji redingotë të kandshme që i rrinte puthitun mirë në trupin e mbushun, të kohës kur ishte me peshë në parlamentin e tyne dhe sipër në krahun e djathtë flamurin kombëtar që valëvitej mbi gërmadhat e nji epoke të përfundueme, pamje këto që i dhanë pak zemër për hapin që posa kishte hedh. E ndërsa po humbiste nëpër ato tekste me stil telegramësh e raportesh ndërtu me kujdes, dalëngadal po i randoheshin qepallet deri sa e zu gjumi ashtu siç ishte, i krrusun paksa mbi libër.

Aty nga ora nandë i cokatën në derë dhe e ftuen me hangër mëngjes bashkë me efektivin e karaudhës. Rreth tavolinës qenë ul të gjithë. U shërbyen me pilaf e kos. Ridvani mezi po e përcillte poshtë pilafin që mbante erë vaj luledielli të pafërguem mirë. Por, për fat, aty ishte kosi i dhenëve që i jepte shijës aromën e fundit dhe ia freskonte gojën.

Kur mbaruen së ngrani, enët, pjatat e lugët prej alumini të trashë e të papërpunuem si duhet, që të kujtonin fazën fëminore të zhvillimit industrial, u hoqën saora. Tavolinën e pastruen me sfunxher të grimcuem anash dhe aty mandej mbetën vetëm Ridvani me personin në rroba civile.

– A pushove ndopak? – e pyeti ai.

– Diçka – ia ktheu Ridvani – po ma shumë lexova pjesë nga libri i dokumenteve të pavarësisë. Po arsyetoja mbramë: nji libër të tillë, që këtu e gjeta në nji pikë, si me thanë, të vdekun, atje të ne nuk mund ta gjesh as në bibliotekën qendrore.

– E sakt – ia ktheu bashkëbiseduesi – mbramë të thashë se kam qenë në Kosovë. Gjimnazin e kam krye në Shkodër por atëherë, për shkak të nevojave të ngutshme, më quejtën të aftë për mësues ndaj më futën në kontingjentin e sajuem për ndihmë të shkollës shqipe atje. Dhe pash me sytë e mi se librit shqip i kishte pasë ra kolera.

– Natyrisht, gjendja tash ka ndryshue rrajësisht. Por në nji pikë kontrolli ka mbetë i rreptë: çdo libër dokumentësh që provon burimisht përpjekjet për Kosovën shqiptare ose prishjen e mitit mbi mesjetën serbe në Kosovë, ndiqet pamëshirshëm.

– Sidoqoftë, e kanë të kotë – ia pat mikpritësi – tashma i kemi sigurue kanalet që minojnë ket hegjemoni të përkohshme të tyne.

– Po më gëzoni – tha Ridvani.

– Ti je i ri dhe fushëbeteja i takon brezit tand. Në këtë aspekt, ta kam lakmi. Kurse brezit tim, si tropojan që jam, mjerisht, nuk i ka mbetë tjetër veçse me dalë maje bjeshke e me hedh shikimin mbi Gjakovë, për ta shue nji mall të vjetër.

Mbas këtyne fjalëve të përgjithshme e me frymë mjaft personale, mikpritësi, që po vazhdonte të mos paraqitej me emën e mbiemën, tha:

– Nga qendra kam marrë porosinë me të përcjell qysh sot për në Bajram Curr. Atje do të rrish disa ditë dhe mandej do të vijnë prej Tirane me t’ marrë.

– Faleminderit!

– Atje do të takosh njerëz kompetentë, që i njohin mirë këto punë.

Në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit “Bajmar Curri”

Ridvani u ndje i lehtësuem. Pra e ndanin pak ditë nga momenti kur do të shkelte në qytetin e tij të gjakuem.

Për ta shoqnue deri në Bajram Curr ia caktuen nji ushtar pak ma të gjatë se vetja e me trup të lidhun mirë. Automatiku i rrinte bukur, dukej si nji gjys lodre në krahun e tij muskuloz. Por meqë nuk kishin në dispozicion ndonji makinë, u duhej të udhëtonin nji pjesë të mirë rruge në kambë deri sa të hasnin në ndonji mjet rasti. Ridvani, edhe pse i lodhun e pa gjumë, nuk po e jepte vetën. Madje u gëzue që do të ecnin në kambë, sepse do të kishte rastin të kënaqej me peisazhin e vjeshtës së parë.

Rrugës, ushtari tregoi shenja afrimi:

– Më quajnë Hekuran dhe jam nga Skrapari. Je kosovari i parë që takoj sepse ka pak muaj që kam ardhur këtu. Na u tha se do të të çojnë në Tiranë. Qenke me fat, sepse Tirana është botë tjetër. Atje bëhet jetë, ke për të parë. Po ty, nga të kemi?

– Prej Peje. Më quejnë Ridvan.

– Është qytet i madh Peja?

– Aty te pesdhjetë mijshi.

– Të gjithë shqiptarë?

– Jo, të përziem jemi, por, natyrisht, shumica janë tonët.

– Është ndopak e bukur?

– Po, shum.

– Kishe ndonjë hasmëri që u largove, zotrote?

– Jo.

– Më fal për kureshtjen.

– S’ka gja, unë muhabet due dhe rruga mund të jetë e gjatë.

– Mos u mërzit, shpejt do të shfaqet ndonjë makinë.

Por atyne iu desh me ec edhe nja nji orë deri sa nga nji bryl rruge doli një kamioni me njerëz sipër karrocerisë. Hypën dhe zunë vend mbi ranën e nxjerrun në lumin Valbonë. Tre burra, të mbështetun mbi lopatat e tyne, me ftyra të rrahuna ernash e vështrime disi të mrrolun, s’po banin ver me gojë. Po e shikonin këtë të ri, vesh me kostum e kravatë e me ftyrë si të nji fëmije të rritun dhe kushedi se ç’po bluenin me mend. Dikur, njeni prej tyne, simbas zakonit, i bani pyetjen rutinë:

– Kah të kemi, djalë?

– Prej Peje – u përgjegj Ridvani.

– Prej Peje mrena?

– Po.

Mandej ata përsëri u mbështollën me heshtjen e tyne. Kurse Ridvanin, ky takim i parë me civilët shqiptarë, pa ndonji joshë të jashtme, po e trembte ma shumë se ata masivë shkembijsh që reflektonin në horizont e që dukej sikur nga çasti në çast do të shembëshin mbi krenat e tyne. Por ajo që filloi t’ja shporonte trunin në mënyrë të veçantë, ishte përputhja e pamjes së tyne me përshkrimet e atyne që, kur ishte në vendlindje, i kishte cilësue si gënjeshtra ose teprime keqdashse.

Në të hymë të qytetit, ai ma i moshuemi, e uroi:

– Ty të kjoftë për hajr ardhja në Shqipni e t’u dhashtë e mbara.

E tjetrit krah tij, atij ma thatanikut, s’iu durue pa e thumbue:

– Po doket se nuk t’ paskanë pëlqye mollat gjyle të Pejës!

Ridvani u përpi në gaz: ishte nji shigjetim që kishte prek fillesën e zhgënjimit të tij kaq të vrikshëm.

– Duket! – ia ktheu Ridvani, pa farë zemrimi.

Makina ndaloi para nji ndërtese dykatshe. Ushtari i bani me dorë Ridvanit që të zbriste. Ky u përshendet me punëtorët, u tha “ma bani hallall” dhe u hodh me shkathtësi në tokë. Ata e përcollën me nji lumë fjalësh të zashme bekimi dhe vazhduen për në cakun e tyne.

Në ballinën e godinës, mbi nji teneqe blu ovale, shkruhej: Dega e Mbrendshme – Bajram Curri. Ushtari i tha Ridvanit të ecte krah tij që të mos dukej si i kapun. Megjithatë, vështrimet e atyne pak qytetarëve që ndodheshin andej pari ishin plotë bashkëndjesi e pothuej mëshirues për të. Ku ta dinte se ç’u thoshte atyre përvoja e gjatë. Jo më kot quhej Malsi e Gjakovës, stuhitë e kohës gjithmonë kishin shkarkue aty fate kosovarësh nga ma të çuditshmet.

Në Degë i priti nji ushtarak me gradën major. Gjithçka mbante erë parapërgatitje, ndoshta edhe serioziteti i tepruem e i pa shkak i tij. Edhe shtërngimi i dorës nga ana e tij ishte i dobët e si me zori.

E vendosën në nji dhomë të vogël, me nji dritare qe shikonte nga rruga por me nji llambë të madhe që nuk fikej ditë – natë. Në qoshe të dhomës, dalloi nji krevat prej druni mbi të cilin qenë vendue disa batanije të palueme, kurse në mes, mu nën llambë, ishte nji tavolinë e ngushtë me dy karrige anash. Ndonëse i lodhun, gjumi e zu me vështirësi. Mbas nji fare kohe, ndoshta në mesin e gjumit të parë, iu ba se qe afrue me hapa të lehtë nji hije e iu hodh sipër për ta lidhë me nji litar të madh e të trashë. Ridvani dha e mori i tmerruem për ta kundërshtue, por gjymtyrët nuk po i bindeshin, ato i qenë randue e ngurtësu si të ishin copa druni. Por gjendja erdh e u ba e mnershme, kur hija filloi ta shtërngonte në fyt. Atëherë ai thirri me sa za kishte për ndihmë.

Ma në fund i doli gjumi dhe pa se trupi i qe la në djersë. E kuptoi se e kishte shkel nata. Si iu tha djersa, u çue e lau trupin bel e sipër me ujë të ftohtë të qesmes, u fërkue me peshqir, dhe dikur, te e vona, e zu gjumi i qetë e shlodhës.

Të nesërmen në mengjes, erdh majori. Kur u ulën, ai e njoftoi se kishte ardhë për të marrë deklaratat e tija të para. Nxori prej dosjes së hollë nji formular e stilolaps dhe i hapi mbi tavolinë disa letra të tjera formati. Ridvani i dha gjeneralitetet e veta, por kur majori e pyeti se përse kishte ardhë dhe ç’farë ishin qëllimet ose kërkesat e tija, Ridvani u ndal e po mendohej.

– Po zotni Myftari – e përmendi majori.

– Jam i porositun që për këtë pikë të flasë vetëm me qendrën – tha Ridvani qetë-qetë.

Në të vertetë, ky ishte nji sajim i atypëratyshëm i Ridvanit, sepse nuk e kishte parashikue që punët e grupit të kalonin nëpër disa duer.

Majori u step: me sa dukej edhe ai nuk po dinte si me veprue, nëse duhej respektue rregullat apo përnjimend kishte të bante me ndonjë përjashtim që, po të ngulte kambë në të tijën, mund t’i kushtonte ma vonë.

– Dakort, – tha ma në fund majori, – unë po shënoj këtu se shkelsi i kufinit, refuzon të përgjigjet në këtë pytjet./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb