Resmije Mustafa është 32 vjeçe dhe kur bëhet fjalë për familjen e saj ajo nuk dëshiron ta kujtojë, pasi nuk mundet ta përballojë dot emocionalisht. Gruaja nuk i ka njohur kurrë prindërit e saj biologjikë dhe e kanë rritur një tjetër familje. “Më ka rrit gjyshja më shumë, shumë kam hequr kur isha fëmijë.

Pastaj ndodhi lufta në Kosovë. Dikush thotë është fëmija e këtij, dikush e atij, nuk dua të hyj më në këtë histori, se nuk mundem ta përballoj”, shprehet ajo. Dëshira e saj e madhe ka qenë sikur t’i takonte të paktën vetëm njëherë, dhe t’i pyeste se çfarë ka ndodhur?

Resmija: Vetëm gjyshja më ka thënë ka ndodh një histori shumë para lufte. Gjithmonë e kam pas pikë në zemër thosha veç një fjalë t’ia them prindit se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por çfarë të bësh kështu ka qenë fati.

Gjyshja iu vra në luftë dhe Resmija u rrit tek djemtë e xhaxhallarëve. Gjithmonë ka dyshuar se mos është e braktisur. A janë prindërit gjallë? A janë vrarë gjatë luftës apo u ka ndodhur ndonjë fatkeqësi? këto janë pyetjet që e mundojnë Resmijen çdo ditë, teksa sëmundja e mundon.

Resmija: Gjithmonë mërzia, mërzia, pastaj ka filluar dhimbja e kokës. Kam 9 vite me dhimbje koke, sa herë pi ilaçe nuk më ndalon dhimbjen. Marr injeksion dy ore tre përsëri nuk më ndalon dhimbja.

Hajdini është 37 vjeç dhe punon në ndërtim, në një ndërmarrje publike në Prishtinë, nëna dhe dy motrat e tij janë vrarë në luftë. Hajdini dhe Resmija janë martuar para 14 vitesh në moshë të re dhe kanë tre fëmijë, Rijadin 10 vjeç, Anisën 4 vjeç dhe Amrën 6 muajshe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb