Këtë herë emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” rrugëtoi në Maliq të Korçës. Ndaluam në familjen Bego prej 5 anëtarësh të cilët ende vuajnë me dhimbje ikjen nga kjo botë të një personi shumë të dashur për ta. Në dhjetor të 2019, shtylla e familjes, ai që i ishte gjendur pranë në çdo moment të vështirë ndërroi jetë. Elsa, Sonila dhe Amarildo; 3 fëmijët e familjes Bego kujtojnë mes lotësh momentin e vdekjes së gjyshit të tyre 83 vjeçar.  Pavarësisht vdekjes në moshë të re të gruas, ai nuk zgjodhi të martohej, por qëndroi me djalin (babain e 3 fëmijëve) pasi ai kishte humbur dëgjimin. 13 vjeçarja Sonila tregon se gjyshi  ka arritur shpesh të marrë edhe borxh për ta.

 

“Gjyshi jetonte me ne, sepse nuk kishim shtëpi dhe shtëpia ishte në emër të gjyshit e të xhaxhallarëve. Pastaj pasi vdiq gjyshi, shtëpia ngeli në emër të xhaxhallarëve dhe ata menduan të na i dhuronin ne. Na dhuruan divanë, çdo gjë që gjyshi të kishte një vend të rehatshëm që të rrinte, ti gëzonte ditët që i kishin ngelur. Kur na harxhoheshin lekët gjyshi shkonte gjente borxh për ne kur ngeleshim keq. Gjyshi nuk zgjodhi të martohej pasi gruaja i vdiq në moshë të re, por ai zgjodhi të rrinte me babin duke qenë se nuk dëgjon”,-thotë Sonila.

 

Për 41 vjeçarin Mentor Bego vdekja e të atit ka qenë një humbje e papërshkueshme të cilën e vuan ende.

 

“Kisha babin mbështetje, na ndihmonte dhe tani po bën nja dy muaj që jam si i mbyllur. Kur më vdiq babai isha i humbur, mu duk sikur më mori me vete. Gjysmën e trupit nuk e ndjeja fare”,-thotë kryefamiljari.

 

Vajza e madhe e familjes Elsa, tregon se ende nuk iu besohet që gjyshi nuk është më mes tyre.

 

“Gjyshi, shpëtimtari i të gjithëve ne! Çfarëdo që të bënim gjyshi ishte një mbështetje e madhe për ne. Duke qënë se isha dhe fëmija i parë, kemi bërë shumë gjëra së bashku, kam kujtime shumë të bukura me gjyshin e që kur ka vdekur ai shtëpia është shumë bosh. E kemi përjetuar shumë keq, sa që ishte e paimagjinueshme që kishte vdekur dhe nuk e besonim dot”,-thotë Elsa.

 

Më i vogli i familjes, Amardildo mes lotësh shpreh dëshirën e tij më të madhe: Të përqafonte qoftë edhe një herë të vetme gjyshin, që për të ishte një ëngjëll.

 

“Kam kaluar tërë ato ditë të mira me gjyshin. Më mungon shumë, do doja ta përqafoja shumë e ta kisha këtu afër tani. Gjyshi për mua ishte një ëngjëll, sikur e kishte dërguar Zoti për një gjë të mirë në familjen tonë. Shumë na ndihmonte.”,-tregon 9 vjeçari.

 

Në rastet kur 13 vjeçarja Sonila është ndjerë e përbuzur për shkak të promblemit shëndetësor që ka me këmbën; gjyshi gjithmonë përpiqej ti rikthente buzëqeshjen.

 

 

“Gjyshi më del shumë herë në ëndërr, kishim mardhënie shumë të ngushtë me njëri- tjetrin. Gjyshi më përkëdhelte kur më shtynin apo më përbuznin të tjerët. Ai më merrte më çonte në ndonjë park, luanim pak e ktheheshim. Por tani gjyshi ka vdekur dhe që kur ka vdekur, neve na është shkatërruar jeta plotësisht”,-thotë mes lotësh Sonila.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb