AFRIM IMAJ/ Shqipëria është nga vendet e pakta që posedon kuaj të racës “Gjakpastër arab”. Ajo që nuk ka rënë në sy për opinionin vendës, nuk i ka shpëtuar medias perëndimore.

Raportet nga terreni për ekzistencën e tyre kanë tërhequr interesin e specialistëve, por jo vetëm. Arian Rugji, pronari i fermës së vetme të kuajve të rrallë, nuk e fsheh kënaqësinë nga të tilla konstatime, pavarësisht pasaktësive që gjen në to. Për të historia e “çudisë shqiptare” me kuajt e famshëm, zbuluar rishtas nga të huajt, është shumë më e hershme nga ajo e strehës që ai ka ngritur për ta vitet e fundit në Pezë. Madje, më e hershme nga koha që i referohen mysafirët perëndimorë, shprehet Rugji, duke kujtuar kontaktin e këtyre të fundit me “Gjakpastrin arab” pas rrëzimit të diktaturës.

Sidoqoftë, shpjegon për Gazeten “Panorama.al”, pronari i fermës së Pezës, mbijetesa e kafshës së rrallë te ne është e lidhur me përkushtimin e mjaft specialistëve që kanë sfiduar barriera të ndryshme, duke filluar nga ato politike e deri te shpërthimet vandale të mesit të viteve ‘90. Në vitin 1975, fill pas dënimit të Petrit Dumes dhe gjeneralëve të tjerë, kujton Rugji, ferma u godit nga shpërthimi i parë, ku me një urdhër politik kuajt u shfarosën në zonat më të skajshme. Pastaj, shton ai, u rigrupuan në Stacionin Zooteknik të Shkodrës, por vetëm përkohësisht. Kaosi i fillimviteve ‘90, përfshiu vrullshëm edhe tufën e tyre, duke e kërcënuar me zhdukje totale. Ka qenë ky momenti kur Rugji ka ndërmarrë aventurën për të bërë ç’është e mundur që të sigurojë trashëgiminë e “Gjakpastrit arab”. Mënyra si e ka realizuar është pjesa më interesante e rrëfimit të tij…

Zoti Arian, ju keni ringritur Lazeretin, fermën e famshme të kuajve të Petrit Dumes. Është ruajtur raca e tyre dhe a mund të themi se posedojmë kalin e rrallë të njohur si “Gjakpastri arab”?

Më së pari duhet sqaruar si u venit ferma e famshme e Lazeretit, e njohur si “Tverskaja Konji Zavod” e Shqipërisë. Duhet zbardhur pra kalvari i shkatërrimeve barbare ndaj kësaj race të rrallë të kuajve “Gjakpastër arab”, për të cilën kanë investuar shumë vendet më të fuqishme të globit. Është një histori vërtetë tragjike, çuditërisht e panjohur nga opinioni dhe e neglizhuar nga specialistët dhe zyrtarët e fushës. Tragjike dhe paradoksale njëherësh. E veçoj këtë të fundit, kur kam parasysh faktorin politik që shkatërroi fermën e famshme…

E keni fjalën për mbylljen e fermës pas arrestimit të Petrit Dumes…?

Sigurisht për atë, prej nga nisi kalvari, por jo vetëm. Shkurt, do të thosha se kuajt e racës së rrallë, në një farë mënyre, u bënë viktima të luftës së klasave. Paradoksale kjo, por mjerisht e vërtetë. Fillimisht, furtuna përfshiu fermën e Lazeretit, fill pas kryqëzimit të gjeneralit të njohur, me të cilin ishte lidhur ekzistenca e saj. Ndodhi kjo në vitin 1975, kur me një urdhër të çuditshëm kuajt u transferuan brenda ditës dhe përfunduan në Spitall të Durrësit. 400 syresh iu bashkëngjitën fermës së lopëve të ndërmarrjes bujqësore “Rinia.” Aty as bëhej fjalë për kushte normale. Qysh muajt e parë, trajtimi mizerabël shkaktoi dëme të jashtëzakonshme. Vetëm në pak muaj, ferma u përgjysmua në numër. Në vitin 1976 u shua “Naklloni”, kali i rrallë që njihej si kali i Petrit Dumes. Pas tij, me dhjetëra të tjerë. Pas një viti situata u bë tejet kritike, aq sa po të mos ndërhynte Ministria e Bujqësisë, nuk do të kishte mbijetuar asnjë syresh.

Arian Rugji1

Si u operua për të shpëtuar tufën e kuajve të rrallë?

Me presionin e një grupi të specialistëve të Ministrisë së Bujqësisë, të kryesuar nga Sali Metani, bërthama që kishte mbijetuar u transferua në Stacionin Zooteknik të Shkodrës. Aty filloi një trajtim më i mirë i kuajve, por përsëri larg standardeve përkatëse. Së paku në momentet e para, se me kalimin e kohës, diçka u përmirësua. Megjithatë, për disa kohë riprodhimi u ndërpre, madje pati edhe degjenerim të racave, por u ruajt individualiteti i gjenit. E kjo nuk ishte pak përballë atij rrebeshi shfarosës…

Në atë kohë është folur se në Shkodër mbarështoheshin kuaj të racës hungareze dhe jo “Gjakpastër arab”…?

Ideja për të humbur gjurmët e racës “Gjakpastër arab” kishte prapavijë politike. Së pari, për t’iu larguar emrit të armikut Petrit Dume me të cilin identifikohej me të drejt ferma e kuajve të rrallë. Së dyti, për t’iu fshehur gjurmimit agjenturor të KGB-së, që përpiqej të shfaroste praninë e tyre pas divorcit me Bashkimin Sovjetik. Pra, për të fshehur gjurmët e kuajve arabë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik, flitej për mbarështim të kuajve hungarezë… E vërteta është se në vitin 1979, kur ishte tkurrur në maksimum tufa e “Gjakpastërve arab” dhe rrezikohej shuarja e saj, u porosit në Hungari një hamshor me emrin “Ghalion”, po i racës Gjakpastër. Me këtë u realizua një riprodhim i suksesshëm, madje për disa vite me radhë. Me sa duket ky operacion dhe fakti që nuk dihej origjina e kuajve të tjerë që mbarështoheshin aty, ndikuan që Stacioni Zooteknik i Shkodrës të njihej ndryshe si qendra e riprodhimit të kuajve hungarezë.

Sa kohë vazhdoi riprodhimi i kuajve të racës së rrallë në Stacionin Zooteknik të Shkodrës?

Lindjet e fundit, siç i quajmë ne, i përkasin mesit të vitit ‘90. Prej andej gjithçka doli nga binarët dhe ferma, pas shkatërrimit të vjeshtës së vitit ‘75, u përfshi nga tragjedia e dytë, që ishte edhe më e tmerrshme. Kaosi që përjetoi shoqëria gjatë tjetërsimit të sistemit politik, ishte fatal për qendrën e riprodhimit të kuajve. Bashkë me shkatërrimin e Stacionit Zooteknik, një aset i jashtëzakonshëm ky i shkencës dhe ekonomisë shqiptare, u plaçkit e shkatërrua edhe ferma e tyre. Kuajt e rrallë u vunë në shënjestër të lloj-lloj vandalësh e matrapazësh që i morën përdhunshëm e i përdorën barbarisht pa ua ditur vlerat. Suita e dytë që u vërsul mbi ta ishte e një lloji tjetër. Një mori të huajsh nga vende fqinje dhe diplomatë të ardhur nga Tirana, vunë në veprim dollarët dhe mjaft syresh i pronësuan me një çmim të papërfillshëm. Të parët që i kishin rrëmbyer nxituan t’i shisnin për të blerë vetura e për të bërë shtëpi.

Mbani mend ndonjë diplomat që u fut në këtë treg të zi dhe bleu kuaj “Gjakpastër arab” në Shkodër?

Ka pasur disa të tillë, por më i edhshmi në këtë treg ishte ambasadori i Italisë në vendin tonë, Paulo Foresti, i cili me ndërmjetësinë e sekretarit të parë të Ambasadës, atdhesoi matanë Adriatikut disa kuaj të tillë. U shfrytëzua kështu kjo çoroditje totale, për përfitime të pandershme…

E keni parë vetë Paulo Forestin në tregun e zi në Shkodër, apo jua kanë thënë të tjerët?

Pa dyshim që e kam parë vetë, kuptohet jo duke blerë në treg kuajt e Petrit Dumes, as duke u marrë me transportimin e tyre, por duke diktuar nga afër negociatat e njerëzve të tij me lloj-lloj matrapazësh që i kishin përvetësuar kuajt e Petrit Dumës në mënyrë të kundraligjshme. Në atë periudhë jetoja në Shkodër dhe këto ngjarje i kam ndjekur nga afër. Në Shkodër ka me dhjetëra qytetarë, madje edhe nga njerëzit e përdorur nga ambasadori italian, që dëshmojnë për operacionet misteriozet të Forestit. Mjaft syresh kujtojnë ende sot profilin mjeran të sekretarit të parë të Ambasadës në tregun e zi të atyre ditëve. Me sa di, ca më vonë kjo ngjarje zuri vend edhe në median italiane.

Po të huaj të tjerë…?

Ka pasur disa të tillë, por unë mbaj mend një gjermane të martuar me një kosovar që rrëmbeu plotë 25 mëza “Gjakpastër arab”. Më vonë kam mësuar se me ta ajo krijoi një fermë në Gjermani dhe ka siguruar një treg të majmë.

Si mbijetoi pas kësaj bastisjeje raca e kuajve të rrallë?

Kjo falë ndërhyrjes në momentet kritike të Ministrisë së Mbrojtjes. Për ironi të fatit, ushtria që i solli nga ferma “Tverskaja Konji Zavod” në fundin e viteve ‘50, tani duhej t’i blinte në tregun e zi në Shkodër. Madje, me anën e një operacioni të vështirë. Ndryshe do të ishte shuar përgjithmonë lloji i racës së tyre. Ekspertët ushtarakë shkuan te plaçkitësit, tashmë pronarë të kuajve të rrallë, negociuan nga afër me ta, ranë dakord për çmimin dhe i sollën në Tiranë.

Sa kuaj bleu në tregun e zi Ushtria dhe si u operua me ta?

Ndërhyrja e ekspertëve të Ushtrisë në tregun e zi në Shkodër u realizua në momentet

e fundit. Nga gjithë tufa prej 400 kuajsh që kishte së fundi në inventar Stacioni Zooteknik i Shkodrës, u siguruan me shumë vështirësi rreth 40 krerë. Pjesa më e madhe e tyre ishte në një gjendje të mjerueshme. Me ta, aty nga fillimi i vitit 1994, u krijua skuadroni i kavalerisë i Forcave të Armatosura. Trajtimi i bërthamës së krijuar rishtas me kuajt e trashëguar nga ferma e famshme e Lazeretit shumë shpejt u vu mbi baza shkencore. Me rikrijimin e Qendrës së mbarështimit të tyre, falë përvojës dhe kualiteteve të specialistëve, Ushtria rifitoi një aset të vyer. Në paradën ushtarake të atij viti, për herë të parë pas tri dekadash, parakaloi edhe kuadrati i kavalerisë me kuajt e racës “Gjakpastër arab”.

Pra, këtu mori fund kalvari i kuajve të dhuruar nga ferma “Tverskaja Konji Zavod”?

Paqja me ta, si mund të shprehemi, zgjati rreth një vit. Pas një viti, ferma u përfshi në një tjetër tragjedi, këtë herë në një formë tjetër..

Çfarë e kërcënoi përsëri?

Aty nga mesi i vitit 1995, doli urdhri i ministrit të Mbrojtjes për t’i hequr nga organika e Ushtrisë. Me komunikimin e tij u krijua një situatë konfuze. Dikush thoshte t’i kthejmë prapë në Shkodër, pa orientuar se ku. Një tjetër rekomandonte t’ua kthenim atyre që ua kishim marrë, pasi mjaft syresh nuk i kishim likuiduar. Zyrtarë të veçantë të Shtabit të Përgjithshëm mendonin t’i kalonin në dispozicion të Ministrisë së Bujqësisë, por kjo e fundit nuk i pranonte. Në këtë kakofoni alternativash për fatin e kësaj pasurie të rrallë, vendosa t’u dal vetë për zot. Një moment më përfshiu hobi i kahershëm për ta, por ishte një sipërmarrje e vështirë.

Sidoqoftë… Me një fjalë i rrëmbyet… Nuk bëhet fjalë për rrëmbim, por i bleva, pjesën më të madhe me vlerën që i kishte marrë Ushtria në tregun e zi. Fillimisht m’u desh të rikthehesha në Shkodër, për të likuiduar shumën e pashlyer që Ushtria u kishte premtuar posedueseve të tyre. Me pjesën tjetër operova në përshtatje me praktikën zyrtare, ku subjekti shitës ishte shteti dhe unë blerësi. Për të përballuar faturën financiare, për momentin shita banesën në qytet. Po vështirësi më të mëdha se fatura monetare paraqiste sistemimi dhe trajtimi i tufës së kuajve.

Disa nga miqtë tuaj thonë se kuajt një vit i keni mbajtur në banesë…?

Ishte koha kur sa i kisha tërhequr dhe nuk kisha ku t’i sistemoja. Banesa në të cilën isha vendosur përkohësisht, pasi kisha shitur apartamentin në Shkodër, ishte një godinë dykatëshe, dikur objekti i shkollës “Skënderbej”. Hapësira e saj në një farë mënyre më krijoi mundësi t’i sistemoja përkohësisht aty, në katin e parë të saj. Ndërkaq, vetë me familjen jetoja në katin e dytë. Ishte një sfilitje e madhe, por sidoqoftë ia dola. Kjo falë edhe mbështetjes së familjes dhe të njohurve. Pas një viti munda të krijoj një strehë për ta në periferi të Tiranës, në Vishnjë, mandej në malin e Dajtit dhe tani së fundi në Pezë.

Ka ndodhur të pendoheni për këtë sipërmarrje të jashtëzakonshme?

Mbarëvajtja e fermës është ndër kënaqësitë e veçanta të mia. Nuk ka ndodhur asnjëherë të pendohem për sipërmarrjen e dikurshme. Tashmë, me sa jam në dijeni, edhe të tjerë kanë krijuar bërthama me kuaj të racave të ndryshme. Është masivizuar me ta sporti i hipizmit dhe kavaleria. Ferma ime ndoshta është e vetmja me kuajt “Gjakpastër arab”, trashëguese e fermës me famë botërore “Tverskaja Konji Zavod”. Kjo ma rrit edhe më shumë kënaqësinë, por edhe më motivon për ta zgjeruar më tej.

Beqir_Balluku

“Kali i Beqir Ballukut tërhiqte karrocën e ciganit te rruga ‘Bardhyl’”

“Frashëri” i mrekullueshëm më doli përpara aty ku nuk e prisja. Kur e kisha kërkuar gjithandej dhe kisha humbur shpresat për ta gjetur, u përballa me të në Tiranë. Një moment shtanga. Nuk u besoja syve. Iu afrova pranë. I hodha dorën mbi qafë. Fillova ta ledhatoj. I pashë numrin e matrikullit në shpatull.

U binda. Ishte ai, kali i famshëm i ish-ministrit të Mbrojtjes, pushkatuar në mesin e viteve ‘70…” Aty për aty historia për rigjetjen e “Frashërit” të Ballukut, humbur prej vitesh pa lënë gjurmë, të duket si legjendat e dikurshme, por nuk është e tillë. Tregimi i Arjan Rugjit është sa bindës, aq edhe i vërtetë. “Kur parakaloja një pasdite karrocën e një cigani në rrugën “Bardhyl”, më mbetën sytë te kali shtatlartë që çapitej para saj. Frenova makinën dhe i dola para. I thirra karrocierit të zbriste poshtë. Në fillim hezitoi, po kur pa këmbënguljen time u ul. Ç’ke?, ia bëri me një trill nervor. Nisa ta qortoj për sjelljen barbare ndaj kalit. Ç’të duhet ty, ma ktheu, duke më kujtuar se ishte prona e tij. I thashë se kishte shpirt dhe kali si njeriu. I mora nga duart shufrën metalike me të cilën e qëllonte pamëshirë.

Cigani më pa si i hutuar dhe u vrenjtë në fytyrë. Ishte e pamundur të kuptohesha me të. Një çast iu afrova kalit dhe nisa ta vështroj nga afër. Pamja e tij më vuri në mendime. Aty për aty fillova të dyshoj. Pyeta të zotin ku e kishte marrë. M’u përgjigj se e kishte blerë në Shkodër. Në Shkodër, kur?, e pyeta sërish. Më sqaroi për kohën dhe rrethanat si ishte bërë pronar i tij. Bëhej fjalë për vitin kur ishte braktisur ferma e famshme. Një minutë!, i thashë, sakaq dhe zgjata dorën mbi jelet e kalit. Cigani më ndiqte me habi. Në pjesën ballore të shpatullës së djathtë, dallova shifrën 28. Pastrova grason që e kishte qarkuar numrin e matrikullit dhe u ktheva nga ai. Desha t’i kujtoj pronarin e hershëm, por ndërrova mendje.

“Frashërin” që kisha përballë mund ta shpëtoja, pa u zgjatur në historinë e tij…” Arjan Rugji shpjegon se pas kësaj përballje, i është dashur të negociojë me ciganin e pabindur për t’i hequr nga kthetrat kalin e ministrit të pushkatuar. Dakordësia me të ka qenë një kalvar i stërmundimshëm. Vetëm kur i ka ofruar katër pela në këmbim të tij, ka mundur ta ketë të dorë “Frashërin” e Ballukut./PANORAMA/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb