Publikohet historia e panjohur e dy intelektualëve të njohur shqiptarë, profesor Namik Resulit me origjinë nga Berati, Mahmut Cungut nga Elbasani, të cilët pasi përfituan bursa nga qeveria e Mbretit Zog, studiuan dhe u diplomuan në universitetet më prestigjioze të Italisë dhe Turqisë. Nga kontributi studimor e shkencor i Resulit në lëmin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në univesitetet italiane, tek përkthimet brilante të Cungut, i cili punoi për vite si inxhinier në Bashkinë e New Yorkut dhe në firmat më prestigjioze të SHBA-së, ku ai ishte mik i ngushtë i Presidentit, Richard Nikson.

Gjatë periudhës pesëmbëdhjet-vjeçare të Monarkisë së Zogut, me qindra e qindra të rinj shqiptarë përfituan bursa shtetërore apo të drejta studimi dhe u diplomuan në universitetet më prestigjoze të Perëndimit. Ndërsa pas marrjes së diplomës, pjesa më e madhe e këtyre studentëve u kthyen në Shqipëri dhe dhanë kontributin e tyre në rimëkëmbjen e progresin e shtetit të ri shqiptar (si gjatë periudhës së Monarkisë dhe në vitet e pushtimit nazi-fashist të vendit), një pjesë tjetër për arsye nga më të ndryshmet nuk u kthyen më në atdhe, por qëndruan në dhe të huaj, ku vazhduan punën e tyre studimore dhe shkecore.

Dy prej këtyre studentëve dhe intelektualëve të famshëm, ishin dhe Mahmut Cungu e Namik Resuli, të cilët pas vitit 1944, nuk mundën të kthehshin më në atdheun e tyre, ku kishin familjet dhe të afërmit. Kush ishin Resuli dhe Cungu, cila ishte e kaluara e tyre, ku u diplomuan ata, dhe cili ishte kontributi i këtyre dy intelektualve të famshëm në mërgatën antikomuniste shqiptare të Perëndimit, emrat e të cilëve u bënë të njohur vetëm pas viteve ’90-të?

Lidhur me këtë, bëhet fjalë në këto pak rradhë të këtij shkrimi, të cilin e kemi përgatur duke u bazuar në disa nga botimet e diasporës antikomuniste shqiptare (të para viteve ’90-të), e cila herë pas here i kujtonte Resulin dhe Cungun, duke nxjerrë në pah edhe kontributin e tyre të vyer në fushat ku ata studjuan dhe punuan.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Namik Resuli dhe puna e tij studimore

Namiku Resuli u lind në qytetin e Beratit më 10 Shtator të vitit 1912. Pasi kreu mësimet e shkollës fillore në Shqipëri, atë e dërguan të studjonte në Itali, ku ai mbaroi Liceun, dhe më pas studimet e larta, duke u laureuar në Glotologji, pranë Universitetin të Torinos. Gjatë atyre viteve që Resuli studjoi në atë universitet, ai ishte nën patronazhin e mjeshtri të famshëm italian, profesor Bartoli, i cili merrej vetëm me studentët e shkëlqyer. Teza që mbrojti Resuli në punën e diplomës ishte: “Studime rreth stratifikacioneve në gjuhën shqipe”. Pasi kreu studimet universitare në Torino, ai u kthye në atdhe ku u emërua profesor në klasat e larta të Shkollës “Normale” të Elbasanit. Por një vit më vonë, ai u transferua në gjimnazin e Shkodrës. Pasi shërbeu për disa kohë në Shkodër, ai u transferua në gjimnazin e Tiranës, dhe në prillin e vitit 1939, ai u dërgua në Itali, si asistent profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës.

Në këtë detyrë ai qëndroi plot dhjetë vjet dhe në të njëjtën kohë ai ishte emëruar Inspektor Superior në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, ku qëndroi për katër vjet, deri në vitin 1944. Në vitin 1955 Namik Resuli mori gradën shkecore (“Libera docenza”) në Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe dhe u emërua si i ngarkuar i gjuhës shqipe në Institutin Universitar Oriental të Napolit. Në këtë institut ai u ngarkua edhe me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike. Në vitin 1935 Resuli shkroi një studim mbi principet dhe metodat e neolinguistikës, i cili u botua në revistën “Leka” që dilte në Shkodër. Kur u kthye në Shqipëri, ai e kuptoi menjëherë se fusha linguistike dhe ajo historiko-letrare ishin krejt të pazhvilluara.

Mësuesit e Shqipes ndeshnin vështirësira të mëdha dhe mbi të gjitha u mngonte një gjuhë e njësuar. Shkrimtarët shqiptarë të asaj kohe shkruanin në dy dialekte të ndryshme, shpesh herë të përzjerë nga njëri-tjetri, pa një ortografi të caktuar. Në fushën historiko-letrare, gjendja ishte gjithashtu e mjerë, aq sa mungonte një tekst i historisë së letërsisë shqipe. Përpara një gjendje të tillë, ai e përqëndroi veprimtarinë e tij drejt dy objektivave të caktuara: në fushën linguistike dhe në atë letrare. Në fushën linguistike, duke marrë parasysh se ende nuk ekzistonte një gjendje e pjekur për zgjedhjen e njërit nga dy dialektet si gjuhë kombëtare (atë kohë nuk mendonte kush se një problem i tillë mund të zgjidhej me një dekret qeveritar sikurse ngjau më vonë), ai u përpoq që të afrojë sa më tepër toskërishten ndaj gegërishtes, sidomos atje ku këto dialekte bashkoheshin me njëri tjetrin. Në atë periudhë Resuli shkroi disa artikuj dhe studime, si; “Gegënishtja apo toskërishtja?”, “Përpjekje të lashta dhe të reja për një gjuhë të përbashkët shqipe”, “Për një gjuhë të përbashkët”, etj.

Këto studime patën një farë jehone në atë kohë dhe shkaktuan reagime e polemika të shumta. Ato lanë gjurmë që duken edhe në formulimin e gjuhës së tashme letrare, por sigurisht ato ia hapën atij derën e komisionit të ortografisë shqipe, që ishte krijuar pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Përvec studimeve në këto fusha, Namik Resuli nuk i’u nda asnjëherë publicistikës, gjë të cilën ai e kishte filluar në një moshë mjaft të re, duke shkruar në gazeta dhe revista të ndryshme.

Kontributi i Resulit në Letërsi

Në fushën letrare, sikurse e thotë ai vetë në shkrimin “Katërqind vjet letërsi shqipe”, në periudhën e viteve ’30-të, në gjuhën shqipe ekzistonte vetëm një manual i françeskanit Justin Rrota, kurse në gjuhën italiane, kishim veprën monumentale të Gaetano Petrotës, “Popolo, lingua e letteratura albanese”. Kjo vepër e Petrotës përbënte një burim të pazëvendësueshëm njohurish të çmueshme dhe preçize mbi popullin, gjuhën dhe letërsinë shqiptare, por nuk mund të thuhet se ishte një histori e vërtetë e historisë letrare shqipe.

Në atë kohë nevoitej një inkuadrim, një periodizim i gjithë prodhimit letrar shqiptar, nga fillimi gjer në vitin 1940. Kjo duhej bërë me një studim të çdo autori në bazë të rëndësisë së veprimtarisë së tij kulturore-letrare në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit letrar të kohës së tij dhe në bazë të rëndësisë së veprës si prodhim letrar, për t’i caktuar vendin e drejtë që i përkiste. Duke patur këto synime, Resuli botoi studimin “Zhvillimi kulturor e letrar në Shqipëri nga shekulli XV-të në shekullin e XX-të”. Ky studim doli në një vëllim më vete botuar nga Ministria e Arsimit me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Mirëpo kjo temë u trajtua më vonë, në mënyrë më të plotë në studimin: “Për një ndarje metodike të prodhimit letrar shqiptar”, që doli në revistën “Shkolla Kombëtare” më 1937. Në të njëjtën kohë, Resuli i bëri të njohur publikut të gjerë mbarshqiptar, disa nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë, sidomos ata katolikë, duke vënë në dukje cilësitë e tyre të paçmueshme si autorë dhe patriotë, të cilët kishin mbetur gjer atëhere krejt në harresë për shkak të përmbatjes fetare të veprave të tyre.

Në vitin 1939, Resuli botoi një përmbledhje të poezive më të bukura të “Milosao”-s të De Radës. Atëhere të gjithë flisnin e bisedonin për poetin e madh arbëresh, por të paktët ishin ata që kishin mundur të lexonin qoftë edhe kryeveprën e tij, sepse veprat e De Radës nuk gjendeshin jo vetëm në bibliotekat italiane, por as në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Në vitin 1940 Resuli u ngarkua nga Ministria e Arsimit të hartonte një vepër në formë historie letrare dhe antologjie. Gjë të cilën ai e realizoi duke nxjerrë një vepër në dy vëllime (gjithsej 915 faqe), me titulln “Shkrimtarët shqiptarë”.

Në këtë vepër ai ftoi të merrnin pjesë edhe studiuesit e letrarët më të mirë të kohës, por introdukturat dhe ndarja e letërsisë shqipe në periudha të ndryshme, si dhe pjesa më e madhe e monografive të vëllimit të parë, ishin të Resulit. Në vitin 1940 kur u themelua në Tiranë Instituti i Studimeve Shqiptare (në shkallën e Akademisë), Namik Resuli ishte një nga anëtarët e atij Instituti, i cili u ngarkua që të përgatiste një botim të ri të “Meshar”-it të Buzukut.

Studimet për Naimin, Fishtën e Nolin

Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos ato të pasluftës ia ndërprenë Namik Resulit, qoftë edhe përkohësisht, veprimtarinë e tij shkencore dhe letrare. Por në vitin 1948, me themelimin e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Palermos, ai u ftua të bëjë pjesë si anëtar efektiv i tij, dhe aty ai paraqiti një studim mbi atdheun e origjinës së Buzukut.

Pas kësaj, Resuli paraqiti edhe studime të tjera, si: ”Rëndësia e dialekteve italo-shqiptare për studimin e historisë linguistike shqipe”, “Herezira në Mesharin e Buzukut”, “Zef Skiroi midis dy letërsive”, “Fytyra e Skënderbeut në poemën deradiane “Scanderbeccu i pafaan”, Kontributi i Misionarëve italianë për zhvillimin e kulturës shqiptare”, etj. Në vitin 1954 Resuli filloi të botojë në Torino revistën “Shpirti Shqiptar”. Më pas ai botoi dy vëllime të vogla “I piu antichi testi albanesi” dhe “Vocabolarietto di Arnold von Harff”, si dhe një studim në gjuhën shqipe me titullin “Naim Frashëri poeti i mirësisë”.

Në vitin 1958 Namik Resuli botoi integralisht “Meshar”-in e Gjon Buzukut, me një parathënie dhe me një pjesë kritike. Në tetor të vitit 1966, ai mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Shoqërisë Akademike Rumune, që u mbajt në Salamanca, me relacionin “Kronologjia e dialekteve shqiptare në lidhje me simbiozën shqiptaro-rumune”. Pas kësaj në vitin 1959, ai u ftua në Neë York në Seminarin Ndërkombëtar të Federatës Panshqiptare të Amerikës që e organizonte Shoqata “Vatra”.

Aty Resuli paraqiti relacionin “Aktualiteti i Naimit”, në të cilën sqaroi një këndvështrim gjer atëhere të lënë mbas dore, atë të anës religjioze të Naimit. Në vitin 1971 ai u ftua të përkujtonte poetin e madh françeskan, Gjergj Fishtën, në Ateneun Antonian të Romës, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes të poetit. Alokucioni i gjatë i Namikut, i mbajtur në gjuhën italiane, u botua pjesërisht i përkthyer në shqip në gazetën “Flamuri” dhe integralisht, në versionin shqip dhe anglisht, në gazetën “Dielli” në Boston. Mbi Fishtën ai ka pas mbajtur edhe një relacion, “Strutture nella poesia di Fishta”, në mbledhjen e VII të Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo.

Në vitin 1963, Namik Resuli botoi (në serinë “Letteratura Universale”) veprën “Storia della Lestteratura albanese” dhe “Antologia della letteratura albanese”. Në 1976, Resuli u ftua përsëri në Neë York nga Shoqëria “Vatra”, ku mbajti kumtesën “Faik Konica në njëqindvjetorin e lindjes”. Pas kësaj, në vitin 1982 ai u ftua përsëri nga “Vatra” në përkujtimet e Fan Stilian Nolit. Studimi i tij me titullin “Fan S. Noli sot”, që mbajti me rastin e njëqind-vjetorit të lindjes së Nolit, sikurse edhe ai mbi Faik Konicën, u botuan nga “Vatra” dhe përbëjnë një kontribut shumë të çmueshëm të Namik Resulit për njohjen e këtyre dy fytyrave të kombit shqiptar.

Në vitet e fundit të jetës, Namik Resuli kishte në shtyp një gramatikë shqipe, më e gjera dhe më e plota vepër e këtij lloji (gjithsej 620 faqe), të cilën ai u mundua ta nxirrte në qarkullim që me gjalljen e tij. Për këto shkrime Namik Resuli përmendet në të gjitha historitë e Letërsisë Shqipe, sikurse në atë të Gaetano Petrottës, të Maksimilian Lambertz-it, të Stuart Mann, si dhe në mes të shkrimtarëve shqiptarë që përmend revista “Arena” e P.E.N. Club. Me vdekjen e Namik Resulit, më 12 shtator të vitit 1984, historia e Letërsisë Shqipe, e sidomos shkenca e gjuhësisë shqiptare, humbi një nga elementët më të vyer që është vështirë të zëvendësohet.

Kush ishte Mahmut Cungu?

Mahmut Cungu u lind në qytetin e Elbasanit në 23 maj të vitit 1913, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e tij të lindjes, ai erdhi në Tiranë ku në vitin 1932 mbaroi me rezultate shumë të mira shkollën “Teknike” amerikane të Harry Fultz-it. Më pas ai shkoi në Turqi dhe në vitin 1940-të, përfundoi studimet në “Robert Kolexh” të Stambollit, ku mori dhe titullin Inxhinier. Në vitin 1943, Mahmut Cungu u kthye në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë tek i vëllai i tij, profesor Ali Cungu, (një nga përkthyesit më të famshëm të anglishtes të asaj kohë), u largua përsëri nga vëndlindja e tij dhe shkoi në Turqi.

Në vitin 1944, Mahmuti u martua me një vajzë nga fisi i njohur Xhixhi (Çoçoli) i Tiranës, e quajtur Hatixhe, e cila ishte mbesa e Baba Syrriut që shërbente në Teqenë Bektashiane të Kajros në Egjypt. Hatixheja kishte dhe tre vëllezër të tjerë, të quajtur Lumo, Arbnor dhe Ilir, të cilët vite më pas morën pjesë në Luftën e Vietnamit. Pasi Mahmut Cungu qëndroi disa kohë në Stamboll, ai u largua përsëri në disa vënde të Lindjes së Mesme, si Egjypt, Siri etj. Në këto shtete ai ushtroi profesionin e inxhinerit, duke punuar në ndërtime veprash të ndryshme me disa firma perendimore.

Në vitin 1961, ai u largua nga vendet e Lindjes së Mesme, ku punoi për afro 15-të vjet me rradhë dhe shkoi në SHBA-ës. Duke qenë se Cungu e njihte dhe zotëronte shumë mirë gjuhën angleze, ai menjëherë mori lejen e nevojshme të ushtrimit të profesionit duke dhënë provimet përkatëse. Pasi u vendos në SHBA, Mahmuti punoi për disa kohë në shtetet e Colorados dhe Arizonës, në profesionin e tij të inxhinierit, me disa firma të mëdha industriale. Më pas Mahmuti u kthye në qytetin e Neë Yorkut ku punoi si inxhiner në Bashkinë e atij qyteti dhe më pas për 15-vjet me rradhë ai punoi si kryeinxhiner civil në Nassau Conty, LI. Ndonëse qëndroi për afro 50-vjet me rradhë në mërgim në dhe të huaj, Mahmuti e fliste dhe e shkruante shumë bukur gjuhën shqipe. Ai ishte njeri me shumë humor dhe gjatë gjithë kohës që jetoi larg atdheut, i ruajti zakonet e traditat e vend-lindjes së tij.

Mahmut Cungu kundër komunistëve

Ndonëse ishte me profesion inxhinier, Mahmuti vazhdimisht u mor me përkthime të ndryshme nga anglishtja në shqip, duke botuar herë pas here në shtypin e shqiptarëve të diasporës. Ai kishte një dell poetik dhe liri shprehje në dy gjuhët në shqip dhe anglisht. Në atë kohë ai përktheu në gjuhën letrare kryeveprën e Naim Frashërit, “Bagëti e Bujqësi” që ishte filluar në Tiranë nga i vëllai i tij Ali Cungu.

Në vitin 1964, Mahmuti botoi në Egjypt një monografi prej afro gjashtëdhjetë faqesh, me titull “Demokraci apo Diktaturë”. Aty Mahmuti tregonte se si përkufizohej demokracia, duke vënë në rradhë të parë lirinë e fjalës, shtypit, besimit, lirinë e lëvizjes dhe zhdukjen e frikës. I gjithë ai libër ishte një “shuplakë” për regjimin komunist të Tiranës, ku jetonte e persekutuar familja e tij.

Në atë libër në mes të tjerash, ai shkruante: “Fatëkeqësia ashtë se ndonëse komunistët tanë flasin kaq tepër për të drejtat e Kombit, vetë interpretimi që ata i japin pamvarsisë, lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, asht ai që ia shmang popullit këto të drejta. Për komunistët, Pamvarësi Kombëtare don me thanë bashkim me popullin sllav (1946), Liri, e drejta e pamohueshme e tyne me mendue si ata, e jo si e drejta e atyne që mendojnë ndryshe. Drejtësi, me u vra e burgosë kundërshtarët e sistemit komunist, dhe, fundit, Demokraci, këta i thonë asaj forme qeverimi që dirigjohet prej një partie të vetme: Partisë Komuniste, prej së cilës del dhe parlamenti dhe Qeveria”.

Duke përkthyer Roza Luksemburgun, Mahmuti shkruante: “Liri që gëzohet vetëm nga përkrahësit e qeverisë, vetëm nga antarët e një partie, nuk asht liri. Lirija asht liri gjithmonë dhe vetëm atëhere kur ajo gëzohet dhe nga ai që mendon ndryshe. Jo prej ndonjë ideje fanatike të “Drejtësisë”, por sepse gjithshka e dobishme, e mirë, dhe dlirse buron nga kjo dhe randësia e saj zhduket kur liria bahet privilegj i një pale”.

Mahmuti gjithashtu në atë libër kritikonte diktaturën e komunistëve të maskuar nën petkun e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe nuk ngurronte të kritikonte edhe disa gabime nga koha e Monarkisë së Zogut, apo ajo e pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë. Në atë libër gjendej edhe një shtojcë ku ai tregonte me hollësira Mbledhjen e Mukjes që u mbajt në vjeshtën e vitit 1943, në mes të komunistëve, ballistëve dhe legalistëve, marrëveshje e cila u prish në mënyrë të njëanëshme nga Enver Hoxha, i shtyrë nga dy emisarëtr jugosllavë që qëndronin pranë tij.

Cungu, mik i presidentit Nikson

Mahmut Cungu në vitin 1976 konkuroi për postin e drejtuesit të Shoqatës “Vatra” dhe më pas ai u zgjodh edhe në funksionin e Kryetarit të Qëndrës Islame Shqiptare të Amerikës, ku u mundua të bënte një reformë të plotë dhe mirëadministrim të objekteve të kultit në SHBA. Më pas Mahmuti mori pjesë aktive në Partinë Republikane Amerikane, duke qenë me mandat të rregullt në disa prej kuvendeve të saj në Boston, Filadelfia, Ëuashington etj.

Gjatë asaj kohe ai u ftua edhe në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Nikson, i cili e falenderoi për kontributin e dhënë në Partinë Rebublikane. Pas një sëmundje të gjatë që ai e kishte marrë që në rininë e tij, Mahmut Cungu u nda nga jeta më 14 gusht të vitit 1983, në një spital universitar të Long Island të Neë Yorkut, ku përvç zonjës së tij, Xhixhit, dhe tre djemëve, iu gjendën pranë dhe shumë nga shokët, miqtë dhe personalitetet e tjera të diasporës shqiptare që jetonte në SHBA./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb