Publikohet historia e panjohur të Sami Binerit me origjinë nga fshati Fushë-Bardhë i Gjirokastrës, familja e të cilit gjatë periudhës së Luftës u angazhua e gjitha me Lëvizjen Antifashiste. Memorie.al shkruan se Samiu me pseudonimin e Luftës “Gjirokastra”, arriti deri komandant Batalioni në Brigadën e XII-të Sulmuese dhe në Kongresin e Përmetit, u gradua oficer me gradën e kapitenit, pasi kishte marrë pjesë në luftimet që kishin zhvilluar forcat partizane deri në Vishegrad, ku ai ishte plagosur dy herë.

Si filloi goditja ndaj Samiut pas vitit 1944, kur kushëriri i tij i parë, Kapiten Rrapo Bineri, ish-Shef i Shtatmadhorisë së forcave të Legalitetit, u largua nga Shqipëria së bashku me Abaz Kupin dhe eksponentë të tjerë nacionalistë. Si u arrestua dhe u burgos tetë herë Samiu nga viti 1946 deri në 1973, me akuza të ndryshme të karakterit politik dhe zhdukja misterioze e tij pas dënimit të fundit që edhe pse ishte akuzuar për “bixhoz”, u morr nga Sanatoriumi i Tiranës dhe u dërgua në burgun e Burrelit, ku dhe humbën gjurmët e tij. Dëshmia e rrallë e së bijës, Moza Bineri, për kalvarin e gjatë të gjyshes së saj, që kërkonte të birin nëpër burgjet e regjimit komunist dhe fjalët që i tha asaj ministri i Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, kur i doli para makinës së tij, si dhe më pas, zëvëndësi i tij, Feçor Shehu.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Gjatë viteve të Luftës e gjithë familja e babait tim Sami Binerit, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe Samiu vetë arriti deri në komandant i Batalionit të 3-të në Brigadën e 12 Sulmuese, i titulluar oficer me gradën e Kapitenit që në Kongresin e Përmetit në 24 majin e 1944-ës. Ai e kishte pseudonimin e Luftës “Gjirokastra” dhe ka qenë pjesmarrës në shumë betja deri në Vishegrad të Jugosllavisë ku u plagos dy herë. Por dy vjet pas çlirimit filloi goditja ndaj tij dhe ai u dënua disa herë duke hyrë e dalë nëpër burgje, deri sa në vitin 1973 atë e arrestuan dhe ne nuk e pamë më as të gjallë dhe as të vdekur”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Moza Bineri, e cila rrëfen për herë të parë rreth zhdukjes misterioze nga Sigurimi i Shtetit, të babait të saj Sami Binerit, një nga ish-partizanët më të dëgjuar të zonës së Gjirokastrës.

Po kush ishte Sami Bineri dhe cila është e kaluara e tij? Përse u lirua ai nga ushtria në vitin 1946 dhe cilat ishin arsyet e degradimit të tij? Si u dënua Sami Bineri shtatë herë dhe cilat ishin arsyet që ai i thoshte shokut të tij të Luftës, zv / ministrit të Brendshëm, gjeneral-major Halim Xhelos, që nuk do pranonte asnjë lloj detyre apo pune nga ai regjim?! Përse u riarrestua Sami Bineri në vitin 1973, cilat ishin rrethant e zhdukjes misterioze të tij nga Sanatoriumi i Tiranës dhe përse u dërgua ai në burgun e Burrelit në vitin 1974, ku dhe humbën përfundimisht gjurmët e tij? A ka lidhje zhdukja miserioze e Sami Binerit me dëshmitë e Avdul Banushit të dhëna publikisht në shtyp, ku ai tregonte se: bashkë me grupin e tij prej pesë vetësh që kishin ardhur me mision nga SHBA-ja në vitet 1973-74, është strehuar disa herë në shtëpinë e Sami Binerit tek bodrumet e “Shallvareve”?!

Sami Bineri, komandant partizan
Sami Bineri u lind në shkurtin e vitit 1925 në fshatin Fushë-Bardhë të Gjirokastrës, prej nga është dhe origjina e asaj familje tepër të njohur në atë krahinë. Familja e Samiut, përbëhej nga babai i tij, Lulo Bineri, nëna Safoja, tre vëllezërit Selimi, Dalani, Hiqmeti dhe motra Merushja. Gjatë viteve të Luftës, e gjithë familja Bineri u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe shtëpia e tyre si në fshatin Fushë-Bardhë, ashtu dhe në qytetin e gurtë të Gjirokastrës ku ata u vendosën më pas, u bë një nga bazat më të fuqishte ku strehoeshin ilegalë dhe partizanë. Samiu së bashku me vëllanë e tjetër Selimin, dolën partizanë që me krijimin e çetave të para në Qarkun e Gjirokastrës. Samiu si fillim u inkuadrua në Çetën “Plakë” të Vlorës, ku u bë një nga partizanët më me emër dhe për meritat që tregoi në luftimet e zhvilluara, ai u caktua Komandant i Batalionit të Tretë, në Brigadën e 12 Sulmuese. Po kështu ai mori pjesë si delegat në Kongresin e Përmetit në 24-majin e vitit 1944, ku u titullua oficer dhe i’u dha grada e kapitenit. Gjatë viteve të Luftës, Sami Bineri me pseudonimin “Gjirokastra”, mori pjesë në shumë beteja, ku dhe u plagos dy herë. Lidhur aktivitetin e Sami Binerit gjatë periudhës së Luftës, kanë dhënë dëshmitë e tyre edhe ish-ushtarakët-kuadro e veteranët të Luftës, si: Xhemal Shehu, Luto Haxhiu e Ymer Veshi, të cilët midis të tjerash tregojnë: “Samiu ka qenë pjesmarrës aktiv i Luftës Nacionalçlirimtare, partizan trim e i vendosur i orëve të para dhe për meritat e veçanta që ai tregoi gjatë Luftës, u rrit në përgjegjësi duke u caktuar deri në funksionin e Komandantit të Batalionit të Tretë në Brigadën e 12-të Sulmuese”. Për aktivitetin e Sami Binerit gjatë viteve të Luftës, kanë dhënë kujtimet e tyre edhe veteranët Cane Rama dhe Kristaq Haxhimihali, të cilët midis të tjerash kanë shkruar: “Në sulmin e parë mbi kazermat e Drashovicës, u hodhën mbi telat me gjemba djemtë luanë: Halim Xhelo, Kastriot Muço, Sami Bineri (“Gjirokastra”) Asllan Gjika, Fadil Dauti, Mahmut Myftiu, Hasan Kushta etj”. (Revista “Mbrojtja” Nr 12. Viti 2000, fq. 82) Kurse gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, familja Bineri humbi pa asnjë gjurmë në burgun e Kaçanikut, njërin nga djemtë e saj, Dalanin, vëllai i Samiut.

Fillimi i goditjes ndaj Samiut në 1946-ën
Ndonëse Sami Bineri kishte qenë një nga partizanët e njohur dhe kuadrot e Luftës, ai u godit nga regjimi komunist që në vitin 1946 dhe arsyeja kryesore e goditjes së tij, ishte ana biografike e rrethit të tij familjar, pasi një nga kushërinjt e parë të Samiut, i quajtur Rrapo Bineri, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë dhe kishte shërbyer si oficer i Monarkisë së Zogut, ishte arratisur nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, pasi kishte marrë pjesë si Shef-Shtabi i forcave të Legalitetit në periudhën e Luftës. Kjo gjë ishte më se e “mjaftueshme” për regjimin komunist, që Sami Binerit, jo vetëm t’ i mohoeshin të gjitha meritat e Luftës, por dhe të çmobilizohej e të dënohej me burg. Lidhur me këtë, e bija e tij, Moza Bineri dëshmon: “Që nga viti 1947 e deri në vitin 1973, babai im Sami Bineri është dënuar tetë herë me vendime gjykatash, duke hyrë e dalë nëpër burgje. Arsyeja e vërtetë e goditjes së tij ishte ana biografike e rrethit tonë familjar, ndërsa në akuzat e montuara që i bëheshin, shkruheshin gjëra nga më të çuditshmet, si: “largim pa leje nga shkolla”, “abuzim me pasurinë socialiste”, “agjitacion e propaganda”, “luajtje bixhozi” etj., etj. Të gjitha këto akuza që i bëheshin babait tone, kishin si synim të vetëm degradimin e tij, sepse pasi e arrestonin, e mbanin në hetuesi, e nxirrnin në gjyq ku ai merrte pafajësinë dhe përsëri e arrestonin dhe e dënonin me burg”, dëshmon Moza Bineri, lidhur me fillimin e goditjes së babait të saj Samiut, që në vitin 1946 dhe kalvarin e mëpasëshëm të dënimeve të tij.

Dënohet 8-vjet burg në 1965-ën
Që nga viti 1946 kur Sami Bineri u dënua për herë të parë me burg, ai u dënua edhe shtatë herë të tjera, duke hyrë e dalë nëpër burgje, deri sa në vitin 1973, hyri dhe nuk doli më i gjallë që andej. Lidhur me dënimet e Samiut, i vëlllai i tij, Selim Bineri, dëshmonte: “Që kur u godit në 1946-ën për problemet e biografisë të rrethit tonë familjar, Samiu filloi pakënaqësitë ndaj regjimit komunist, dhe sa ishte gjallë nuk e deshi më atë regjim. Si rezultat i bindjeve të tij, në vitin 1951, ai u dënua me tre vjet burg nën akuzën e “agjitacionit e propagandës”. Edhe pasi doli nga burgu, ai fliste fare hapur me shumë nga shokët e tij të Luftës dhe në shënjë urrejtje për regjimin komunist, Samiu bëri dhe martesën e tij me Luluka Qeskën, vajzën e Bektash Beut të Sarandës, kur dihej shumë mirë nga të gjithë se ai ishte i shpallur si “armik i pushtetit popullor”. Shumë nga shokët e Luftës të Samiut, donin ta ndihmonin atë, por ai nuk pranonte dhe i’u fliste atyre hapur atyre kundër regjimit komunist dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Një nga ata shokë të Luftës që e ka dashur shumë Samiun, ka qenë edhe zv / ministri i Brendshëm, gjeneral-major, Halim Xhelo, i cili vinte shpesh për ta takuar dhe i thoshte: Sami gjej një punë ku të dush dhe më thuaj të të ndihmoj. Por Samiu nuk pranonte kurrsesi dhe i thoshte: Halim, unë nuk pranoj asnjë punë nga këta”, kujton Selim Bineri, lidhur me vëllanë e tij Samiun, i cili fliste hapur kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës. Si rezultat i kësaj, Sami Bineri u arrestua në vitin 1965 dhe me vendimin Nr.25, datë 29.4.1965, të Gjykatës së Qarkut Tiranë, u dënua me tetë vjet heqje lirie. Pasi u lirua në vitin 1972, një vit më vonë ai u riarrestua përsëri me akuzën e “luajtjes së bixhozit” dhe u dënua me tre vjet burg.

Zhdukja pa gjurmë në 1974-ën
Po ndërsa Sami Bineri ishte dënuar me tre vjet burg për “luajtje bixhozi” dhe vuante dënimin në burgun e Tiranës, (Reparti 313), ai u dërgua për kurim në Sanatoriumin e Tiranës, ku dhe humbën përfundimisht gjurmët e tij. Lidhur me këtë vajza e tij, Moza Bineri dëshmon: “Ndërsa babai vuante dënimin me burg dhe ishte i shtruar në Sanatoriumin e Tiranës, atë shkuan dhe e morën që aty dhe e dërguan në burgun e Burrelit. Transferimin e tij në atë burg, familja jonë e mësoi nga Drejtori i Sanatoriumit, i cili i dëshmoi nënosë sonë Safos, se të birin e saj, Samiun, e kishin dërguar në Burgun e Burrelit. Në atë kohë që e morën nga Sanatoriumi dhe e dërguan në burgun e Burrelit, ne u habitëm sepse në atë burg, vuanin dënimin të burgosurit politik, ndërsa babai ishte dënuar për bixhoz. Nisur nga kjo gjë, gjyshja jonë Safua, më mori mua për dore dhe shkuam afër vilës së Kadri Hazbiut, tek “Rruga e Elbasani”t dhe i dolëm atij para makinës, ndërsa ishte duke dalë nga shtëpia. Kadriu doli nga makina dhe na takoi, e kur nënoja i tha se: ‘ku e kam djalin Samiun’, ai i’u përgjigj: ‘Nëno, mblidh fëmijët, se ti je trimëreshë, lëre punën e Samiut’. Pas kësaj, ne shkuam dhe takuam zv / ministrin e Brendshëm Feçor Shehu, i cili na tha se: përgjigjien për Sami Binerin, do ta merrnim nga Kuvendi Popullor. Edhe pas përgjigjies së Feçor Shehut, ne vazhdonim të kërkonim rreth fatit të babait dhe shkuam në Drejtorinë e Brendshme të Tiranës, ku na thanë se: për Sami Binerin duhet të shkonim në burgun e Burrelit. Kur shkuam në Burrel, unë prita tek dera e burgut, kurse gjyshen e thirrën tek oficeri i rojes, ku i komunikun se: ‘Samiu ishte pushkatuar’ dhe i dhanë rrobat e tij. Gjyshja doli menjëherë dhe kur erdhi tek mua që prisja jashtë, nuk më tregoi se ai ishte pushkatuar, por më tha se: nuk do e takonim dot babanë, pasi e kishin shpënë në një burg tjetër. Ne vazhduam të kërkonim përsëri por asnjëherë nuk morëm asnjë përgjigjie zyrtare rreth të vërtetës, se pse ishte pushkatuar babai ynë. Pas ekzekutimit të babait, familja jonë i’u nënshtrua persekucionit dhe ne fëmijët e tij u privuam nga shumë të drejta që na takonin. Po kështu, ajo që më vrau më shumë mua shpirtërisht, ishte vendimi që morën në atë kohë Kadri Hazbiu me Ali Vukatanën, të cilët e detyruan burrin tim oficer, i cili më divorcoi mua në moshën 17-vjeçare kur isha dhe shtatëzanë”, kujton Moza Bineri, rreth zhdukjes misterioze të babait të saj Sami Binerit dhe persekucionin që i ndoqi më pas fëmijët i tij të cilët as sot e kësaj dite nuk ia kanë gjetur dot eshtrat babait të tyre.

Misteri i zhdukjes së Sami Binerit
Siç del dhe nga dëshmitë e vajzës së Sami Binerit dhe nga dokumentet arkivore që ajo disponon të nxjerra nga arkivat pas viteve ‘90-të, Sami Bineri është marrë nga Sanatoriumi i Tiranës ku vuante dënimin për “bixhoz” dhe është çuar në burgun e Burrelit, ku dhe është ekzekutuar. Në vendimin e dënimit të Sami Binerit thuhet: “Me vendim nr. 124 dt. 14.4.1973, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, Sami Bineri është deklaruar fajtor për krimin e luajtjes së bixhozit dhe mbajtje lokali për bixhoz dhe në bazë të nenit 285 / II e 285 / I të K. P. e 48 të K. P. është dënuar me tre vjet heqje lirie. Ndërsa Samiu ka qenë duke vuajtur këtë dënim në spitalin e burgut, (Sanatoriumi i Tiranës), ai është dërguar në burgun e Burrelit ku në vendimin e ekzekutimit të tij thuhet: “Me vendim nr. 11. Dt. 2.3.1974 të Gjykatës së rrethit Mat, Sami Bineri është deklaruar fajtor për krimin e vjedhjes së pasurisë socialiste dhe në bazë të nenit 80 / 1 të K.P. është dënuar me vdekje”. Këto dy vendime janë tepër kontradiktore me njëri tjetrin, sepse ndërsa Samiu ka qenë duke vuajtur dënimin me burg për bixhoz, është riarrestuar dhe është dënuar me vdekje për krimin e “vjedhjes së pasurisë socialiste”. Dënimi i Sami Binerit me vdekje lë shkas për shumë dyshime, të cilat kanë të bëjnë me dëshmitë e Avdul Hakan Banushit, (me origjinë nga Golemi i Gjirokatrës) i cili pasi ishte arratisur nga Shqipëria në vitet ’50-të dhe kishte qëndruar në SHBA-ës, duke u vënë në shërbim të CIA-s, u arrestua në shtatë prillin e vitit 1975, diku në afërsi të klonit në zonën kufitare të Hanit të Hotit, teksa tentonte të hynte ilegalisht me një mision sekret në Shqipëri. (Arrestimi i Banushit u bë pas një gracke të ngritur nga ministri i Punëve të Brendëshme Kadri Hazbiu, me anë të disa njerëzve të Sigurimit të Shtetit që i solli nga SHBA-ës). Nga disa dokumente arkivore si dhe nga dëshmitë e Avdul Banushit të publikuara në disa numra te “Gazeta Shqiptare” (15 deri 20 korrik 2020), ai kishte deponuar gjatë procesit hetimor, se “gjatë vitit 1974-’75, kur kishte hyrë disa herë ilegalisht në Shqipëri, madje duke ardhur deri në Tiranë me mision sekret për të vrarë Enver Hoxhën, bashkë me grupin e tij, ishin strehuar tek shtëpia e Sami Binerit në një apartament tek pallatet e “Shallvareve” në qëndër të Tiranës”.

E pyetur rreth kësaj, Moza Bineri dëshmon: “Unë nuk mund të them ndonjë gjë të saktë rreth kësaj, sepse në atë kohë kam qenë e vogël, por di se në shtëpinë tonë vinin disa njerëz për të cilët, nënoja Safoja, na thoshte se ishin miq nga fshati. Ndërsa, vëllai i Samiut, Selim Bineri dëshmon: “Unë në atë kohë kam punuar shofer dhe largohesha me ditë të tëra nga shtëpia jonë tek “Shallavaret”, sepse bëja rrugë të gjata. Por mbaj mënd se Avdul Banushi ka ardhur në atë kohë në shtëpinë tonë i maskuar me një kasketë në kokë dhe pasi ka biseduar me nënën tonë Safon, është larguar pa hyrë brenda. Them se Avdul Banushin dhe grupin e tij në atë kohë, tek ne duhet t’ i ketë strehuar nëna jonë Safoja”. Siç del edhe nga këto dëshmi, zhdukja pa asnjë gjurmë Sami Binerit në vitin 1974, hedh hije dyshimi se: ai është ekzekutuar për arsye se Sigurimi i Shtetit ka pasur të dhëna e dyshonte se në shtëpinë e tij ishin strehuar agjentë që vinin nga jashtë. Por lidhur me këto, një nga ish-kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit, (që preferon të mbetet anonim), dëshmon se ngjarja me Avdul Banushin ka qenë e kurdisur nga segmente të veçanta të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, për të fituar lavdi dhe për t’u dukur para udhëheqjes së Ministrisë së Brendëshme dhe Enver Hoxhës, sikur ata “i’a kishin shpëtuar jetën udhëheqësit kryesor të Partisë, duke zbuluar dhe neutralizuar agjentin e CIA-s, Avdul Banushin, që kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri me mision për të vrarë me atentat Enver Hoxhën, gjatë paradës së madhe të 28 nëntorit me rastin e 30 vjetorit të çlirimit, kur ai do dilte në tribunën e udhëheqjes, e cila brenda natës u spostua nga sheshi para Hotel “Dajti”, për tek kryeministria”. Dhe viktimë e këtyre makinacioneve që inskenonte asokohe Sigurimi i Shtetit, ka mbetur edhe Sami Bineri, të cilin e kanë ekzekutuar si “strehues të agjenturës së huaj”, për të humbur gjurmët./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: