Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe të dhimbëshme të Mit’hat Qelës me origjinë nga Kavaja, i cili pasi u rrit në Strehën Vorfnore të Tiranës, mbaroi me rezultate të larta gjimnazin klasik të Shkodrës në Konviktin “Malet tona” dhe fitoi një bursë shtetërore nga qeveria e asaj kohe, për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Pizas në Itali, të cilat i ndërpreu pas një viti dhe shkoi për t’i vazhduar ato në Vjenë, duke ndjekur Fakultetin Politeknik, në degën e Hidroteknikës. Ndërprerja e studimeve në vitin 1947 dhe kthimi në Shqipëri, ku pasi punoi disa kohë si shef-plani në një nga ndërrmarjet e qytetit të Durrësit ku ishte vendosur asokohe familja e tij, e larguan nga puna, pasi u martua me të bijën e ish-ministrit të Zogut, Javer bej Hurshiti, që ishte pushkatuar në Gjyqin Special në marsin e 1945-ës, dhe s’pranoi të ndahej prej saj, edhe pas shumë presioneve që i’u bënë atij. Dëshmia e bashkëshortes, për Mit’hat Qelën të cilëin e nxorrën përpara Gjyqit Ushtarak në Tiranë, duke e akuzuar se kishte quajtur Stalinin: ‘Diktatori më i madh që kishte parë njerzimi’ dhe ai s’pranoi ta mohonte atë që kishte thënë, nga ku do lirohej nga salla e gjyqit, duke u dënuar me 10 vite burg politik, të cilat i vuajti që nga këneta e Maliqit, e në të gjitha kampet e tjera që ishin hapur asokohe në Shqipëri dhe pas lirimit nga burgu punoi si bojaxhi në Komunale.

“Pasi ndoqi për një vit studimet në Universitetin e Pizës në Itali, Mit’hati i ndërpreu ato dhe shkoi në Vjenë ku u regjistrua në Fakultetin Politeknik në degën e Hidroteknikës. Në vitin 1947, kur ai ishte në vitin e fundit të fakultetit dhe i kishte ngelur vetëm mbrojtja e diplomës, Mit’hati i ndërpreu përsëri studimet dhe u kthye në Shqipëri. Teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kazermat e Ali Rizait në Tiranë, atë e arrestuan së bashku me katër shokë të tjerë, në një kohë që i kishin mbetur vetëm pak muaj për t’u liruar. Mbasi e mbajtën për afro një vit në hetuesi, Mit’hati u nxuarr para Gjyqit Ushtarak që u zhvillua në Tiranë, ku atë e akuzua se kishte thënë: Stalini është diktatori më i madh që ka parë njerzimi”. Kështu shprehej, Ihshan Hurshiti Qela, e bija e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës së Tiranë gjatë viteve të pushtimit fashist, Mehmet Hurshitit, duke na rrëfyer historinë tragjike të bashkëshortit të saj, Mit’hat Qelës, që la auditorët e Universitetit të Vjenës dhe përfundoi në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kush ishte Mit’hat Qela, cila ishte e kaluara e familjes së tij dhe ku studjoi ai? Cili ishte qëndrimi që ai mbajti gjatë viteve të pushtimit fashist dhe përse ai nuk u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe Partinë Komuniste, ashtu siç u lidh dhe familja e tij?! Si mundi ai që të siguronte të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Itali dhe Austri në një kohë që ishte rritur në Strehën Vorfnore në Tiranë? Cilat ishin bindjet e tija politike që e detyruan atë të deklaronte në gjyq se: ‘kishte bërë gabim që ishte kthyer në Shqipëri dhe se Stalini ishte një nga diktatorët më të mëdhej që kishte parë njerzimi’?! Sa u dënua ai nga Gjykata Ushtarake e Tiranës dhe kush ishin njerzit që i’u gjetën pranë në kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgjet e regjimit komunis? Lidhur me këto e ngjarje të tjera nga jeta tragjike e intelektualit kavajas Mit’hat Qela, që studjoi në Itali dhe Austri, na njeh dëshmia e bashkëshortes së tij, Ihshan Hurshiti Qela, e cila që nga vdekja e të shoqit, jetoi krejt e vetme, duke ngrysur ditët e saj me kujtimet e një jete plot vuajtje dhe peripecira që i erdhën edhe për shkak të familjes së saj, pas pushkatimit të gjyshit në Gjyqin Special në pranverën e vitit 1945, i akuzuar si “armik i popullit”, pasi që nga viti 1912 e deri në 1944-ën kur u arrestua, ai kishte mbajtur një sërë postesh dhe funksionesh të larta, si” kryetar Bashkie në Gjirokastër, deputet, ministër, prefekt, anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit etj.

Në shtëpinë Ihshan Hurshitit

Diku në fundin e një rrugice pa krye jo shumë larg në drejtimin lindor të Sheshit “Avni Rustemi”, e rrethuar nga disa shtëpi të vjetra tiranase, afro 20 vite të shkuara, jeton krejt e vetme 74-vjeçarja Ihshan Hurshiti, në një banesë të vjetër që i’a kishte dhuruar e motra e saj, që kishte ikur pas fëmijëve në Itali. E lindur në qytetin e gurtë të Gjirokastrës në vitin 1929, Ihshani, apo Shano, siç e thërrisnin ndryshe të afërmit e saj që e vizitonin gjithnjë e më rrallë, kishte ardhur në Tiranë kur nuk ishte më shumë se një vjeçe, pasi babai i saj, Mehmet Hurshiti, ndoqi pas të jatin, Javer Bej Hurshitin, Kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, që u zgjodh deputet i Parlamentit Shqiptar. Në atë shtëpi ajo jetonte që nga viti 1997, kur jashtë dëshirës së saj, la qytetin e Durrësit dhe shtëpinë që akoma ndodhej e boshatisur në afërsi të Torrës së Kalasë mijravjeçare, ku kishte jetur prej më shumë se 25 vjetësh me bashkëshortin e saj, intelektualin kavajas, Mit’hat Qelën. “Nuk desha kurrsesi që të largohesha nga ajo shtëpi, ku kisha banuar prej më shumë se një çerek shekulli bashkë me Mit’hatin. Aty në atë shtëpi të vjetër e cila kishte shërbyer si magazinë dhe ne na e kishin adaptuar për banesë, më vdiq burri dhe nuk kishte asnjë arsye që unë të ikja që andej. Por aty nga viti 1977, pronari i saj P. J., më largoi që andje edhe pse i’u luta që t’ja blija atë shtëpi, ku kisha kaluar një pjesë të jetës dhe ruaja plot kujtime”, shprehej Ihshani, duke kujtuar me nostalgji banesën e vjetër në qytetin e Durrësit, fare pranë bregut të detit, ku ajo kishte kaluar një pjesë të jetës së saj, nga ku e përzunë përdhunisht. Në atë shtëpi ku ajo banonte, të cilën i’a ka lëshuar e motra, Ihshani thoshte se i dukej vetja tamam si në internim, ku ajo ka qëndruar me babanë e nënën e saj, në periudhën që bashkëshorti, Mit’hati, ishte në burg. Asokohe kur kishin kaluar më shumë se shtatëmbëdhjet vite nga vdekja e të shoqit, Ihshani i ngryste ditët krejt e vetme në atë shtëpi të vjetër tiranase, që duket se do të shembej nga çasti në çast, duke sjell në kujtesë vitet e kaluara të jetës së saj plot peripecira dhe duke shfletuar albumin ku kishte ngjitur me kujdes fotografitë, që kishte dalë bashkë me Mit’hatin, të cilat i ruante si gjërat më të shtrenjta në këtë jetë.

Kush ishte Mit’hat Qela?

Mit’hat Qela u lind në qytetin e Kavajës në vitin 1922, në një familje shumë të varfër në lagjen Sharrë të atij qyteti. Babai i tij, Idrizi, që gjatë viteve të Monarkisë punoi për shumë kohë si korrier i Nënprefekturës në qytetin e Kavajës, përveç Mit’hatit, kishte dhe pesë fëmijë të tjerë: Avdullain, Qazimin, Rexhepin, Bukurien, dhe Nerin. Nisur nga gjendja e vështirë ekonomike e familjes Qela, Mit’hati u dërgua dhe u rrit në Strehën Vorfnore të qytetit të Tiranës. Ndonëse Mit’hati u rrit në Jetimore dhe larg kujdesit të familjes, ai u shqua në mësime dhe pasi ndoqi për dy vite Liceun e Tiranës, ai u dërgua me një bursë shtetërore në Konviktin “Malet Tona”, pranë Gjimnazit Klasik të qytetit të Shkodrës. Lidhur me këtë, Ihshani dëshmonte: “Në atë gjimnaz, ku Mit’hati shkoi së bashku me shokun e tij të ngushtë të Jetimores, Isa Sejdinin, (nga Golloborda), ai u dallua përsëri në mësime dhe e përfundoi atë me rezultate të larta në vitin 1940. Pas kësaj, Mit’hati fitoi një bursë shtetërore nga qeveria e asaj kohe, për të ndjekur studimet e larta në Itali. Nisur nga kjo, në vitin 1941, pasi u përshëndet me njerzit e familjes në Kavajë, Mit’hati së bashku me shokun e tij të Jetimores, Isa Sejdinin, u nisën për në Itali ku u regjistruan dhe filluan studimet në Universitetin e qytetit të Pizas. Gjatë asaj kohe që Mit’hati vazhdonte studimet e larta në Itali, familja e tij në Kavajë u lidh e gjitha me Luftën dhe njëri nga vëllezërit e tij, Qazimi, u bë një nga eksponentët më të njohur të Lëvizjes Antifashiste të atij qyteti”, kujtonte Ihshani, për bashkëshortin e saj Mit’hatin, që pasi ishte rritur në Strehën Vorfnore të Tiranës, mbaroi me rezultate të larta Gjimnazin Klasik të Shkodrës dhe fitoi një bursë shtetërore për të ndjekur studimet e larta në Itali.

Nga Vjena në Shqipëri

Studenti kavajas Mit’hat Qela, pasi mbaroi vitin e parë të Universitetit të Pizas, i ndërpreu studimet dhe u kthye në Shqipëri. Lidhur me këtë, Ihshani dëshmonte: “Pasi studjoi për një vit në Itali, Mit’hati u kthye në Shqipëri dhe pasi qëndroi disa muaj pranë familjes së tij në Kavajë, në shtatorin e vitit 1942, ai u nis përsëri për të ndjekur studimet e larta në Vjenë. Në kryeqytetin austriak, Mit’hati shkoi përsëri së bashku me shokun e tij, Isa Sejdinin dhe të dy u regjistruan në Fakultetin Politeknik, në degën e Hidroteknikës. Në atë universitet, Mit’hati studjoi deri në vitin 1947, dhe kur kishte mbaruar tre vite e gjysëm të fakultetit, ai i ndërpreu përsëri studimet dhe u kthye në Shqipëri. Duke qenë se në atë kohë kishte shumë nevojë për kuadro të shkolluar dhe nisur nga fakti se familja e Mit’hatit kishte qenë e lidhur ngushtë me Luftën, atë e caktuan që të punonte si Shef-Plani në Ndërmarrjen e Bimëve Industriale në qytetin e Durrësit. Gjatë asaj kohë që ai punonte në atë ndërmarrje, u njoha dhe unë për herë të parë me Mit’hatin. Që në fillim të njohjes sonë, ndaj Mit’hatit filluan presionet e njerëzve të pushtetit, të cilët i thonin atij që të mos martohej me mua, duke i kujtuar biografinë time: me babanë në burg dhe gjyshin e pushkatur në Gjyqin Special, në marsin e 1945-ës. Ai jo vetëm që nuk ua vuri veshin presioneve të shumta që i’u bënë në atë kohë në lidhje me biografinë time, por m’i tregonte të gjitha mua duke u shprehur me nevri për ato çka i thoshnin. Ndonëse Mit’hati rridhte nga një familje e varfër dhe që nuk ishte e prekur nga reformat e shtetëzimet që kishte bërë qeveria e asaj kohe ashtu si familja ime, ai kishte bindje të djathta antikomuniste dhe nuk kishte asnjë lloj simpatie për komunistët që kishin ardhur në pushtet në nëntorin e 1944-ës. Që në fillimet e njohjes sonë, ai më fliste me nostalgji për vitet që kishte kaluar në Itali e Austri dhe nuk e donte fare regjimin komunist”, kujtonte Ihshani, për njohjen e saj të parë me Mit’hat Qelën.

Dënimi: 12 vite burg

Duke qenë se ishte i shkolluar në Perëndim dhe me bindje të djathta, të cilat nuk nguronte t’i shprehte haptazi në rrethin e ngushtë shoqëror, intelektuali Mit’hat Qela në atë kohë u vë menjëherë nën survejimin e Sigurimit të Shtetit. Lidhur me këtë Ihshani kujtonte: “Duke parë qëndrimin e Mit’hatit dhe faktin që ai nuk pranoi ta prishte fejesën me mua, atë e hoqën nga puna si Shef Plani dhe gjatë gjithë asaj kohe, ai u vë në shënjestër të njerëzve të pushtetit. Pas gjashtë muajsh nga koha kur ishte pushuar nga puna, Mit’hatin e morrën për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në kazermat e Ali Rizait në Tiranë. Mbasi kishte kryer më shumë se një vit e gjysëm të shërbimit ushtarak, Mit’hati u arrestua së bashku me katër shokë të tij ushtarë, të akuzuar se kishin bërë propagandë kundër pushtetit popullor. E gjitha kjo kishte ardhur pasi Mit’hati ishte shprehur haptazi një oficeri të tij, duke i thënë se: ‘Stalini ishte një nga diktatorët më të mëdhenj që kishte parë njerzimi’. Pasi e mbajtën për afro një vit në hetuesi, Mit’hati së bashku me katër shokët e tij ushtarë, u nxuarrën para Gjyqit Ushtarak në Tiranë, ku përveç asaj që kishte thënë për Stalinin, ai u akuzua se kishte folur keq edhe ndaj Partive motra të vëndeve të Demokracive Popullore të Lindjes. Në atë kohë që ai kishte mbaruar hetuesinë, familja e tij bëri çmos që ai të lirohej dhe u ra dakort me Gjykatën që ai të shfajsohej nga ajo akuzë, në rast se do të pranonte se kishte folur për Stalinin në gjendje jo normale dhe i pirë. Por gjatë senacave të gjyqit, Mit’hati, jo vetëm që nuk pranoi që ta mohonte atë që ai kishte thënë për Stalinin, por ai u shpreh aty se kishte bërë gabim që ishte kthyer në Shqipëri, në një kohë që e dinte se këtu ishte vendosur regjimi komunist. Duke u nisur nga kjo, ai u dënua me 10 vite burg politik”, dëshmonte Ihshan Hurshiti, lidhur bashkëshortin e saj Mit’hat Qelën, i cili u dënua në fundin e vitit 1949, për bindjet e tij antikomuniste dhe atë që kishte thënë për Stalinin, që e kishte quajtur “një nga diktatorët më të mëdhenj që kishte parë njerzimi”.

Kalvari i vuajtjeve

Pas dënimit me dhjetë vite burg politik, Mit’hat Qela u dërgua për të vuajtur dënimin në kampet e punës së detyruar në kënetën e Maliqit dhe disa kampe të tjera që ishin hapur në atë kohë pothuaj në të gjitha rrethet e vëndit. Lidhur me këtë, Ihshani kujtonte: “Në atë kohë që u dënua Mit’hati, familja e tij që nuk kishte probleme me regjimin, nuk donte që unë të largohesha prej tyre. Por, për të mos i lënduar më tepër, unë u ktheva pranë familjes sime në Tiranë, duke jetuar me nënën time, pasi babai Mehmeti ishte në burg. Aty nga viti 1953, pas vdekjes së Stalinit, nënën time e dërguan në kampin e internimit të Tepelenës, kurse mua me pjesën tjetër të familjes, më dërguan në Fabrikën e Tullave në Kamëz, ku punonim me tre turne si të internuar që ishim. Gjatë viteve që Mit’hati vuante dënimin nëpër kampe dhe burgje, përveç meje që e ndoqa kudo me aq mundësi sa kisha, ai pati dhe një përkrahje të madhe nga familja e tij dhe sidomos vëllezërit: Qazimi, Rexhepi dhe Avdullai, të cilët nuk e braktisën asnjëherë, ndonëse kishin shumë presione nga regjimi komunist. Mit’hati u lirua nga burgu në vitin 1956 dhe ne u bashkuam përsëri në qytetin e Durrësit, ku familja e tij na lirojë një dhomë. Pas lirimit nga burgu, Mit’hatin e dërguan të punonte në Hekurudhë, si shinashtrues dhe më pas e hoqën edhe prej aty dhe e dërguan si bojaxhi në Komunale, ku ai punoi deri sa doli në pension në 1982-in. Gjatë viteve të fundit të punës, ai jepte mësime private për të fituar ndonjë lek, nga ata që kërkonin për të mësuar gjuhët e huaja, pasi ai njihte shumë mirë gjermanishten, italishten, frengjishten dhe anglishten”, e përfundonte rrëfimin e saj Ihshan Hurshti Qela, për bashkëshortin e saj, Mit’hat Qelën, intelektualin nga Kavaja, i cili vuajti në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës vetëm për bindjet e tija antikomuniste, të formuara gjatë studimeve në Itali dhe Austri./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb