Vrasja e të birit nuk është akti i vetëm i tmerrshëm i babait nga fshati Karaqevë e Komunës së Kamenicës në Kosovë. Vite më parë 60-vjeçari, Gani Bernjashi i cili mbrëmë vrau djalin e vetëm duke e rrahur keq, si dhe rrahu vajzën e tij 17 vjeçe, kreu edhe një krim tjetër të tmerrshëm, po aq të tmerrshëm sa ky sot, shkruan Gazeta Express.

Ganiu në vitin 1997 dhunoi një vajzë të mitur 12-vjeçare në Prishtinë. Për këtë akt të tmerrshëm ai vuajti dënim me burg deri në vitin 2004.

Këto të dhëna i ka dhënë për Express, Prokurori i krimeve të rënda në Gjilan i cili po merret me rastin, Shaban Spahiu.
“Ne i kemi intervistuar familjarët, ndaj të dyshuarit kemi vënë masën e paraburgimit prej 48 orëve. Për personin thuhet të ketë qenë problematik. Ka kërkuar para por nuk është se ka pasur nevojë për to, ngaqë kushtet financiare nuk i kanë pasur edhe aq keq. Për të kemi informata se gjatë viteve 90-të ka dhunuar një të mitur”, ka thënë Spahiu.

Ganiu është i martuar me një grua të nacionalitetit boshnjak si dhe kishin një djalë dhe dy vajza nga kjo martesë.
Ndërkohë që trupi i pa jetë i 14-vjeçarit i cili u vra nga babai i është kthyer familjes për ceremoni mortore pas kryerjes së autopsisë. Ai pritet që të varroset gjatë ditës së sotme.

Ganiu për një kohë të gjatë kishte ushtruar funksionin e ‘lypsarit profesionist’. Terrenet e tija të lypjes së parave në rrugë kishin qenë Prishtina e Mitrovica. Ai në fshatin e tij ku banonte në Karaqeve të Kamenicës, nuk njihej si person i qetë.

“Nuk kemi pas muhabet me atë person. Ai para shumë viteve kishte dhunuar një vajzë. Kërkonte para por kushtet në shtëpi nuk i kishte pasur të këqija. Dy trualle i kishte të blera, dhe del tash e mbyt djalin e tij të vetëm, kjo është makabër. Jemi të shokuar nga kjo”, ka thënë njëri nga fqinjët për Ganiun i cili e vrau me shkop djalin e vetëm.

Ai gjendet në qendrën e paraburgimit në Gjilan. Por këto histori shokuese nuk janë të vetmet për të cilat njohur familja e Bernjashit. Babi i Ganiut, para 30 viteve i kishte mbytur në bunar dy vajzat e tij. Këtë ia kanë pohuar Express-it fqinjët e familjes Bernjeshi.

“Para disa viteve babi i këtij Ganiut i ka mbytur të dy vajzat e tij”, thonë fshatarët e Karaqevës.
E për gjithë këtë krim të rëndë, nga Prokuroria e shtetit thonë se po i vazhdojnë hetimet. Janë bërë ekzaminimet e vendit të ngjarjes, si dhe shumë shpejte për këtë rast të rëndë do të publikohen detajet tjera.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb