Stafi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në Mamurras, në qytezën e vogël në veri të Shqipërisë. Këtu i solli dëshpërimi dhe meraku i një gruaje. Ajo është Sanije Toçi, Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare. Na ka kërkuar sepse ka nevojë për ndihme, dhe jo për veten, as për familjen e saj.

“Një fëmijë i shkollës sonë pësoi një aksident në shtëpi, ne vendosëm si staf që të na ndihmoni që ai fëmijë të kryeje operacionin në sy, brenda tre orësh stafi juaj më ktheu përgjigje pozitive, për mua ishte sikur kisha bërë diçka për familjen time, babai i nxënësit ka ndërruar jetë para 4 vitesh, tërmeti i vitit të kaluar u shembi shtëpi, ata jetojnë në kontejner, janë në gjendje të rëndë ekonomike”-, thotë mësuese Sanija. Sanija niset drejt shtëpisë së familjes Qokaj, për të parë djalin si është, por edhe për të na treguar rrugën, që ne t’i dëgjojmë dhe mësojmë nga afer hallet dhe shqetësimet e tyre. Drejtoreshës i duhet të largohet, ndërsa ne do të qëndrojmë edhe pak, që të mësojmë më shumë rreth historisë së dy jetimeve dhe dëmtimit të Indritit. Familja Qokaj është me origjinë nga Curraj i Epërm i Tropojës. Prej vitesh kanë ardhur këtu në Mamurras. Martini, babai i Indritit, në moshë të vogël mbeti jetim. U rrit nga xhaxhai i tij, Leka, i cili vendosi të mos krijonte një familje të tijën, por të rriste fëmijët e vëllait. Fatin e babai të tij do ta kishte edhe Indriti. Katër vjet me parë, ndërroi jete edhe babai i tij, Martini. Indriti dhe Alisa kanë mbetur jetimë, dhe sërish Lekës, i cili tashmë është 84 vjeç, i duhet t’u gjendet pranë dhe të kujdeset për ta. Por fuqitë duket se po e lënë. “I dua si sytë e ballit” thotë ai

Tërmeti i dëmtoi shtëpinë dhe tashmë jetojnë në një kontenier. Sikur të mos mjaftonte kjo, Indriti duke lozur me shokët, dëmtoi syrin. Ai ka nevojë emergjente për dy operacione, në mënyrë që të mos humbasë shikimin plotësisht. “Halle kemi, pa shtëpi, të ardhura nuk kemi, djali ka humbur syrin, duhet të bëjë operacion por nuk kemi para”,-thotë xhaxhai i djalit.

“Mund të shes pjesë të trupit tim për syrin e djalit, këtë djalë kam vetëm pas 23 viteve martesë. Ka pasur dhimbje mjekohet me medikamentet, tani po bën analizat që të operohet, ndërhyrja duhet të bëhet i duhen dy ndërhyrje pasi goditjen e ka marrë shumë të rëndë thonë mjekët, e kam rritur me 500 halle, unë për këta fëmijë jetojë, të ardhurat e mia janë 40 mijë lekë të vjetra, vetë jam e papunë, operacioni është shumë i shtrenjtë”,-thotë e ëma e Indritit. Jo vetëm mamaja, por edhe Alisa 13 vjeçare, qan për vëllain e saj dhe kërkon ndihmë. “Unë po luaja me një shok, ma goditi syrin me një gurë, unë i kërkoj Elvis Naçit dhe shqiptarëve të më ndihmojnë që të operoj syrin”,-kjo është lutja e Indritit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: