Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” rikthyen në vëmendje historinë e tre jetimëve krutane dhe të nënës së tyre 27-vjeccare që e harruar bashkë me fëmijët në fshatin Kroi i Madh në Krujë lutej për ndihmë.

Historia e Brunildës dhe tre fëmijëve:
“S’ka gjë më të keqe se të qajnë për bukë e të vdesin për derman fëmijët”. Me këto fjalë shprehet Brunilda Hysa e ëma e tre fëmijëve të mbetur jetimë. 27-vjeçarja e mbetur e ve në fshatin Kroi Madh të Krujës rrit e vetme Ambrën 4-vjeçare, Arnin dy vjeç e për më të voglin, Hamitin, 7 muajsh, që e ka ende në djep.Ka mbetur e ve, e vetme dhe krejt e pafuqishme për të rritur jetimët e saj. Jeton në një fshat te humbur të Krujës, në fshatin Kroi Madh, bashkë me vjehrrën e saj, nënë Tixhja, 75 vjeçare, që pas humbjes së bashkëshortit, rriti ndër mundime, e vetme 7 fëmijë. Ndërsa tani, prej shtatë muajsh ajo po përjeton dhimbjen e humbjes së djalit të saj… si dhe pafuqinë për t’u siguruar jetën, 3 jetimëve që ai la pas.

“Më vështire për nënën s’ka ku shkon puna…Na ruaj mend o Zot”, thotë ajo për gazetaren e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” Voltiza Duro. Dy gra që vuajnë nën të njëjtën çati e në të njëjtën shtëpi të rrënuar. Secila prej tyre, ka dramën e saj për të treguar. “E fillova jetën shumë të re 15 vjeç, me hall jam martuar me hall. Burri vdiq i ri më la fëmijët vetëm, jeta është skandaloze, spital as shkollë asgjë nuk ka as furgon linjë, pak banorë ka këtu. Jeta në dimër është më e vështirë, bie shi na futet brenda. Ne flemë bashkë, energjinë na i presin nuk kemi me çfarë t’i paguajmë, i kam dërguar fëmijën në spital me veshka e epilepsi. I ka ruajtur Zoti kalamajtë, këtu vdes për bukë, vdes për çdo gjë”, thotë Brunilda. “Jam 75 futa djalin në tokë, zi e më zi ka qenë, nuk do më thahen lotët derisa t’i shkoj afër”, thotë 75-vjeçarja.

“Punë nuk ka në nuk kemi pension, 80 mijë merr nëna nuk i dalin as për ilaçe, na kanë falur njerëzit, me patate e qepë rrojmë, më parë kishim burrat por tani çfarë tu bëj fëmijëve. Këtu është e vështirë, por këtu nuk ka punë, të jetosh këtu më mirë mos të jesh gjallë, për këta fëmijë më mirë të futesh në dhe”, thotë Brunilda. Të mbetura pa mbështetje e pa asnjë zgjidhje, Brunilda dhe nënë Tixhja bëjnë thirrje për ndihmë “Vetëm kam një lutje për ata që kanë fëmije, të bëjnë sevap për këta fëmijët, vetëm një dhomë duam, të kemi afër spitalet kaq kërkoj. Nuk dua të ndryshoj fatin tim por vetëm të fëmijëve. Vetëm këtë dua asnjë tjetër”.
“Amanet dua që të shkoj e kënaqur që kalamajtë i lashë në një shtëpi të sigurt nuk dua që t’i lë në të ftohtë”, thotë 75-vjeçarja.

Si u zgjidh historia e tyre?
Fatma Naçi dhe Meri Bejleri udhëtuan javën e kaluar drejt fshatit Kroi i Madh në Krujë për të takuar Brunildën dhe tre fëmijët jetimë. Fshati duket i braktisur nga njerëzit. Fatma i thotë Merit se në fshatin Kroi Madh të Krujës Brunilda dhe vjehrra e saj nënë Tixhja gjithçka është larg e paarritshme, e ku gjithçka bëhet edhe më e vështirë për dy gra që kanë mbetur pa një burrë në shtëpi. Meri në bisedë më Fatmën thotë se edhe në qytet jeta për një nënë që mbetet pa djalë e për nusen që mbetet aq e re pa bashkëshortin e saj, jeta bëhet shumë e vështire e jo më në këtë fshat të largët. Fatma shton se nusja dhe vjehrra e saj janë pa asnjë mbështetje ekonomike madje dhe pa një shtëpi. Fatma dhe Meri i gjejnë gratë në banesë të mbledhura pranë zjarrit. Brunilda i shikon vizitoret nga dritarja dhe lajmëron vjehrrën e saj. Fatma ulet pranë Brunildës e cila po përkund djepin me foshnjën 7 muajsh. E pyet për vështirësitë që has në përditshmëri, sesi ka reaguar kur fëmijët kanë mbetur pa bukën e gojës.

“Sot nuk kam ngrënë farë për mëngjes”, i thotë vajza e mitur Fatmës. “Ka pasur rast që në mëngjes jemi zgjuar ujë nga shiu që ka rënë. I ushqej fëmijët në rastet që na falin, e kanë ndarë thesin e miellit me ne, babi im është sakat është në hall për vete, është e vetmja gjë dhe një pako vetëm makarona dhe atë mendova tua bëj fëmijëve sot, ne sot nuk kemi ngrënë. Rruga është e vështirë. Burri më vdiq fëmijët e kërkojnë, e kam të pamundur nuk kam asnjë lloj gjeje. I lutem Zotit natë për natë, vetëm tek fondacioni juaj, nuk ka kush të na ndihmojë njeri tjetër. Burri im ishte roje merrte 200 mijë lekë të vjetra. Këtu po të kisha mundësi punoja edhe natën, këtu vdes nga i ftohti vdes për bukë. Nuk ka as kopsht asnjë, mbrëmë na është shembur tavani, nuk e dimë ku do të shkojmë sot natën, mund ta shikojmë por është e rrezikshme nuk mund të afrohemi atje shumë, mund të na rrëzohet në kokë”, i tha Brunilda Fatmës.

“Unë në jetën time nuk kam kaluar në rrugë më të rrezikshme, këtu është në rrezik jeta po të kalosh”, thotë Fatma. Brunilda dhe vjehrra e saj thonë se të afërmit e burrit e kanë ndihmuar aq sa kanë mundur dhe se ndihma ka qenë e paktë. “Vërtetë ata nuk kane mundësi, ndaj ne sot jemi këtu për t’ju dhënë atë qe ju keni kërkuar, jo vetëm një dhomë siç ti luteshe por një shtëpi të re, këtë shtëpi do shkojmë të shikojmë së bashku, do të shkojmë në një vend më të bukur se kjo shtëpi. Merrni të tre fëmijët dhe ikim se është e rrezikshme të qëndrojmë këtu”, i thotë Fatma 27-vjeçares.

Brunilda i thotë se djepin e djalit Hamitit dëshiron ta marrë me vete edhe pse tek banesa e re ka krevate për fëmijët. Brunilda dhe nënë Tixhja shkojnë së bashku tek banesa e re ku Fatma Naçi u thotë se tashmë fëmijët nuk do të vuajnë për bukën e gojës “Këtu ke shkollat, kopshti, do tu lidhim edhe një pension që fëmijët mos të ushqehen më me miell dhe makarona, por të rriten shëndetshëm”, thotë Fatma. “Faleminderit u kam borxh jetën, nuk di si të shprehem por duket sikur kam lindur për herë të dytë, rrini sot për darkë, të gjithë edhe gazetarët”, thotë Brunilda teksa nuk e përmban dot gëzimin që strehoi fëmijët në një shtëpi të ngrohtë e të madhe por mbi të gjitha të fortë e të sigurt. Donatori i cili bëri të mundur blerjen e banesës Satki Gafurri tha ‘live’ në studio se ndihet i gëzuar që ka pasur mundësinë të ndihmoje Brunildën me tre fëmijët e saj të mitur. Në një lidhje ‘live’, direkt nga shtëpia e re në qytetin e Krujës Brunilda bisedoi me Elvisin, Sidritin dhe Eneidën ku foli për jetën e saj të re në banesën e dhuruar.

https://www.youtube.com/watch?v=kAZ3H1kpCqY

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb