TIRANE

“Linda  dy binjakë, por më thanë se njëri vdiq. Doja të shihja trupin, por mjekët më thanë që nuk ke çfarë sheh.” Këto janë fjalët e trishta të nënës nga Fushë-Kruja. Ishte 11 prill 1997, kur Bedrie Leti solli në jetë dy binjakë.

Një prej tyre duket se nuk arriti dot pa kurrë trupin e foshnjës se pajetë. Asokohe mjekët i thanë se një fëmijë vdiq pas lindjes, por askush nuk ja tregoi nënës trupin.

Ajo u largua vetëm me një nga binjakët, ndërsa për tjetrin nuk i dhanë asnjë informacion, madje as skedën e vdekjes.

Leti për arsye ekonomike u largua nga Shqipëria, por një pjesë e zemrës së saj mbeti në atdhe. Gjithmonë nënën e shoqëroi dilema se ndoshta fëmija është gjallë dhe ja kanë rrëmbyer.

Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të Evis Ahmetit, Leti rrëfen se ndihet e humbur nëse nuk mëson çfarë ka ndodhur me djalin e saj.”

“Kam një brengë që e mbaj gjatë në zemër. Dua ta di, ndoshta më kanë gënjyer, ndoshta djali është gjallë,” përfundoi nëna.

Ndërsa në lidhje telefonike në studio foli edhe binjaku, i cili është gjallë. Ai ashtu si dhe nëna e tij tha se e ndjente se i vëllai mund të ishte gjallë.” Mamin gjithmonë e ka munduar kjo gjë, nuk e di ndoshta im vëlla është gjallë, ndoshta jeton. S’e di e kam këtë ndjesi,” u shpreh i riu.

Kushdo që ka ndonjë informacion për këtë histori, është i lutur të kontaktojë në Facebook e emisionit “Me zemër të hapur”. Çdo e dhënë do të mbetet anonime. Le ta ndihmojmë këtë nënë të gjeje paqen në jetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb