Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” në News 24 me autore Evis Ahmetin u trajtua sot një histori sa e dhimbshme aq edhe mister.

Një 59-vjeçare nga qyteti i Tiranës e cila jetën e saj e ka ndërtuar në shtetin e Gjermanisë, rrëfeu sot për publikun konfliktin e krijuar midis saj dhe vëllait. Jeta e saj ka qenë një kalvar i gjatë vuajtjesh. Në moshën 3-vjeçare ajo dhe vëllai ngelën vetëm pa praninë e babait, nën kujdesin e nënës e cila me shumë sakrifica luftoi fort për t’i rritur dhe shkolluar të dy fëmijët.

Por jeta u bë shumë e vështirë dhe nëna u detyrua të martohej me dike tjetër, një njeri që Lindita nuk e pëlqeu dhe për këtë largohet nga shtëpia. Ishte vetëm 15-vjeç dhe e vetme në mesin e rrugës. Pikërisht këtu lind gjithë kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe konfliktit me vëllain. Ky i fundit siç rrëfeu Lindita i ka falsifikuar firmën nënës e njerkut të tyre duke iu ia marrë shtëpinë atyre.

Pas vdekjes së tyre, Lindita i kërkoi të vëllait të ndërtonte një shtëpi në katin sipër tij, pasi ishte private por ai ka zgjedhur të mos i japë asgjë.

Rrëfimi i plotë
“Jam Lindita Bilali, kam lindur në 1961 në Tiranë. Ne jemi dy fëmijë, vëllai është dy vite më i vogël se mua. Babai biologjik ka qënë në drejtorinë e policisë, ndërsa mami ishte një shtëpiake, na shërbente ne të dyve. Unë isha 5 vjec dhe vëllai 3 vjec kur babai jonë u burgos. Unë mamaja dhe vëllai ngelëm vetëm. Mamaja 7 vite na rriti me shumë mundime, punonte në kombinatin “Josif Pashko”, por ngaqë nuk e përballonte dot jetën, ishte e re, u martua me shkuesi me të ndjerin Jonuz Cubaj. Unë isha 11 vjeçe kur mami u martua edhe nuk e pranova dot kurrë, edhe filluan grindjet. Në moshën 15 vjeçare gjërat u përkeqësuan aq shumë saqë unë iki, largohem nga shtëpia. Disa komeshinj aty më dhanë një dhomë, shkoja në shkollën e Rezervave, vitin e dytë e lashë sepse u futa në “Kombinat Tekstil” tëpunoja. Jeta ime u vështirësua, me vëllain mbaja gjithmonë kontakt, por me nënën dhe njerkun nuk mbaja kontakt. Kështu vazhdoi jeta ime e vështire deri në vitet 78-80 dhe deri në ‘90 unë atë vit u largova në Gjermani. Aty u futa në një hotel pastruese, punova rreth 6 vite. Gjatë ikjes unë reflektova edhe fillova të flisja me nënën dhe njerkun.

Gjatë kësaj kohe punoja në dy punë edhe rrija në një dhomë, me kursimet i ndihmoja vëllain, nënën dhe njerkun. Edhe pse ata më braktisen asaj kohe unë i fala, sepse u njoha me një botë tjetër dhe pata keqardhje. Ata nga kjo zemërgjërësi përfituan kryesisht vëllai, ai kishte një apartament në ‘91, dhe çdo mobilim edhe privatizimin e shtëpisë unë i financoja gjithçka, sepse gjendja ime ekonomike ishte e mirë. Njerku ishte taksixhi dhe i bleva një makinë të cilën e përdori 10 vite, mamasë i rregullova shtëpinë. Vëllait i bleva një kamera të madhe të cilën e shfrytëzonte për punë, mirëpo në ‘97 ai u plagos në sy në një dasmë dhe duhet që të operohej në Rusi. E ndihmova për operacionin, 12 mijë dollarë i pagova unë, edhe familja nuk punonte çdo muaj ju paguaja gjithçka, fëmijët me veshje e çdo gjë. Në vitin 1999 mamaja bashkë me njerkun bënë një testament për pasurinë pra banesën, por pas 6 vitesh mamaja me thotë të lutem e prishim testamentin sepse ata ma kishin lenë vetëm mua, për të futur pjesë edhe vëllain. Sado që vëllai kishte apartament në Kinostudio aty afër banesës së mamit. Ok i thashë mamit, erdha në Shqipëri për ta prishur testamentin dhe për të formuluar një të ri, mirëpo atë ditë që shkuam aty te noterja ikën dritat edhe unë nuk kisha kohë duhet të largohesha, i lë kunatës një prokurë në emrin tim në mirëbesim, por ai veprim nuk u krye më. Pas 5 vitesh kunata, nusja e tim vëllai shkon te nëna ime edhe e mashtron duke i thënë që duhet të shkonin ta bënin atë veprim pasi ishte një ligj që nuk paguaje asgjë as noterin.

Nëna ime mendoi se bëhej fjalë për atë dokument që donim të ndryshonim, por u mashtrua ajo se lexoi letrën fare, por e firmosi. Unë nuk erdha në Shqipëri dy vjet, në 2013 kur unë erdha vëllai më thoë që s’ke më pasuri, se nëna me gjithë njerkun ma ka shitur mua. Pas 6 muajsh vdes nëna, mbeti njerku vetëm, pas 4 ditësh filluan konfliktet sepse ata e lanë shumë keq njerkun nuk kujdeseshin për të, madje kishin bërë një deklaratë gjatë shitjes së shtëpisë ku pohonin se do të kujdeseshin për të dy deri sa ata mos të jetonin më, por nuk ndodhi ashtu. Vëllai me nusen shkuan te njerku dhe i thanë nuk kemi më asnjë punë me ty, nuk të kemi asgjë, shtëpinë ta kemi marrë, nuk ke çfarë na bën. Unë ndihesha shumë keq dhe cdo ditë e telefonoja njerkun edhe i jepja kurajo për të mos u mërzitur, e ndihmoja nga ana financiare me gjithcka. Pas 6 muajsh të vdekjes së nënës e mora në Gjermani të ndërronte pak ambient. Mirëpo gjërat u agravuan, njerku u sëmur nga diabeti dhe u kthye në Shqipëri. As 6 muajt e nënës nuk kishte vëllai t’i bënte por u desh të vija unë.

Cdo gjë e shpenzova, njerku sa vinte dhe keqësohej. Unë i kërkova vëllait sa ishte gjallë njerku të mbante shtëpinë se është private dhe unë të ndertoja një kat më sipër, ta kisha thjesht kur vija disa ditë në Shqipëri, mirëpo ai nuk pranoi as ashtu. Njerku vdiq dhe ngeli çdo gje pezull edhe pse ai shkoi sa ishte gjallë, hapi gjyq, pasi pohoi se djali dhe nusja i kishin marrë firmën atij dhe nënës pa ditur asgjë për shtëpinë. Njerku vdiq edhe shtëpia ngeli në dorën e tim vëllai, dua të drejtën time dhe asgjë më shumë pasi të dy testamentet që lanë nëna dhe njerku im pohonin se shtëpia ishte lënë në emrin tim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: