Gazetari i News 24 Osman Stafa udhëtoi sërish bashkë me ekipin e xhirimit të emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” drejt fshatit Derje të Shëngjergjit. Publiku mësoi historinë e tyre të trishtë me varfëri ekstreme një javë më parë, por sot kemi ardhur për t’iu dhënë një lajm të mirë, një lajm që do I largojë njëherë e përgjithmonë nga mjerimi që jetojnë. Ditët për gjysh Qemalin dhe nënë Ishen, nuk janë më ato të parat.

Gjerat kane ndryshuar, menjëherë pas rrëfimit të historisë se tyre te trishte në News24 dhe në emisionin “Shqiptaret per Shqiptarët”. Ata nuk e dinë se çfarë ka ndodhur gjatë emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”, sepse televizori që kanë në shtëpi nuk iu punon. Ata nuk e dine se historia e tyre ka prekur mijëra qytetare brenda dhe jashtë vendit. Nuk e dinë ende se sot do te marrin një lajm të bukur. Publikimi i kësaj historie bëri që dhjetra persona nga qytete të ndryshme të marrin rrugën drejt shtëpisë së të moshuarve, për të çuar ushqime. Nene Ishja dhe gjysh Qemali, thonë se aq njerëz sa u kanë ardhur këto dite, nuk iu kanë ardhur për 18 vite. Janë ndjerë mirë dhe falënderojnë çdokënd që është sensibilizuar me historinë e tyre. “Na kanë ardhur njerëz nga gjithë Shqipëria, nga Durrësi, nga Tirana, nga Shijaku, nga Peqini, na kanë ndihmuar. Na kanë ndihmuar me ushqime, më gjera. Tani nuk e kemi problem më ushqimin, miell dhe ushqime të tjera kemi”,-shprehet gjysh Qemali.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Njerëzit vinin, iknin, kanë ardhur shumë tek ne, na përshëndesnin, na thonin që ju kemi parë në televizor, na kanë thënë se këtu nuk jetohet. Na pyesnin me habi si kemi jetuar gjithë këto vite këtu, pa asnjë dyqan apo furrë buke pranë”,-thotë gjyshe Ishia. Varfëria është njëra anë e medaljes. Historia më e dhimbshme është humbja e dy djemve 18 vjet më parë, që të dy te moshuarit e kanë vuajtur çdo dite të jetës së tyre. Humbja e djemve në lule të moshës, është plaga e zemrës së dy pleqve të cilët që atë ditë nuk kanë parë një dite te bardhë. Shprehen se jeta nuk është treguar e drejte me ta, se kanë vuajtur dhe po vuajnë edhe me shume sot, për shkak edhe te viteve te shumta qe mbajnë mbi shpine. Për ta lumturia, nuk është një ndjesi qe e kane provuar. Fytyrat e tyre prej vitesh nuk kane njohur me buzëqeshje.

“Na vranë, na plagosën zemrën, nuk kishin përkeledhje, nuk hiqet mendja kollaj nga fëmija gjallë në botë, më ka ngel merak që ikën të vegjël, nuk e shijuan jetën e vet. Do doja që djemtë të kishin edhe ata fëmijët e tyre. Të kishim edhe ne një krahë të ngrohtë. Nuk do mundoheshit ju që keni ardhur për të na parë”,-shprehet gjyshe Ishia. “Vdiqën djemtë, unë nuk bëra as darka as dreka, kisha dëshirë që edhe unë të bëja dasmë. Martova gocën pa i bërë dasmë fare. Erdhi ai djali e mori, iku. Prandaj nuk kam organizuar kurrë një darkë apo drekë, nuk kam përjetuar kurrë gëzim. Nëse do ikja këtu do më merrte malli për varret e fëmijëve, ndoshta nëse iki nuk do kem fuqi t’I shikoj më. Kjo është tokë e bekuar, këtu kam lindur këtu dua të vdes në këtë tokë”, -thotë gjyshi.

https://www.youtube.com/watch?v=T0jJ5yP0AOI&feature=youtu.be

E vetmja gjë që i ka mbetur nënë Ishes dhe gjysh Qemalit janë kujtimet që kanë pasur me fëmijët kur kanë qenë të vegjël. Nënë Isha tregon me lot ne sy, se i ka rritur dy djemtë me vështirësi të mëdha. Nuk kishte ç’tu jepte për të ngrënë në vogëli, madje i linte edhe vetëm sepse i duhej të shkonte në punë në kooperativë. “Nuk kisha me çfarë t’i ndërroja, i lija vetëm brenda, dilnin nga shtëpia dhe dilnin. I gjeja akull, kishin ftohtë. I lija lidhur, thoja inshalla nuk i gjej mbytur në djep me litar. U fikja zjarrin se mendoja mos digjeshin. Nuk pashë një ditë të bardhë me ta”,-shprehet gjyshja.
I vetmi ngushëllim dhe moment qetësie për nënë Ishen është kur shkon tek varret e djemve. Thotë se kjo gjë i heq disi mërzitjen dhe i qetëson shpirtin.

“Kur është ditë Bajrami, apo ditë e mirë vij dhe rri më shumë”, -thotë e moshuara. Historia e dy të moshuarve është e trishte. Për gjysh Qemalin dhe nënë Ishen, sekreti i përballimit të dhimbjes dhe i kohëve të vështira është dashuria për njëri-tjetrin. Kjo i ka mbajtur të forte, i ka mbajtur gjalle. Kanë qenë dhe janë mbështetje për njëri-tjetrin në çdo moment dhe në çdo ditë. “Ajo për mua është një mbretëreshë, më ka ndihmuar, më ka përkrahur. Sidomos në periudhën kur humbëm fëmijët, kemi kaluar një tronditje mjaftë të thellë, shumë të madhe. Zoti na ndihmoi na ruajti mendjen”,-thotë Qemali. Kushtet e vështira në të cilat jetojnë të moshuarit, varfëria ekstreme, shtëpia që u rrezikon të shembet nga momenti ne moment, mungesa e një qendre shëndetësore afër shtëpisë, mungesa e dyqaneve në zonën ku banojnë, kanë bërë që gjysh Qemali, të kërkojë shpesh ndihmë për zgjidhjen e tij. “Për mua është më mirë poshtë, për vizita mjekësore për ilaçe”,-shprehet i moshuari. “Një person në Tiranë ka thënë se do t’ju takojë, si thoni të shkojmë të gjithë atje”,-u thotë gazetari Osman Stafa. Fillojmë të bëhemi gati për të shkuar në kryeqytet. Nënë Ishja dëshiron të marrë me vete disa sende dhe rroba. Menjëherë shkon tek dhoma që ka kaluar jetën e saj së bashku me gjysh Qemalin, e merr aty sendet më të çmuara që ka, fotografitë e djemve.

Gjysh Qemali mbyll derën e shtëpisë ku ka lindur, është rritur, ka përjetuar emocione të forta, çaste gëzimi, trishtim e mjerim. Por ai nuk e di se po e mbyll për herë të fundit atë derë. Kjo është lamtumira e gjysh Qemalit dhe nënë Ishes me shtëpinë ku ata kanë kaluar jetën e tyre të vështirë. Gjysh Qemali nuk e di se kjo dere po i mbyll njëherë e përgjithmonë varfërisë, mungesës së ushqimeve dhe ankthit për të nesërmen. Një jetë tjetër do të nisë për dy të moshuarit. Teksa afrohemi tek makinat, nënë Ishja ndalet dhe me kërkon t’i plotësoj një dëshirë të fundit. Dëshiron medoemos të shkojë tek varret e djemve dhe t’i përshëndesë. Sot nuk ka shkuar dhe shpirti nuk i gjen qetësi. Këtë rrugë e bën çdo ditë, në shi, në diell apo edhe në borë. Nuk mundet të rrijë pa shkuar tek varret e bijve të saj të dashur. Tashmë erdhi koha të nisemi. Gjysh Qemali dhe nënë Ishja nuk e dinë se po lënë pas njëherë e mirë mjerimin dhe varfërinë…
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb