E emocionuar, me syze të zeza dhe duke mbajtur me butësi një vajzë të porsalindur në krahë, aktorja dhe prezantuesja e njohur spanjolle Ana Obregon u largua nga spitali i Majamit më 20 mars. Revista Hola publikoi më 28 mars gruan 68-vjeçare dhe vajzën e saj të porsalindur në kopertinë nën titullin “Ana Obregon, nënë e një vajze të lindur me zëvendësim”. Ngjarja nuk do të ishte lajm, që prej ditësh preokupon Spanjën dhe në të njëjtën kohë, ndan vendin e Gadishullit Iberik, nëse Obegon nuk do të ishte 68 vjeç dhe nëse në Spanjë do të ishte e ligjshme surrogacia.

Ndonëse menjëherë pas lindjes së vajzës, Obregon nxitoi ta ndante gëzimin e saj me ndjekësit në mbarë botën duke postuar lajmin në Instagram: “Një dritë plot dashuri ka hyrë në errësirën time. Nuk do të jem më kurrë vetëm. JAM PËRSËRI GJALLË”, ajo u sulmua në mediat sociale spanjolle ndërsa tre ministra të qeverisë Sanchez e kritikuan atë pasi në vend çdo formë e surrogacisë është e paligjshme edhe altruiste (pa pagesë). Obregon nuk ka thënë nëse e ka paguar zëvendësuesin, as nuk e ka quajtur foshnjën “bijën” e saj, por vetëm “një dritë e dashur që hyri në errësirën e saj”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Përveç Spanjës, vende të tjera të Bashkimit Evropian e ndalojnë zëvendësimin, duke përfshirë Francën, Italinë dhe Gjermaninë. Ministrja e Buxhetit Maria Jesús Montero, Ministri i Presidencës Felix Bolaños dhe Ministrja e Barazisë Irene Montero kritikuan ashpër Obregon. “Trupi i një gruaje nuk mund të blihet apo të merret me qira për të kënaqur dëshirat e dikujt,” tha Bolaños.

‘Iku drita e botës’: Letra mallëngjyese e Obregon për djalin e saj që vdiq në moshën 27-vjeçare

Në Spanjë nuk ka të ndalur zhurma për vajzën e porsalindur të Obregon nga një nënë surrogate në SHBA, ndërsa në të njëjtën kohë aktorja 68-vjeçare po shijon një marrëdhënie të butë me fëmijën e saj larg syve kureshtarë në një apartament që ka marrë me qira në Miami. Në të njëjtën kohë, në tokën spanjolle, paparacët po ndjekin vëllezërit e motrat e Obregon për një deklaratë duke kërkuar nëse rrethi i ngushtë familjar ishte informuar për vendimin e saj për të pasur një fëmijë përmes një nëne surrogate.

Obregon kishte një djalë Alessandro (Alex) nga lidhja e saj me fisnikun dhe biznesmenin italian 62-vjeçar Alessandro Lecchio ..

Alex Lecchio ka lindur në vitin 1992 në Madrid. Me diploma në Shkenca Politike dhe Filozofi nga Universiteti Duke në Karolinën e Veriut, Alex ishte i përfshirë në biznes që në moshë të re dhe dukej se e priste një e ardhme premtuese. Por, për fat të keq, në moshën 25-vjeçare ai u godit nga një formë e rrallë e kancerit agresiv, (sarkoma e Ewing). Nëna dhe babai i tij, të cilët tashmë ishin martuar dy herë dhe kishin një djalë tjetër, i qëndruan pranë fëmijës së tyre. Ana Obregon anuloi shumë nga detyrimet e saj profesionale për të qenë pranë fëmijës së saj. I riu kaloi shtatë muaj në Spitalin Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork dhe ndoqi një trajtim pionier të cilin e vazhdoi në një spital në Barcelonë.

Alex Lekio përfundimisht nuk ia doli, ai ndërroi jetë më 13 maj 2020 në moshën 27-vjeçare. Më 13 maj 2022, kur u bënë dy vjet nga vdekja e djalit të saj, Ana Obregon i shkroi publikisht një letër fëmijës së saj të vetëm. “Dy vjet më parë sot drita e botës u shua me largimin tënd. Që atëherë kam mësuar të jem në errësirë, duke pretenduar se jetoj, se marr frymë, se punoj, se ekzistoj…”.

Të enjten, gazetari Joaquin Pratt në emisionin televiziv “El programa de Ana Rosa” në kanalin Telecinco trajtoi lajmin e parë në Spanjë dhe e quajti Obregon “egoiste” .

“Më duket një akt egoizmi që ka udhëtuar drejt Majamit për t’u bërë nënë”, tha gazetari dhe theksoi se ka mënyra të tjera që një grua të bëhet nënë, siç është kujdestaria.

Mirëpo, ai ka treguar se që nga dita që u bë e ditur lajmi për ardhjen në jetë të foshnjës përmes një nëne surrogate, aktorja nuk ka përmendur që është fëmija i saj. Në vend të kësaj, dy herë që foli publikisht për vajzën e porsalindur, ajo e quajti atë “një dritë plot dashuri” dhe “këtë foshnjë të shumëpritur”.

“Vetëm Ana mund të zbulojë të vërtetën për këtë çështje të ndërlikuar”, deklaroi gazetari. Revistat spanjolle si Lecturas nuk e përjashtojnë që vajza e porsalindur, e quajtur Ana, të jetë fëmija biologjik i djalit të ndjerë të Obragón. Gazetarja dhe prezantuesja televizive Maria Patinho ka treguar se para se Aleksi të ndahej nga jeta, i ka kërkuar nënës së tij t’i plotësonte tre dëshirat e tij, të cilat nuk kishte kohë t’i plotësonte.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb