Këtë të premte në orën 21:00 ngriti siparin e sezonit të ri emisioni shumë i dashur për publikun “Shqiptarët për shqiptarët”. Emisioni i drejtuar nga Elvis Naçi, Sidrit Bejleri dhe Eneida Xhelili që në thelb ka humanizmin dhe dashurinë është rikthyer pas një pauzë të shkurtër. Ndërkohë intensiteti i punës në terren ka vijuar me ritëm, stafi i emisionit ka takuar shqiptarë me halle të mëdha në të gjitha trojet tona. Historitë njerëzore këtë sezon të ri vërtetë të trishtojnë, por gjithmonë kanë një fund të lumtur.

Synimi i “Shqiptarët për shqiptarët” është të japë shpresë, të lehtësojë dhimbjet e të rriturve dhe tu japë sa më shumë gëzim fëmijëve. Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” këtë të premte solli sërish në vëmendje historinë e gjyshes së përvujtuar që rrit fillikat dy nipat jetimë në fshatin e thellë Beçisht në Tepelenë. Këtu mes malesh rriten dy fëmijë të mitur, janë dy vëllezër 10 dhe 8 vjeç. Para shtatë vitesh humbën babain, i cili ndërroi jetë nga tumori në mushkëri. Në gusht të këtij viti u ndërron jetë tragjikisht edhe e ëma. Mbetën vetëm me gjyshen 70 vjeç Fetnie Çela.

“Babai u ka vdekur, kishte sëmundje të keqe në mushkëri, vajti në Tiranë nuk shpëtoi dot. Vajzën e kisha me diabet dhe me tension, më tha do i lë fëmijët rrugëve. Ja këtu jetojmë në kushte të vështira, nuk ka asgjë, nuk kam as frigorifer as lavatriçe, ngela unë, nipërit ikin të dy në shkollë, ngrinë e rrëshqasin rrugës, gjakosen tek ura se atje bien. Me 96 mijë lekë i mbaj, me bukë thatë i mbaj kur bëj gjellë u bëj e hanë bukën thatë, nuk i duroj dot se qajnë edhe iki nga dhoma, nuk kam çfarë t’u bëj, vështirë është por unë do i rris, nuk do ta kenë barkun bosh, tek shtëpia e fëmijëve unë nuk i çoj, le te vdes por nuk i çoja atje kam amanetin e vajzës, me vdiq 34 vjeç. Nuk di çfarë të bëj më ka lënë dy djem, shkojnë tek e ëma qajnë e vijnë poshtë. Kaq ka nënë e zezë që mos qofsha, për shpirtin e tyre që kanë ikur, Elvis Naçit i kërkoj një shtëpi për fëmijët në Tepelenë të jenë pranë shkollë, e një pension”, thotë gjyshja me shpirtin që i dhemb për nipërit.

“Jeta ime është e vështirë, atje është hapur tulla, tavani është çarë dhe bie shiu brenda, ca bie jashtë bie edhe brenda, ky krevati është prishur, shtrihemi përtokë, lahemi në govatë. Nëna është 70 vjeç nuk na mban dot nuk kemi ku t’i bëjmë detyrat, ndonjëherë edhe nuk i bej se shkoj për dru kur nuk kam litarë u marr ne krahë, të ngrohemi. Kam amanetin e mamit unë duhet te kujdesem për vëllain me te vogël”,-thotë djali 10-vjeçar. Ajo është e vetmja që kujdeset për ta, e mbajnë frymën gjallë me pensionin e vogël të gjyshes, flenë përtokë në kushte të tmerrshme. I ftohti u është futur në palcë edhe këtë dimër, me duart që u gjakosen presin degë pemësh për të bërë zjarrin. Drutë i mbajnë në krahët e njoma. Banesa mezi qëndron në këmbë, 10-vjeçari nuk ka as çorape e gjejmë zbathur. Ndërsa vëllai i vogël na thotë se kurrë në jetë nuk ka provuar rroba të reja, mbath atletet e vëllait të madh që i rrinë të mëdha. 10-vjeçari ka një amanet të së ëmës para se të ndërronte jetë në verë, e ka porositur të kujdeset për të voglin. Por super e tyre të njoma nuk mund të mbajnë halle kaq të mëdha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb