VATIKAN- Ditë historike për të gjithë shqiptarët! Nënë Tereza e Kalkutës është e shenjtë! Shqiptarja që ia kushtoi jetën e saj të varfërve, të sëmurëve, atyre që askush nuk i donte më, që thoshte që i përkiste plotësisht Jezusit u shpall shenjtore sot në Vatikan nga Ati i Shenjtë Papa Francesku.

Papa ka shqiptuar formulën e kanonizimit dhe ka regjistruar si të shenjtë Nënë Terezën, e lindur si Agnes Gonxhe Bojaxhiu. Papa Bergoglio ka lexuar formulën në latinisht, e pasuar nga duartrokitjet e besimtarëve. Menjëherë më pas janë vendosur në krah të altarit reliket e shenjtores së re.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”,- ishin fjalet e shenjtores sonë, shenjtores së gjithë botës.


Kur ishte gjallë cilësohej si “një shenjtore e gjallë”, sot pas 19 vjetësh nga vdekja, Nënë Tereza, nobelistja e paqes, gruaja më e thjeshtë dhe më madhështore e botës mori zyrtarisht këtë titull gjatë një ceremonie në sheshin San Pietro në Vatikan. Data 4 do të shënohet në kalendarin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.

Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit u mbajt në disa gjuhë dhe së fundi, në gjuhën e Nënë Terezës, në shqip, u tha lutja që Zoti t’i mbushë barinj e besimtarë me Shpirtin e vet, për ta shuar etjen e Jezusit në vëllezërit. Kjo ishte edhe hapi i fundit i rrugës kishtare të Nënë Terezës së Kalkutës, një prej figurave më të njohura në historinë e katolicizmit të shekullit të njëzet.

Ditën e sotme në Sheshin e “Shën Pjetrit” pati delegacione nga 13 vende të botës. Të pranishëm ishin krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti Bujar Nishani, Zonja e Parë, Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD, Basha. Në Vatikan ishin edhe drejtuesit e besimeve fetare në Shqipëri. Po ashtu në ceremoni merrnin pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit të Kosoves, Presidenti Hashim Tahci, kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli etj.

Rreth 2000 policë ishin në gatishmëri përgjatë 24 orëve në Romë. Frika e një sulmi të mundshëm terrorist ka angazhuar edhe forcat speciale si dhe ato sekrete.

MË SHUMË SE 100 MIJË VETË NË CEREMONI
Ora 09:14- Do të jenë më shumë se 100 mijë personat që do të marrin pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës në Romë, 19 vite nga vdekja. Jo vetëm në Sheshin e Shën Pjetrit, por në të gjitha kishat e kryeqytetit gjatë natës, mijëra pelegrinë janë lutur.

SOT CEREMONIA E SHENJTERIMIT TE NENE TEREZES
Ora 08:40- Të pranishëm sot në Vatikan do jenë edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti Bujar Nishani, Zonja e Parë, Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD, Basha do të jenë sot në selinë e shenjtë. Në Vatikan do të jenë edhe drejtuesit e besimeve fetare në Shqipëri.

“Do të jetë një gëzim i madh ta shikojmë shenjtore, e meriton”, janë fjalët e Papa Françeskut, në prag të ceremonisë së shenjtërimit.

Papa Françeksu firmosi në 15 mars 2016 dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës. Më 17 dhjetorin e kaluar Papa Françesku ka firmosur dekretin për njohjen e mrekullisë së kryer nga Nënë Tereza në shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjendje mjaft të avancuar, të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit. Më 19 tetor të 2003 Papa Gjon Pali i II e shpalli Nënë Terezën të “E lume” e sipas rregullave të së drejtës kanonike, festa e saj kremtohet çdo vit, më datën 5 shtator. Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.

Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim rrace, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb