Pesë parti politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që njihet edhe si Lugina e Preshevës, janë marrë vesh që në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës thonë se është shumë e rëndësishme që partitë politike kanë arritur një unifikim që bashkë të marrin pjesë në zgjedhje.

Ata thonë po ashtu se synimi i tyre është arritja e të paktën tri vendeve në Kuvendin e Serbisë.

Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje ka për qëllim fuqizimin e shqiptarëve në aspektin politik. Ai tha se synimi i partive politike është që të zgjidhen të gjitha problemet e shqiptarëve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht është shumë e rëndësishme që faktori shqiptar të jetë i unifikuar sidomos tani në këtë kohë.

“Pretendimi është që me ketë listë shqiptare të Luginës së Preshevës të kenë më shumë përfaqësues në parlamentin republikan të Serbisë, atje ku do të mund të dëgjohet edhe me shumë zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke shpjeguar dhe dhënë informacione të sakta sa i përket problemeve dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët”, tha Mustafa.

Kujtim Sadriu, drejtor i Qendrës së Preshevës për Kërkime dhe Monitorim, i ka thanë Radios Evropa e Lirë, se lista e përbashkët e shqiptarëve do të ketë një mbështetje edhe më domethënëse nëse ajo lufton për të siguruar një pozitë më të mirë për të gjithë pakicën kombëtare dhe të gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, thotë se shqiptarët në Serbi mbajnë edhe barrën e tendosjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Pozicioni i shqiptarëve në Serbi ka qenë nën hijen e marrëdhënieve me Kosovën për dekada. Serbia tani ka një prirje të përmirësimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, e cila ka kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e bashkëpunimit me komunat e Preshevës dhe Bujanovacit”, thotë Janjic.

Ai shtoi se tani është koha për të ndryshuar qëndrimin e publikut në Serbi ndaj bashkëqytetarëve të kombësisë shqiptare.

“Duhet përgatitur për një mundësi reale pas këtyre zgjedhjeve që shqiptarët të behën të barabartë në vendimmarrje, jo vetëm në Kuvend por ta kenë edhe mundësinë të jene pjesë e ekzekutivit. Kjo prapë do të varet nga situata në Kosovë dhe si zhvillohet dialogu”, është shprehur Janjiç.

Ende nuk ka një numër të saktë së sa shqiptarë jetojnë në Serbi pasi ata kanë bojkotuar regjistrimin e fundit në Serbi në vitin 2011. REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: