Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën fillestare të një “plani paqeje” në Gaza, duke ndaluar armiqësitë në territorin e shkatërruar dhe duke sjellë shpresën për një fund përfundimtar të një konflikti të përgjakshëm dyvjeçar që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka destabilizuar pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe ka shkaktuar protesta në të gjithë botën. Presidenti I Shteteve te Bashkuara Donald Trump njoftoi marrëveshjen në rrjetin e tij social Truth, duke thënë se të gjithë pengjet e mbajtura në Gaza do të lirohen së shpejti dhe Izraeli do të tërheqë trupat në një vijë të dakorduar si hapi i parë drejt një “Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme”. Hamasi tha të enjten se kishte rënë dakord me propozimin e presidentit amerikan dhe konfirmoi se marrëveshja përfshin një tërheqje izraelite nga enklava dhe një shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish.
Trump përshëndeti atë që ai e quajti një “ditë të madhe” për botën arabe dhe myslimane, Izraelin dhe të gjitha kombet përreth, si dhe SHBA-në.
“Falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Paparë” theksoi Trump. Netanyahu dhe Trump folën në telefon dhe përgëzuan njëri-tjetrin për marrëveshjen të mërkurën, dhe kryeministri izraelit ftoi presidentin të fliste në parlamentin e Izraelit, sipas zyrës së Netanyahut. Shefi i OKB-së, António Guterres, përshëndeti marrëveshjen Izrael-Hamas dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të “respektojnë plotësisht” kushtet e saj.
20 pengjet që besohet se janë ende gjallë mund të lirohen që këtë fundjavë, me burime që thonë se deri në 1,700 të burgosur palestinezë mund të lirohen nga burgjet izraelite brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve. Hamasi i bëri thirrje Trump dhe shteteve garantuese të sigurohen që Izraeli të zbatojë plotësisht armëpushimin.
Në Tel Aviv, familjet e pengjeve dhe mbështetësit e tyre filluan të brohorisnin “Çmimi Nobel për Trump”, ndërsa u mblodhën në orët e para të mëngjesit.
Përfundimi me sukses i marrëveshjes do të shënonte arritjen më të madhe të politikës së jashtme deri më tani për Trumpin, i cili mori detyrën në janar duke premtuar t’i jepte fund shpejt luftërave në Gaza dhe Ukrainë, vetëm për t’u përballur me pengesa dhe kompleksitete që me sa duket nuk i kishte parashikuar. Shumë nga detajet e marrëveshjes së arritur pas 3 ditësh bisedimesh indirekte në vendpushimin egjiptian të Sharm el-Sheikh mbeten të paqarta dhe sfidat e zbatimit të kushteve të saj janë të mëdha.
