TIRANE- Fushata elektorale që ka nisur para kohe në vendin tonë është transferuar të enjten në Parlamentin e Shqipërisë.

Palët kanë sulmuar kandidatët për kryetarë bashkish të pozitës dhe të opozitës. Debati në Kuvend ka marrë një rrjedhë të ndryshme, teksa ish-kryeministri Sali Berisha ka shkëmbyer një replikë jo të zakontë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj.

Teksa Berisha po fliste për një skemë mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së nga ato që ai i quajti farmaci virtuale, ministri Ahmetaj ka replikuar nën zë nga vendi. Por, duket se deklarata që nuk u dëgjua në sallë acaroi deputetin demokrat, i cili kërkoi nga ministri të mos flasë më, ose përndryshe do të publikojë diçka të fortë për ministrin e Ekonomisë.

“Ti mos fol! Se po fole edhe një herë… Kam ca gjëra shumë të rënda për ty”, iu drejtua Berisha ministrit Ahmetaj. Ky i fundit nuk foli, por deputetët në sallë kanë filluar të qeshin.

Një tjetër replikë ishte ajo mes ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Ish kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Beqaj i kërkon Topallit të mos pijë duhan në ambientet publike. Ndërkohë ndërhyn deputeti Erion Braçe.
“Ilir Beqaj kap dy mikrofonat e foltores dhe i mbledh me duar.Jozefinë, mos pi më cigare në ambiente publike, të lutem! Braçe:Po mirë, po ne pse na vë gjobë ti?!”

REPLIKAT E PLOTA

Gert Bogdani: Në realitetin e rilindistëve mjafton të shesësh fiq, të rregullosh jetën dhe të quhesh ministër krenarist. Për krenaristët, duke iu uruar festën që kanë këtë javë, 17 majin, meqë është dita e krenaristëve, por mos harroni se për qytetin e ndershëm jeta është më e vështirë, ekonomia e familjeve më e cenuar dhe pavarësia dhe dinjiteti më i dhunuar. Ju përpiqeni ta blini forcën e votës, dhe këtë forcë jam i sigurt që qytetarët do t‘ua tregojnë rilindistëve dhe krenaristëve, fiqshitësve më datë 21 qershor, të gjithë bashkë…
Helidon Bushati: I filluan reformat në Shkodër, duke dhënë vaj ulliri, duke dhënë miell, dhe tani kanë kaluar me të brendshme dhe xhinse për të marrë votat…
Vangjel Dule: Duke qenë se këto ditë nis fushata, mbajeni këto argumente për fushatë, të përqendrohemi te rendi i ditës.
Sali Berisha: Në rast se një deputet del këtu dhe u thotë qytetarëve gjëra që as vetë nuk i beson, atij t’i pritet rroga për tri ditë pune në Parlament.
Erjon Braçe: Po, o shoku Kim po!
Sali Berisha: Nga e gjithë kjo maxhorancë asnjëri s’ka për ta marrë fjalën. Se nuk pranojnë të punojnë tri ditë për partinë.
Erjon Braçe: Po, o shoku Kim po…
Sali Berisha: Shkoni në Surrel, shihni sarajet 1 milion e gjysmë euro. Është bërë Surreli si me qenë fshati Don Korleones. Shkoni, ndiqini këta ministra se si u pasuruan. Dasmën thotë ma bëri mamaja, del me 200 mijë euro vila. Dhe dëgjoni ç’thotë (Veliaj). Punët e mira bëhen pa lekë, thotë. Ky është slogani i hajdutit. Dhe është i pacipë fare. Pra atëherë, punët e mira bëhen duke vjedhur!
Ilir Beqja: Si s’të vjen zor mo…
Sali Berisha: Kushërira Nushi po vjedh me kushëririn Beqaj, 6 milionë euro për check up-in e familjarëve të vet. Se shqiptarët nuk po u vijnë. Po mbushni regjistrat bosh. Shqiptarët janë të mençur, nuk vijnë të marrin hepatit “B” me analizat tuaja… Dhe tani meqenëse dështoi check up-i, tani duhet të kapë laboratorët ministri me suitën e vet. Janë krijuar me dhjetëra farmaci virtuale, që nuk ekzistojnë. Mbi 20 farmaci virtuale. Një rimbursim, qoftë TVSH, qoftë ilaçe, është një mekanizëm jashtëzakonisht delikat. Para 10 vitesh u gjet në një fshat të Turqisë, një kompani hungareze, e cila kishte rimbursuar me mashtrim miliarda euro…
(Arben Ahmetaj flet nga vendi pa mikrofon)
Sali Berisha-Ahmetajt: Ti mos fol! Se po fole edhe një herë… Kam ca gjëra shumë të rënda për ty!
(Deputetët e PS dhe PD shpërthejnë duke qeshur)
Sali Berisha-Ahmetajt: Mos se do të filloj të tregoj unë pastaj…
Vangjel Dule: Ju lutem mos ndërprisni!
Sali Berisha: Kë quani reformë ju? Reformë quhen mbledhjet në Ministri ku thuhet që të mos flisni për historitë rozë të ministrave?! Këto janë reformat, më thoni ju mua?! A e dini ju që në ministritë tuaja bëhen mbledhje dhe porositën punonjësit: mos fol për historitë rozë të ministrit!. Jo ti kushërirë (Milena Haritos)
Milena Harito: Faleminderit pra…
Sali Berisha: Lëri pra, këto i quani reforma ju?! Dhe Traku Fest i përkiste Ministrisë së Kulturës, por do ta bënte ai sepse do rregullonte kalanë për dasmën e tij. Dhe këto i quani reforma ju. Po të vret Zoti të bësh dasmën me paratë e njerëzve të varfër. Dhe mos mendo ti (Arben Çukos) se me ato komplimentet që ti i bën Kryeministrit në shesh nuk marrin vesh lushnjarët se cili është ai. Mos mendo t’u bësh dush me kotësira. Po të thoshe që këtu qytetari yt, Zela, u var në qeli se e burgose për 35 dollarë dhe e le dy muaj Qamil Zelën në qeli. Këto t’u thoshe…
Arben Çuko: Do t’i presim hundën atij që gënjen…
(Ilir Beqaj kap dy mikrofonat e foltores dhe i mbledh me duar)
Ilir Beqaj-Jozefina Topallit: Jozefinë, mos pi më cigare në ambiente publike, të lutem!

Erjon Braçe: Po mirë, po ne pse na vë gjobë ti?!

(a.n/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: