Zëvendës Ministri i Brendshëm Julian Hodaj mori pjesë në konferencën ministeriale me temë “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”, që po mbahet në Brindizi të Italisë.

Kjo konferencë organizohet në kuadër të projektit IPA 2017 dhe përveç zv.ministrit Hodaj mori pjesë edhe zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj.

Konferencën e hapi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane për Sigurinë Publike Franco Gabrielli dhe më pas foli zv.ministri i Brendshëm italian senator Stefano Candiani.

Duke marrë fjalën pas tyre, zv.ministri Hodaj u shpreh se qeveria shqiptare që në fillim te mandatit të saj ka marrë një angazhim të qartë, të luftojë me të gjitha mjetet dhe pa kompromis te gjitha format e krimit të organizuar.

Në këtë kontekst, Hodaj theksoi rëndësinë e planit të veprimit “Forca e Ligjit” dhe të gjitha arritjet e deritanishme.

Ai vlerësoi gjithashtu nivelin e lartë të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Në vijim u ndal te çështja e terrorizmit si një fenomen që kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejt sigurinë e vendeve tona, duke theksuar faktin se lufta ndaj këtij fenomeni kërkon angazhim të vazhdueshëm, planifikim, koordinim mes agjencive ligj zbatuese brenda dhe jashtë vendeve tona.

“Qasja ndaj tij dhe ndaj krimit të organizuar në përgjithësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke bërë një punë të vazhdueshme parandaluese”, tha Hodaj.

Në mbyllje, ai shprehu gadishmërinë dhe vullnetin e Shqipërisë për të qëndruar në krah të aleatëve të saj dhe synimin për marrëdhënie pozitive mes shteteve e qeverive, duke dëshmuar se është një partner serioz dhe i tillë do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb