Ushtria izraelite njoftoi sot se vrau një palestinez që, sipas saj, hodhi një pajisje shpërthyese drejt ushtarëve gjatë një operacioni pranë Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku Autoriteti Palestinez raportoi se një 19-vjeçar vdiq nga plumbat izraelitë.

“Gjatë një operacioni në zonën e Nablusit, një terrorist hodhi një pajisje shpërthyese drejt forcave tona. Forcat u përgjigjën me zjarr dhe e neutralizuan terroristin”, thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi nga ana e saj se gjatë natës, “Hasan Ahmed Jamil Musa (19 vjeç) u vra nga zjarri i forcave pushtuese në kampin Al-Askar” lindje të Nablusit.

I riu u qëllua nga plumbat e forcave pushtuese gjatë pushtimit të kampit rreth mesnate, deklaroi Majed Abu Kisk, kryetar i komitetit të shërbimeve të këtij kampi refugjatësh.

“U arrestua nga forcat pushtuese dhe, kur iu dorëzua shërbimeve palestineze të ambulancës, kishte vdekur tashmë”, shtoi ai.
Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor që pas fillimit të luftës në Gaza, e nisur nga sulmi i përgjakshëm i Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit. Ajo nuk ka pushuar as me armëpushimin e brishtë që hyri në fuqi në Gaza më 10 tetor.

Të paktën 1.006 palestinezë, luftëtarë dhe civilë, janë vrarë nga ushtarë ose kolonë izraelitë, sipas të dhënave të Agjencisë Franceze të Lajmeve bazuar në shifrat e Autoritetit Palestinez.
Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave zyrtare izraelite, të paktën 43 izraelitë, civilë dhe ushtarë, janë vrarë atje në sulme palestineze ose gjatë operacioneve të ushtrisë izraelite.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb