Qeveria e Holandës miratoi planet për të lejuar eutanazinë për fëmijët me sëmundje të pashërueshme, të moshës një deri në 12 vjeç. Eutanazia është përshpejtimi i vdekjes së një pacienti, për të parandaluar vuajtjet e mëtejshme.

Ministri i Shëndetësisë i Holandës, Hugo de Jonge, tha se ndryshimi i rregullit do t’i parandalojnë “vuajtjet pa shpresë” të disa fëmijëve. Aktualisht, eutanazia në Holandë është e ligjshme për fëmijët mbi 12 vjeç, me pëlqimin e pacientit dhe të prindërve të tij.

Ajo është e ligjshme edhe për foshnjat deri në një vjeç, me pëlqimin e prindërve. Plani për fëmijët një deri në 12 vjeç ka shkaktuar debate me muaj të tërë në koalicionin qeverisës – partitë e krishtera konservatore e kanë kundërshtuar fuqishëm atë.

Pas miratimit të planit nga qeveria, ministri de Jonge tha se do të hartojë rregullore të reja për eutanazinë. Ai tha se një studim i ekspertëve ka vërejtur nevojën për ndryshimin e rregullit.

Studimi, sipas tij, ka treguar se pesë deri në 10 fëmijë në vit do të preken nga rregulli i ri. Rregulli i ri pritet të nisë së zbatuari në muajt e ardhshëm.

Eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar janë të ligjshme në Holandë qysh në vitin 2002. Belgjika fqinje e ka ndjekur shembullin e saj disa muaj më vonë. Këto dy vende kanë qenë të parat në botë që e kanë legalizuar praktikën, megjithëse me kushte shumë të rrepta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: