Nga: KIÇO BLUSHI *
E pamundur të mos hasësh e të mos dëgjosh në cilindo kanal, sa hap televizorin, lloj-lloj VIP-ash e rripash “modernë”,që flasin e molloisin jo vetëm për sukseset e vetes, por edhe për fisin, për gjyshërit, për gjyshet, për etërit e për nënat e tyre, të cilët nuk ishin ca dosido, pasi paskëshin bërë të pabërën për edukimin e tyre (të të vetëshquarve të sotëm!), por edhe ca më gjerë, për shoqërinë e madje edhe për mbarë kombin.
Asnjëherë tjetër nuk ka pasur një ngarendje e pangopësi të tillë të ethshme për protagonizëm, për mburrje, për vetëlavdërim dhe ekzibicionizim sa sot. Sidomos po të vish nga jashtë. Çmimet ndërkombëtare në Venecie, në Kanë, në Hollivud, në Eurovizion, etj., për pak sa nuk i marrim… “Nuk na i japin se… se kemi, medemek, imazh të keq nëpër botë…”. Të krijohet përshtypja sikur për këtë dukuri rrahjegjoksore të paparë e të pasosur e ka fajin teknologjia elektronike, liria e shprehjes, mungesa e mangësia e theksuar kulturore e moderatorëve si dhe numri i shumtë i kanaleve televizive, të cilët nuk kanë si dhe me se t’i mbushin oraret e transmetimit. Por nuk mjaftojnë vetëm këto konstatime. Në të vërtetë deti mediatik është bërë kos, në mos hirrë për shkak të mungesës (ndoshta më saktë duhet thënë: kokëposhtësisë) së hierarkisë së vlerave. Por edhe se pranojmë të trajtohemi si provincë, si katund më fundmë i Ballkanit, ku gjallojnë ca humbameno të prirur për të mbetur snobë.
Ndaj sot për sot gëlon një përpjekje e yshtje gati mbarëkombëtare për të rënë në sy, për t’u vetëshpallur i shquar, i talentuar, për të bindur gjindjen se je sojli, dmth., se vjen “nga derë e madhe”, një i shquar samëska që ka pasur oferta në SHBA dhe Europë, por që fatkeqësisht këtu nuk ia njohin meritat, edhe pse realisht janë kurrkushi. Për t’u punësuar e emëruar këta “VIP”-a nuk kalojnë nëpër zyrat e punës të Velisë, por e katapultojnë direkt ylberin…
Ekrani, duke qenë një gojë e panginjur dhe e shqyer ka zëvendësuar mungesën e bursës të vlerave intelektuale. Tani nuk ka më konkurrencë. “Shqipëria tjetër” thuajse nuk ekziston. Ekzistojnë vetëm VIP-at e muzikës rep dhe baletit të ashtuquajtur modern, si dhe dy fytyrat e dy a tri udhëheqësve që nuk rreshtin së dali në ekran. Mekanizmat e shoqërisë që garantojnë e stimulojnë konkurrencën i ka prishur e shkatërruar në themel, duke i vënë nën thundër, partitizmi. Shkollat, universitetet, ajo që quhet “botë akademike”, shkallët e administratës civile, institucionet artistike, tradita dhe karriera në përgjithësi tani varen nga interesat e çastit të krerëve të qeverive…
Në këtë hulli-hamulli rëndësi parësore ka nëse di të shfaqesh në ekran, dmth., sa i aftë je të biesh në sy të një kryetari. Kësisoj shumica e emërimeve për deputetë, për ministra, për kryebashkiakë, drejtorë drejtorish e institucionesh, etj., etj. janë bërë me/mbi këtë kriter vlerësimi: a ke dhënë prova në publik (në media) që e do dhe e mbron kryetarin?
Aq larg ka shkuar kjo mendësi, sa kryeministri aktual ka deklaruar se nuk ka rëndësi përvoja, se ajo shkoka në kundërshti me inovacionin; madje as mosha, pasi tani duhet të jesh nën pesëdhjetë vjeç, mundësisht tridhjetë… e, për më tepër, të jesh një femër simpatike! Ne si qytetarë ende nuk e kemi kuptuar se më keq se kriza ekonomike, është kriza morale, e cila vjen pas keqpërdorimit e shfytyrimit të kapaciteteve e vlerave humane, kur njeriu i gjorë detyrohet të besojë se më i nderuar e më i vlefshëm është një derr i kënaqur se një Sokrat i vuajtur; një batakçi që vjedh se një hero që ka dhënë jetën; një injorant i kamur e me pushtet se një dijetar i varfër…
***   
Dihet që vetëm në Shqipëri nuk ka bursë të kapitalit. Por nuk ka as banka të farërave të vendit e të racave të bagëtive… Bursa që u ngrit formalisht, sa për të thënë që edhe ne kemi bursë, falimentoi, u mbyll. Arsyen nuk e shpjegon kush, paçka se herë pas here na thuhet që kemi rritje të paparë ekonomike… Por në vend të bursës së kapitalit tek ne lulëzon përbukuri prej vitesh bursa e antivlerave. Në këtë treg anarkik konkurrencën e sundon dhe e fiton përherë informaliteti, mungesa e vlerave, antivlerat, kokëboshët, delirantët, fodullët, të pafytyrët, arrogantët, më të fortët, dmth., mallrat false, më lehtë edhe se rraqet e Gabit. Nuk po them një gjë që nuk dihet tashmë. Kuvendi, si maja e piramidës, është pasqyra më dramatike e më qesharake e kësaj mbrapshtie. Ironia është se bëjnë sikur qahen e ankohen bash ata që e kanë gatitur këtë “gjellë” të quajtur pluraliste.
Falë kësaj “burse të antivlerave” tanimë nuk synohet të sigurohet vetëm një dëshmi, një diplomë e blerë (pasi kjo quhet mëse e kollajtë!), por bëhen përpjekje dhe “investime” më të sofistikuara për të manipuluar jo vetëm të tashmen, por edhe të kaluarën dhe historinë. Luftohet për t’u bërë ministër pa të thënë kush “pun’e mbarë”. Ndërsa deputetët dalin si vezë inkubatori nga listat e kryetarit, për të rrëmbyer tituj, për t’u vënë emrin rrugëve, për të fituar një “Nder i Kombit” ose një “Mjeshtër i Madh”, një “Qytetar Nderi” ose “Pishtar demokracie”, etj., etj., mjafton të jesh një mercenar i denjë partiak.
Tahmaja e lavdisë së paqenë e të pamerituar bën të paguhen bajagi shtrenjtë shkruesit profesionistë të biografive, që nëpërmjet tyre të bindin të vdekurit e sotëm dhe të gjallët e nesërm se filanfistekët denbabaden kanë pas qenë “derë e madhe”, një xhins me merita të shquara e “të paharruara historike”, tradicionalisht patriotë të thekur, pse jo edhe antikomunistë të vendosur. Besohet se me kësi dëshmish (autobiografi, memuare, artikuj, tituj dhe ceremoni) të rreme mund të mposhtet historia, të mpaket kompleksi i inferioritetit, si dhe mund të blihet lirë influenca për të bërë karrierë e për të mbetur në histori. Për të bërë karrierë në politikë. Por jo vetëm në politikë, sigurisht.
Janë të pafund shembujt dhe emrat se si hiçësia në Ballkan fare kollaj tjetërsohet në lavdi. Ka shumë shembuj që e ilustrojnë këtë dukuri. Folklori është dëshmia lëvizëse e pandryshueshme. Në kushtet e sotme ka hyrë në përdorim interneti.
***
Nuk mbaj mend ku kam lexuar se në Kosovë paska do liderë politikë, të ardhur nga anonimati, të cilët për qëllimet e mësipërme, duke paguar pesë mijë euro një shkrues “profesionist” biografie “provojnë me fakte e dokumente” se jo vetëm ata, por edhe xhinsi i tyre vjen nga luftërat patriotike dhe kontributet atdhetare… Me sa duket, ka një enë komunikuese të padukshme mes Tiranës dhe Prishtinës për qëllime të kësollojta vetëkarfosëse. Krerët e Prishtinës përfitojnë (apo mos duhet thënë më mirë: i blejnë?) tituj e ndere, e favore në Shqipëri për të rritur reputacionin e tyre të humbur në Kosovë dhe anasjelltas. (“Shikoni, o njerëz sa na duan e sa më nderojnë bashkatdhetarët matanë kufirit, në metropol!”…).
Do të ishte me vlerë një studim apo testim i opinionit publik të kësollojtë: sa dhe si e ha apo nuk e gëlltit opinioni ynë publik këtë lloj autopropagande kaq shtinjake? Me sa, duket ky është i vetmi “treg” që funksionon përbukuri, duke sjellë përfitime të shpejta e të begata për ata që “ia kanë marrë dorën”. Këtë e provon edhe fakti që sot janë shumicë dërrmuese pikërisht ata që kanë punuar në heshtje, ata që kanë kontribute të pashlyeshme, që nuk bien në sy e nuk kërkojnë shpërblim as moral dhe as material. Shumica janë harruar, nuk i përmend e nuk i kujton kush. Nga ndarja e pasurisë kombëtare përfituan deri diku ish-pronarët, ish-të përndjekurit, e mbi të gjithë, krerët e politikës, kurse ata që derdhën gjak dhe djersë nuk gëzuan as letra me vlerë, as ndere, as përkujtimore.
Nuk është rastësi që anekënd Shqipërisë të gjitha varrezat e dëshmorëve, bustet e pllakat përkujtimore janë përdhosur. Para ca vitesh u përdhos edhe varri i Konicës, eshtrat e të cilit u sollën me bujë në atdhe. Natyrisht, kjo kokëposhtësi vlerash ka mirëseardhur për shkak të mungesës së “bursës” së vlerave si dhe shpërdorimit të qëllimtë të ndereve, gradave e favoreve “institucionale” që japin më së pari presidentët, kryeministrat e nën shembullin e tyre, edhe kryebashkiakët e kryekomunarët. “Është për të ardhur keq”, shkruan në librin e vet mbi historikun e hidrocentraleve një nga personalitetet më të ndritura të energjetikës, Emin Musliu, – “që në vitin 1992 u prish e gjithë infrastruktura e studimit, projektimit dhe ndërtim-montimit të veprave si: Instituti i Studimit dhe Projektimit të Hidrocentraleve, Ndërmarrja Gjeologji-Gjeodezi, Laboratori i modelimeve hidraulike, Laboratori i analizave të dheut e të shkëmbit, Laboratori i modelimeve statike dhe dinamike të digave prej betoni, Ndërmarrja Hidro-elektro dhe e montimit… duke e çuar në zero këtë sektor jetik të vendit”. E keqja nuk qëndron vetëm te shkatërrimi i laboratorëve, instituteve dhe ndërmarrjeve, po i kapitalit njerëzor, shkencor, intelektual, profesional, të cilët mbetën ose rrugëve, ose ikën jashtë për “bukën e gojës”.
Por më keq janë të dënuar me harresë dhe mospërfillje ata që nuk janë gjallë. Kush ka dëgjuar e kush flet për një prift të vrarë me emrin At Stath Melani?… “Sapo mbrijtën tek e përpjeta e Lushnjës, në vendin e quajtur Balta e Kuqe e Lipivanit, papritur ranë nën zjarrin e armëve të bandës së Josif Suropullit. At Stathi tentoi të zbriste nga kali e të zinte pozicion, por nuk arriti dot pasi plumbat e armikut e goditën për vdekje. Ra nga kali dhe pas pak dha shpirt… Armiqtë nuk u mjaftuan me aq… Pastaj kriminelët shkuan i prenë kokën, e futën në një torbë dhe u larguan drejt stanit të Budove, ku fjetën atë natë. Të zotët e stanit e diktuan kokën e priftit në torbë, por nuk guxuan të ndërmerrnin ndonjë veprim. Që andej kriminelët u nisën për në Greqi, për t’u vërtetuar porositësve të kishës greke se e kishin kryer krimin e vrasjes së At Stath Melanit dhe për të marrë shpërblimin e premtuar”… (citimi është marrë nga libri i Apostol Kotanit).
Fan S. Noli, në një shkrim të botuar në gazetën “Albania” më 16 mars 1918 do të shkruante për të: “Unë nuk jam mjaft i zoti të përshkruaj shërbimet e mëdha që i ka sjellë At Stath Melani atdheut. Po historia do të pasurohet me shërbimet e tij të larta dhe të rralla. S’ka zemër shqiptari që të mos pikëllohet… S’ka sy shqiptari që të mos lëshojë lumë lotësh për të pavdekurin hero dhe dëshmor të madh të Shqipërisë, At Stath Melani”.
E pra, kush e njeh, kush e përkujton dhe e nderon sot këtë prift dëshmor? A mban ndonjë rrugë apo shkollë emrin e tij sot? E le më pastaj për njerëzit e thjeshtë, ata anonimë që bëjnë punë “të vogla” me dashuri të madhe. Ata që i japin jo vetëm shpirtin, po edhe kuptimin atij që ne e quajmë identitet kombëtar. Rastësisht, në gazetën e veteranëve “Kushtrim Brezash” lexova disa kolona për një grua me emrin Aleksandra (Gaqi) Telo që kishte ndërruar jetë. Nuk kisha dëgjuar kurrë për të, gjë provon se si ajo, të heshtur e të devotshëm, të harruar e të pavlerësuar që nuk bien në sy e që edhe vdekjen e pranojnë me qetësi, ka jo pak. Teze Cania, siç e thërrisnin, paska qenë 18 vjeçe partizane, ka luftuar deri në Vishegrad. Pas Çlirimit nuk mori poste, por punoi si infermiere e thjeshtë në spitalet e Vlorës, Elbasanit, Ersekës, në ambulancën e “21 Dhjetorit” në Tiranë e më në fund në Durrës…
Nga ky shembull e ky model lind natyrshëm pyetja retorike: cili burrë e cila grua e sotme, militante partie, si në Shqipëri e në Kosovë, që ka bërë emër, karrierë, që u lëpihet kryetarëve, që paguan shkrues “profesionistë” biografish dhe gazetarë për t’i bërë publicitet, mund të matet me jetën dhe me sakrificat e këtyre njerëzve të thjeshtë e modestë? Teksa po e mbyllja me këto rreshta shkrimin, më tërhoqi vëmendjen një intervistë e “Top Chanel” me një kosovare me emrin Dorina Podrimja, topmodele, e cila kishte lënë nam në Zvicër e ndër fansat shqiptarë se… se kishte refuzuar të merrte pjesë, “për nder e moral”, në një reality show, edhe pse i ishin ofruar famë dhe para… Natyrisht, nga rruga e vështirë e Zonjës Telo deri te rruga e pasarelave të Dorinës distanca nuk është e gjatë si kohë, por është e humnertë si diferencë. Në këtë humnerë të terrtë, me aq shumë të panjohura e të papritura, detyrohet të ecë shoqëria jonë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: