TIRANE- Artistë, personalitete të botës së artit e kulturës, miq, të afërm dhe artdashës i kanë dhënë lamtumirën e fundit këngëtares së mirënjohur Anita Take që u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare.

Homazhet u mbajtën në hollin e Radio Tiranës, ndërsa këngëtarja e madhe u përcoll me muzikën e saj. Të njohur, bashkëkohës dhe ish-bashkëpunëtorë të këngëtares shprehën ngushëllimet e tyre dhe e përcollën për në banesën e fundit me nderime e lule.

Zëri i kadifenjtë i Anita Takes, siç e cilëson poeti Agim Doçi, do t’i mungojë muzikës së lehtë shqiptare.

Skenaristi Pandi Laço e ka ngjitur Taken për herë të fundit në skenë, ku ajo dëshirontë të këndonte gjithmonë.

Edhe këngëtari Sajmir Çili tregon çaste nga bashkëpunimi me këngëtaren e mirënjohur…Zëri i ëmbël i Takes ka jehuar në skenat shqiptare dhe të huaja. Anita do të kujtohet gjithmonë nga shqiptarët për zërin e bukur, interpretimin plot klas dhe pamjen e saj fisnike…

Ndërkohë, familjaret do te presin vizita ngushëllimi ne mjediset e Hotel Mondial, duke nisur nga dita e shtunë në orën 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00.

JETËSHRKIMI I ANITA TAKES
Atida Take (Anida Take) ka lindur në Korçë, më 2 prill 1934. Ajo ka spikatur që në moshë të re për vokalin e saj të veçantë. Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1951, është emëruar si këngëtare profesioniste në Filarmoninë Shqiptare, për të kaluar më pas në Estradën e Shtetit.

Në këtë institucion, Anida Take ka zhvilluar për plot 20 vjet aktivitetin më të rëndësishëm të karrierës së saj. Duke u përballur për çdo natë me publikun në interpretimin kryesisht të këngës shqiptare, Take u afirmua si një interpretuese cilësore dhe krijoi personalitetin e saj artistik. Kësaj periudhe i përkasin plot 19 mijë debutime të saj, në të gjitha skajet e Shqipërisë, duke filluar nga Tropoja e deri në Bilisht apo Konispol, duke fituar zemrat e një mase të gjerë të publikut shqiptar.

Gjatë 20 viteve të punës në Estradën e Tiranës, Anida Take është dekoruar me Medalje Pune “Naim Frashëri”, të klasit të II-të dhe të III-të. Zëri i Takes ka jehuar edhe në skenat e huaja, duke bërë një prezantim dinjitoz të këngës shqiptare, në koncertet e dhëna në Rusi, e Rumani gjatë vitit 1957, në Bullgari e Hungari me 1958, si dhe Kinë, Vietnam e Kore. Anita Take e vazhdoi aktivitetin e saj artistik edhe pas daljes në pension më 1972, duke qëndruar në skenën e Estradës së Tiranës dhe në skenat e rretheve si recitaliste.

I përket pikërisht kësaj periudhe edhe një nga kulmet e karrierës së Anida Takes: dhënia e të parit recital në historinë e skenave shqiptare, në vitin 1983, gjatë të cilit këngëtarja 50 vjeçare interpretoi plot 25 këngë. Recitali u prit me shumë sukses dhe vijoi të shfaqej deri në vitin 1989 në shumë qytete të Shqipërisë, si Durrës, Berat, Sarandë, Delvinë, Pogradec e Korçë.

Që prej vitit 1991, Anita Take u vendos në Austri, ku nuk e ndaloi aktivitetin e saj artistik. Që nga ai vit e deri në vitin 2001, ajo ka kënduar në aktivitete të ndryshme, përpara një publiku shqiptar e austriak. E gjithë kjo e ka ndihmuar këngëtaren e njohur të ruajë edhe sot një freski vokale dhe ëmbëlsi interpretative, gjithmonë me një profesionalizëm të spikatur.

Ajo u rishfaq në skenat e Tiranës, duke kënduar “live” në Festivalin “Kënga Magjike” të vitit 1999, ku edhe u dekorua nga Presidenti i Republikës, z. Rexhep Meidani, me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, për kontribut të shquar dhe cilësi të lartë në interpretimin e këngës shqiptare, për talentin e saj të spikatur, që e vuri në shërbim të kombit të vet.

Në Festivalin e 40-të të Këngës në RTSH në vitin 2001, i është dhënë trofeu “Mjeshtër i Punës”.
Gjatë karrierës së saj mbi gjysëmshekullore, Anita Take ka interpretuar një repertor prej 750 këngësh. Fatkeqësisht, disa prej perlave të interpretuara prej saj nuk ekzistojnë më në Fondin Shqiptar të Muzikës.

ë rigjetjes së tyre dhe risjelljes në vendin që u takon, Anida Take është angazhuar në moshën 69 vjeçare të interpretojë disa prej këngëve më të spikatura të krijuara nga bashkëshorti i saj, i paharruari Agim Prodani, por edhe autorë të tjerë të spikatur të pentagrameve të lehta, duke iu kujtuar brezave rrugën, nëpër të cilën ka ecur kënga e lehtë shqiptare, në etapat kryesore të së cilës, gjendet zëri i saj.

Janë 16 këngë, që iu servirën publikut shqiptar të rinovuara dhe në një konceptim të ri orkestral, me ndihmën e djalit të saj. Zonja Anita Take u shqua si një artiste që këndoi “live” deri në fund të jetës së saj artistike, duke qenë e pranishme dhe e duartrokitur fort e me dashuri në shumë skena të rëndësishme të artit muzikor shqiptar.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: