* Kreu i Kuvendit, Ilir Meta merr pjesë në homazhe: Rolet e tij të spikatura dhe aktuale edhe sot
* Basha: Një prej ikonave te kinematografisë shqiptare

ELBASAN- Përcillet sot në banesën e fundit, aktori i madh shqiptar Demir Hyskja, i cili u nda nga jeta një ditë më parë për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Të afërm, miq, kolegë, artistë, personalitete e përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor kanë marrë pjesë në homazhet që janë zhvilluar në teatrin “Skampa” në Elbasan për nder të kollosit të filmit shqiptar.

Kolegu i tij, Luftar Paja shprehet me superlativa për aktorin e madh. Ai thotë se Hyskja i përket atij brezi që ka bërë epokë në artin skenik.

“Ruaj mbresat më të thella për Demir Hyskjan që kur e kam njohur për herë të parë në 1962. Demir Hyskja i përket asaj plejade që ka bërë epokë në artin skenik. Ai nuk ishte krenaria vetëm e qytetit të Elbasanit por ishte krenaria e artit shqiptar. Me plot gojën mund të them se ai renditet mes atyre artistëve që kanë bërë epokë si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Sandër Prosit e shumë të tjerë. Ai iku fizikisht por vepra e tij do jetojë brez pas brezi”, thotë aktori Luftar Paja.

Edhe aktorja Tinka Kurti ndan trishtimin për humbjen e mjeshtrit Hyskja.
“Është një ditë e trishtueshme për botën e artit. Humbja e Demir Hyskjas tejet e rëndë. Me Demir Hyskjan kam luajtur në shumë filma. Sa herë vija në Elbasan e gjeja para Teatrit Skampa të cilin e donte shumë. Herën e fundit e gjeta rëndë në shtëpi pasi sëmundja e kishte rënduar. Ai kishte sjellje dinjitoze si qytetar dhe ishte mjaft kavalier”, shprehet Kurti.

META: DEMIR HYSKJA PËRFAQËSON NJË PLEJADË ARTISTËSH TË MËDHENJ
Në homazhe ka marrë pjesë edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta. Ai tha se nuk e njihte nga afër aktorin e madh por se e ndjen humbjen e tij si të një njeriu të afërt, duke vlerësuar lart figurën e tij.
meta, 2
“Nuk mund të mos vija sot në Elbasan për të nderuar dhe ndarë së bashku me të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe shqiptarë, dhimbjen për një humbje shumë të madhe. Ndarja nga jeta e aktorit të madh dhe popullor si Demir Hyskja dhe të gjitha ata që kanë marrë këtë lajm të trishtuar janë ndier sikur kanë humbur një njeri të afërt. As vetë nuk jam i sigurt nëse e kam takuar ndonjëherë, por më duket sikur kam humbur një njeri të afërt, pasi rolet e tij edukative bënin çdo fëmijë dhe të rritur që të komunikonte me të si një njeri të afërt. Ai ka bërë gjithçka për të krijuar role të vërteta dhe që janë të pavdekshme, duke hyrë në brendësi të rolit dhe artit. Nuk jam një kritik në këtë fushë, por rolet e tij, sidomos ato që ishin për të risjellë sakrificat e popullit tonë për liro dhe pavarësi, mbeten të spikatura dhe aktuale edhe sot e kësaj dite. Përfaqëson një plejadë artistësh të mëdhenj që bënë një artë në një kohë të vështirë dhe përmes artit që lanë trashëgimi kanë avantazhin për të qenë të përjetshëm. Jam i bindur se të gjithëve do t’u mungojë mirësia e tij. Së fundmi nuk mund të mos vija edhe si Kryetar i Kuvendit, pasi ai ka qenë deputet para ’90, por çdo parlament do ta kishte nder, pavarësisht sesi do të ndihej ai. Para ’90 kemi pasur edhe deputetë që kanë përfaqësuar realisht popullin. Ka pasur deputetë që kanë kontribuar edhe në ndërtimet e mëdha”, është shprehur Meta.

BASHA: IKONË E KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha thotë se Demir Hyskja ishte një prej ikonave të kinematografisë dhe do të kujtohet si një prej aktorëve më të dashur.
“Dje u nda nga jeta Demir Hyskja, një prej ikonave te kinematografisë shqiptare. Demir Hyskja, ndërtoi përgjatë mbi 3 dekadave të jetës se tij artistike një galeri rolesh dhe karakteresh të ngulitura në kujtesën e publikut shqiptar. Ai do të kujtohet përherë si një prej aktorëve më të dashur e të spikatur të plejadës se artë të kinematografisë shqiptare. Ngushëllimet e mia familjarëve, miqve dhe kolegëve të Demir Hyskjas. U prehtë në paqe!”, shprehet Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb