Mbahen sot homazhet për ndarjen nga jeta të ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe ish-zëvendës ministrit të Brendshëm Sokol Baraj. Homazhet zhvillohen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ndërsa pritet të marrin pjesë shumë personalitete dhe figura të njohura të politikës si dhe drejtues e ish-drejtues të policisë.

sokol baraj homazhe 1

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako në një prononcim për mediat pas homazheve tha se Baraj meriton respektin e çdo punonjësi të policisë dhe brezave si një nga drejtuesit më të mirë të policisë. “Respekt pa fund në emër të gjithë punonjësve të policisë së shtetit dhe brezave për një nga drejtuesit më të mirë. Kjo mirënjohje është mëse e qartë sepse Sokol Baraj dha gjithë kontributin e tij në Policinë e Shtetit. Ngushëlloj familjen më këtë rst për ndarjen nga jeta parakohe të tij. I përjetshëm qoftë”, u shpreh Çako.

Sokol Baraj u nda nga jeta në mënyrë të papritur, pas një ataku në zemër, në moshën 53-vjeçare. Baraj është i njohur për faktin se e ka drejtuar Policinë e Shtetit në periudhën më të vështirë për vendin, siç ishte viti 1997.

Ishte koha kur në Shqipëri bandat kriminale kishin në dorë kontrollin dhe atij iu desh një punë e vështirë, madje një luftë e vërtetë për të rivendosur rendin dhe sigurinë. Në muajin maj 1998, ai lirohet nga detyra dhe në gusht 1998, Baraj, u emërua këshilltar i Kryeministrit Fatos Nano, për problemet e Sigurisë Kombëtare, ndërsa në shkurt 1999, ishte këshilltar pranë delegacionit kosovar në takimin e Rambujes, në Francë, kur u diskutua zgjidhja e çështjes kosovare.

Në mars 1999, Sokoli u caktua këshilltar i ministrit të Brendshëm, ndërsa në shkurt të vitit 2000, u caktua drejtor i Përgjithshëm në SHIK. Në vitin 2003, u lirua nga kjo detyrë dhe u nxor në lirim. Vitet e fundit ai punonte në aeroportin “Nënë Tereza” si shef për sigurinë. Sokol Baraj ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb