Është kujtuar sot në në kryeqytet, 71-vjetori i çlirimit të Tiranës. Kryeparlamentari Ilir Meta, kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, deputetë, veteranë e qytetarë të shumtë kanë kryer homazhe pranë “Ushtarit të Panjohur” në qendër të Tiranës.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta shprehu mirënjohjen për ata që çliruan Tiranën më 17 nëntor të vitit 1944. Meta deklaroi se mesazhi i asaj kohe përkon sot me një mesazh të rëndësishëm dhe me kontributin që japin sot forcat shqiptare në luftën kundër terrorizmit.

“Do të dëshiroja të shprehja edhe njëherë sot nderimin më të madh edhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë për partizanët që çliruan Tiranën më 17 nëntor të vitit 1944 pas disa javësh betejash të jashtëzakonshme e plot sakrifica, pas gjakut të derdhur nga dhjetëra dëshmorë por edhe për të shprehur mirënjohjen për popullin e Tiranës për barrikadat që ngritën kundër pushtuesit dhe për mbështetjen e partizanëve, por njëkohësisht të mos harrojmë edhe kontributin e aleatëve tanë, britanikëve që dhanë për çlirimin e kryeqytetit. Mesazhi i kësaj lufte përkon sot me një mesazh të rëndësishëm me kontributin që forcat tona japin në luftën kundër terrorizmit, e keqja më e madhe që ballafaqohet sot NATO, Europa, bota, Amerika dhe mbarë njerëzimi. Jemi të bindur se në këtë betejë, Shqipëria është gjithnjë në krah të Forcave më përparimtare më progresive dhe kontributi i Shqipërisë nuk do mungojë asnjëherë”, theksoi Meta.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se pas ngjarjeve të Parisit, Shqipëria duhet të zgjedhë me cilin qytetërim të rreshtohet.

“I uroj qytetarëve Gëzuar Ditën e Çlirimit, sidomos atyre që janë familje dëshmorësh! Mesazhi vjen pas 71 vjetësh po është i njëjti sot. Ajo gjeneratë zgjodhi të ishte me forcat përparimtare. Me ngjarjet e Parisit ne duhet të zgjedhim me cilin qytetërim të rreshtohemi. Tiranasi gjithmonë është në anën e duhur të historisë, sot në anën e Parisit.

Lufta sot nuk bëhet në male, por në zemër të civilizimit. Destinacioni ynë është Perëndimi dhe bota e civilizuar”, tha Veliaj.

Për sa i përket mungesës së këshilltarëve të djathtë, Veliaj u shpreh se 17 nëntori, është për të majtë e të djathtë, secili zgjedh vetë.

VELIAJ: BOTA SOT PËRBALLET ME SFIDA DHE AKTE BARËBARE
Teksa ka folur në ceremoninë në kuadër të 71-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit, kreybashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pohoi se sfida të kohës së sotme nuk i ngjasojnë betejave me armë. “Nuk është një betejë me armë në dorë. Por nuk është me pak e rëndësishme sesa ajo. Kemi sot një sfidë, pasi bota përballet me sfidë dhe akte barbare. Pasi kërkon të zhduk parime dhe zakone. Vetëm 3 ditë më parë kjo barbari zuri dorë mu në zemër të botës, në Paris. Kjo është sfida jonë sot, ashtu si 71 vite më parë, jemi pjesë e kësaj aleance zhvillimi. Shembullin e atyre të rinjve dhe të rejave 71 vite më parë, duhet të jetë shembull i sotëm.”, tha Veliaj.

MOISIU: SHQIPTARËT E SHKRUAJTËN HISTORINË ME GJAK, HISTORIANËT DHE POLITIKA TI PËRMBAHET LINJËS
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, njëherësh ish-n ushtarak, deklaroi se ditën kur Tirana u çlirua, ishte në qytetin e Beratit. “Jemi mësuar ti pranojmë gabimet, dhe kjo është gjë e mirë. Si pjesëtarë i luftës, atë ditë ndodhesha në Beratin e çliruar. Patëm një ndjesi të veçantë kur e dëgjuam si lajm, jo vetëm se ishte kryeqyteti.”, pohoi Moisiu.

Nga ana tjetër ai dha një mesazh të qartë sa i takon historisë së luftës, ndërsa theksoi se shqiptarët e shkruajtën atë me gjak. “I ftoj historianet tanë dhe politikanët që ti përmbahen linjës së historisë. Duhet të jeni krenar me gjakun që derdhi rinia dhe kontributin e tyre. Por në raport me asaj ç’ka ishim, shqiptarët e shkruajtën me gjak historinë.”, tha ish-Presidenti.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb