Në Hong Kong, policia përdori të shtunën gaz lotsjellës dhe ujë me ngjyrë blu kundër protestuesve pro-demokracisë. Megjithëse autoritetet e kishin ndaluar tubimin e së shtunës pas përleshjeve të dhunshme javën e kaluar, demonstruesit e veshur me të zeza sfiduan urdhrin dhe dolën në rrugë.

Protestuesit pro-demokracisë hodhën bomba benzine në serinë e përplasjeve kaotike që e kanë zhytur qytetin e qeverisur nga Kina në krizën më të rëndë politike në dekada.

Policia hodhi bombë pas bombe me gaz lotsjellës dhe protestuesit u përpoqën të mbrohen me çadra në zonën midis selisë lokale të Ushtrisë Kineze dhe asaj të qeverisë. Protestuesit hodhën gjithashtu tulla të nxjerra nga rruga, për t’iu përgjigjur policisë.

Policia përdori ujë të lyer me ngjyrë blu, për ta bërë më të lehtë identifikimin e protestuesve.

Policia e veshur me pajisje speciale marshoi në këmbë drejt zonës marshoi më pas në këmbë drejt lagjes Admiralty, e ndjekur nga 20 makina policie, ku protestuesit kishin përdorur shishe me benzinë nga mbikalimet, disa prej të cilave kishin rënë pranë forcave të rendit.

Të tjerët u drejtonin rreshtave të policisë rreze lazer në ngjyrë të gjelbër dhe blu.

Ka njoftime të pakonfirmuara për plagosjen e një polici, i cili nuk ishte në detyrë.

Në lagjen e bareve dhe restoranteve Wanchai, policia zhvilloi beteja në rrugë me protestuesit, duke përdorur shkopinj gome kundër tyre. Njoftohet për disa arrestime.

Një ditë më parë, policia e Hong Kongut arrestoi më shumë se 20 aktivistë pro demokracisë dhe ndaloi një marshim të propozuar, në përpjekjet e saj për të shtypur lëvizjen anti qeveritare që po bëhet gjithnjë e më e tensionuar.

Disa ligjvënës, aktivistë dhe udhëheqës të njohur studentorë u akuzuan të premten për shkelje të ligjeve, një hap që kritikët e shohin si përpjekje të qartë për të dekurajuar mbështetësit dhe për t’i dhënë fund protestave gati tre mujore.

Një përpjekje e qytetarëve për të ndaluar një ligj të debatueshëm të autoriteteve që lejonte ekstradimet drejt territorit të Kinës, u shndërrua në fushatë masive për të drejtat demokratike.

Përkrahësit e demokracisë thanë se vendimi i qeverisë për të ndaluar aktivistët do t’i zemërojë më shumë banorët, të cilët kërkojnë zgjedhje demokratike dhe dhënien fund të brutalitetit që tregon herë pas here policia./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb