Katër aktivistë në Hong Kong janë dënuar me burg për pjesëmarrje në një manifestim të heshtur të qirinjve të vitit të kaluar ku u përkujtua masakra e Pekinit e vitit 1989, ngjarje e cila nga autoritetet lokale u konsiderua e paligjshme.

Siç raporton ‘RTHK News’, gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Hong Kong, Stanley Chan, për pjesëmarrje në manifestimin e heshtur shqiptoi dënime kundër aktivistit Joshua Wong, si dhe tre këshilltarëve të rrethit, Lester Shum, Tiffany Yuen dhe Jannelle Leung.

Pasi u deklarua fajtor, Wong u dënua me 10 muaj heqje lirie, Shum me gjashtë muaj, ndërsa dy gratë, Yuen dhe Leung, me nga katër muaj heqje lirie.

Akuzat u ngritën kundër një mbledhjeje të vitit të kaluar në ‘Victoria Park’ ku u përkujtuan viktimat e masakrës së vitit 1989 në sheshin Tiananmen të Pekinit. Gjyqtari Chan theksoi se ka pasur një “rrezik të mundshëm të dhunës në ngjarje”.

Rasti po ashtu përfshin 22 aktivistë të tjerë. Siç është planifikuar, ata do të paraqiten në gjykatë muajin tjetër. Dy prej tyre, Nathan Law dhe Sunny Cheung, janë larguar nga Hong Kongu.

Autoritet lokale për herë të parë refuzuan të japin leje për manifestimin vjetor të heshtur të qirinjve duke përmendur koronavirusin e ri (COVID-19).

Chan tha se ata katër të dënuarit me burg akuzohen se ishin “figura politike” që shpërndanë foto në mediat sociale “duke treguar se ata ishin pjesëmarrës” dhe duke mohuar argumentet e tyre se “kishin vetëm një rol pasiv në manifestimin e heshtur”.

Muajin e kaluar, Wong u dënua me burg për katër muaj për një tubim tjetër të paautorizuar më 5 tetor të vitit 2019. Gjykata vendosi që dënimin e fundit të tij me burg ta vuajë pasi të përfundojë dënimin e parë.

Wong, Shum dhe Yuen po ashtu akuzohen për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare me mbajtjen e sondazheve primare për zgjedhjen e kandidatëve të Këshillit Legjislativ të Hong Kongut dhe tashmë ata ishin prapa hekurave në pritje të gjykimit

Në vitin 2019 në Hong Kong shpërthyen protestat kundër-qeveritare në përgjigje të projekt-ligjit tani të ndaluar të ekstradimit. Si rezultat, në muajin korrik të vitit të kaluar Pekini miratoi një ligj të diskutueshëm të sigurisë kombëtare, i cili tërhoqi kritika të gjera.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb