SHBA-Trupat e dy fëmijëve janë gjetur të ngrirë në frigoriferin e një banesë në Detroit të SHBA-së.

Trupat e një vajze dhe një djali, përkatësisht 11 dhe 14 vjeç, u gjetën në frigoriferin e banesës rastësisht nga një zyrtar përgjegjës, i cili kishte shkuar për të dëbuar familjen pasi nuk kishin paguar qiranë e shtëpisë.

Sipas policisë e cila mbërriti në vendngjarje pas sinjalizimit, në banesë jetonte nëna e viktimave së bashku me dy fëmijë të tjerë.

Nëna e identifikuar si Mitchelle Blair, 35 vjeç u shoqërua nga policia, ndërsa dy vëllezërit po merren në pyetje nëse kishin dijeni për vëllain dhe motrën e tyre që u gjetën të ngrirë në frigorifer.

Sipas policisë gruaja e shoqëruar prej kohësh ishte marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen e fëmijëve, por ndaj saj nuk ishte ngritur asnjë akuzë.

Ende nuk dihen shkaqet dhe mënyra e vdekjes së dy fëmijëve, ndërkohë që pritet të bëhet ekspertiza.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb