VLORE– Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në Vlorë. Barinjtë e fshatit Karbunarë kanë gjetur afër rrugës së vjetër të këtij fshati një kokë njeriu të prerë. Menjëherë barinjtë kanë njoftuar policinë, e cila ka nisur hetimet.

Koka është gjetur e shkëputur nga trupi, dhe ka një vrimë, e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga një plumb. Koka u gjet në një parcelë, dhe kjo mendohet të jetë bërë qëllimisht, pasi në periudhat e dimrit në këto zona nuk ka thuajse fare lëvizje.

Nisur nga gjendja e dekompozuar e kokës së prerë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth tre muaj më parë.

Një tjetër dyshim është se personi mund të jetë vrarë diku tjetër, dhe koka mund të jetë shkëputur nga kafshët e egra.

Koka e gjetur është dërguar për ekzaminim, ndërsa po vijojnë kërkimet për trupin e viktimës.

Sakaq, Policia ka nisur hetimet edhe për rastet që janë denoncuar persona të zhdukur, për të arritur në identifikimin e viktimës.

“Ditën e djeshme rreth orës 13:55, në fshatin Karbunarë, në rrugën e vjetër të këtij fshati është gjetur një “kokë njeriu”, në një zonë të pyllëzuar.

Policia pasi ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se koka është e dekompozuar.

Priten ekzaminimet laboratorike në lidhje me identifikimin dhe të çdo detaji tjetër në lidhje me këtë ngjarje.

Vazhdojnë hetimet për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

(el.sp/balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: