Viti 2021 për 1 mijë banorë të fshatit Hotolisht të Librazhdit ka nisur me lajmin e mirë të përfundimit të investimit për ujësjellësin e ri.

Ky investim i Bashkisë së Librazhdit ka bërë të mundur furnizimin me ujë të banorëve të kësaj zone në kohë të plotë, 24 orë dhe me cilësi, pasi uji merret nga burimet malore mbi 1 mijë metra.

Ujësjellësi ka një gjatësi prej 16 km, i pajisur me puseta kontrolli dhe reduktorë presioni, si dhe tubacion të cilësisë më të lartë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra teksa pa nga afër punimet kërkoi mirëkuptimin e banorëve dhe për vendosjen e matësave të cilat do të sigurojnë faturimin korrekt dhe mosshpërdorimin e ujit të pijshëm.

“Është një investim shumë i madh. Sikurse qyteti i Librazhdit, edhe kjo zonë e merr ujin e pijshëm në lartësi mbi 1 mijë metra duke garantuar cilësinë, por edhe kohën 24 orë furnizim.

Vendosja e matësave është detyrim. Për familjet e varfëra kemi menduar që bashkia do të sigurojë mbështetje. Por uji i pijshëm është një pasuri për të cilën duhet të kujdesemi të gjithë.

E fillojmë vitin 2021 në krye të shumë punëve pasi këtë investim zona e ka pritur prej 30 vitesh, por u desh të merrnim administrimin e kësaj njësie për t’ju rikthyer punëve”, deklaroi Balla.

Ndërsa kryebashkiaku Gurra në fjalën e tij tha se para Reformës Administrative Territoriale, investime të tilla ishin të paimagjinueshme.

“Nga ky investim përfitojnë rreth 1 mijë banorë. Ky është një ujë shumë cilësor. Është një investim i Bashkisë Librazhd. Para 5 vitesh, para Reformës Territoriale as mund të mendohesh se bashkia do të ishte në gjendje të kryente të tilla investime. Po përpiqemi që edhe në fshatra të tjerë të ndërtojmë ujësjellësa të rinj, për të mbajtur fjalën e dhënë që të çojmë në çdo familje ujë cilësor”, tha Gurra.

Banorët kishin vite që kërkonin ndërhyrjen në sistemin e ujit të pijshëm sidomos përsa i përket cilësisë së tij.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb