TIRANË – “Porositësi i vrasjes së dy deputetëve, Doshi dhe Fufi, ka nofkën “Toni”. Ai është larguar për në Gjermani sapo ka mësuar se atentatori i paguar prej tij, Durim Bami, ishte penduar dhe nuk i ka kryer vrasjet. Porositësi është identifikuar; ka një aktivitet të shërbimit social në Bllok.”

Këto fakte të reja lidhur me çështjen “Tom Doshi” ka sjellë sonte në emisionin “Studio e hapur” të Eni Vasilit në “News 24”, gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha. Po ashtu, ai ka zbuluar edhe përfshirjen e një personi të tretë me nofkën “Rezi”, i cili ka mbikqyrur lëvizjet e deputetëve sipas së njejtës skemë që u përdor për vrasjen e bankierit Santo, me një motorr. Ky person ka qënë shoqërues i personaliteve të larta, – tha Hoxha. – Dhe këto informacione unë i kam nga Policia, nga Prokuroria, nga hulumtimet tona.”

“Pra, personi ekziston, – theksoi gazetari, – historia e treguar nga Doshi nuk është aq pa bazë. Pak më parë pamë një deklarim të opozitës që thoshte se personi që do të kryente atentatet, po mbahet në birucë dhe po shantazhohet. Nëse Durim Bami është personi që ka marrë përsipër të kryejë ngjarjen, rezulton se ka një shtetas tjetër që është porositësi.

Cili është porositësi? Ai që është paraqitur në emër të një autoriteti më të lartë se ai dhe i ka kërkuar Bamit të marrë përsipër këtë punë, duke ofruar 500 mijë euro për eliminimin e Tom Doshit dhe 100 mijë euro të deputetit tjetër, Mhill Fufit.

Çudia është se porositësi është larguar nga Shqipëria! Si e ka marrë vesh këtë? Nga ka ndodhur rrjedhja e informacionit? Po e them me siguri se ai është identifikuar, ndodhet në Gjermani në dijeninë time, ka një aktivitet të shërbimit social në zonën e Bllokut. Agjensitë e zbatimit të ligjit e dinë atë. Ai është paraqitur në emër të një njeriu më të fuqishëm se ai, siç akuzon z.Doshi, nga z.Meta, por porositësi i është paraqitur Durim Bamit,”- deklaroi Hoxha.

Pra, “kemi të dhëna për një grup që ka funksionuar me të paktën 5 persona, – shtoi ai. – Kemi porositësin, atë që mori përsipër ta kryejë atentatin, dy vëzhgues të deputetëve dhe një tjetër, që bëri tentativën për atentat pranë Gjykatës Kushtetuese muaj më parë.”

“Tufani” që deputeti socialist Tom Doshi ngriti në politikën shqiptare është objekt i emisionit të sotshëm “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili. Katër të ftuarit janë: Alfred Peza, deputet i PS-së; Paskal Milo, kreu i PDS; Arjan Vasjari, gazetar dhe Enkelejd Alibeaj, ish-Ministër i Drejtësisë.

Gazetari Artan Hoxha ka rrëfyer evoluimin e ngjarjeve që nga shpërthimi i akuzave të Doshit deri tek arrestimi i atentatorit të porositur, Durim Bamit dhe së fundi, tek identifikimi i porositësit të vrasjeve dhe njerit prej gjurmuesve.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb