PRISHTINE-Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij në mbështetje të versionit origjinal të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, të nënshkruar në vitin 2015. Hoxhaj, në një intervistë dhënë sot, ka thënë se nuk është detyrë e komisionit të merret me opinionin publik dhe të reagojë për çdo situatë, por ka treguar që presin një raport të plotë nga ky komision për të diskutuar më pas sipas të vërtetave dhe fakteve.

Hoxhaj tha se marrëveshja për kufirin e vitit 2015 paraqet gjendjen reale të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ai ka përkujtuar se edhe në rastin e përcaktimit të vijës kufitare në mes të Sllovenisë dhe Kroacisë, Gjykata e Arbitrazhit ka nxjerrë verdiktin final duke u bazuar në parimet kadastrale, parime këto që Hoxhaj thotë se janë përdorur edhe në shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Marrëveshja e nënshkruar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi e pasqyron gjendjen reale të kufirit në mes të Kosovës dhe këtij shteti fqinj. Për rrethanat aktuale, duhet përkujtuar se edhe në rastin e përcaktimit të vijës kufitare mes Sllovenisë dhe Kroacisë, Gjykata e Arbitrazhit ka nxjerr verdiktin final duke u bazuar në parimet kadastrale, parime këto që janë përdorur në shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Prandaj, pres një raport i cili sa i takon metodës dhe fakteve do ta përshkruajë gjendjen reale”, deklaroi Hoxhaj./tg

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: