Krerët e shtetit të Kosovës kanë reaguar, pas vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj i ka quajtur lojëra të rrezikshme veprimet e Vuçiçit, pasi sipas tij, në Kosovë ka ardhur me libër udhërrëfyesin e Millosheviçit.

Përmes një postimi në Twitter, Hoxhaj, ka kërkuar nga BE-ja që ta dënojë menjëherë një politikë të tillë.
“Vuçiç po luan lojëra të rrezikshme kur në Kosovë vjen me libër-udhërrëfyesin e Millosheviçit. Serbia po rikthehet në të kaluarën e saj të errët dhe BE-ja duhet të dënojë menjëherë një politikë të tillë. Kjo vizitë e vë në dyshim rolin e BE-së në dialog, nëse ajo po bëhet nga lehtësues në pengues të saj”, ka shkruar Hoxhaj.

Sot gjatë ditës, pavarësisht vendimit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që t’i revokojë lejen presidentit serb që të vizitojë fshatin Banjë të Skenderajt, Vuçiç ka tentuar të shkojë, duke u ndaluar kështu nga qytetarët, të cilët kanë bllokuar rrugët kryesore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb