Organizata ndërkombëtare joqeveritare Human Rights Watch (HRW), e cila merret me hulumtime dhe avokime mbi të drejtat e njeriut, ka kërkuar nga autoritetet në Guinea Ekuatoriale të ftojnë ekspertë ndërkombëtar për të kryer një hetim të pavarur për shpërthimet që vranë mbi 105 persona dhe plagosën rreth 615 të tjerë.

HRW theksoi se bazuar në numrin e trupave të nxjerrë nga rrënojat, numri aktual i viktimave është shumë më i lartë nga ai që zbuloi qeveria.

HRW tha se raportet e paverifikuara pretendojnë se zjarri i të dielës u shkaktua nga ushtarë të urdhëruar që më pas u përhap në armaturën e ushtrisë ose ishte nisur gjatë trajnimit për përdorimin e eksplozivëve të humbur.

“Përgjigja e qeverisë ndaj shpërthimit ka nxjerr në shesh shpërfilljen e saj të pashpresë për mirëqenien e popullit të Guineas Ekuatoriale”, tha Sarah Saadoun, studiuese e lartë e biznesit dhe e të drejtave të njeriut në HRW.

“Pavarësisht se çfarë e shkaktoi shpërthimin, populli i Guineas Ekuatoriale meriton të di pse ushtria po ruan eksplozivë në mes të një zone të populluar, nëse ka ndonjë substancë tjetër të ruajtur që paraqet rrezik të pashmangshëm publik dhe çfarë qeveria po bën për të parandaluar një tjetër shpërthim të ngjashëm në të ardhmen”, tha Saadoun.

Drejtori i grupit ‘EG Justice’ që promovon të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë në Guinean Ekuatoriale, Tutu Alicante, tha se njerëzit në qytetin Bata janë “ofenduar”.

“Ata meritojnë përgjigje të besueshme për atë që ka ndodhur, si dhe mbështetje të menjëhershme për të trajtuar të plagosurit, për të strehuar të pastrehët dhe për të rindërtuar qytetin. Mënyra e vetme për ta ofruar atë është përmes një hetimi të pavarur dhe ndihmës ndërkombëtarë që shkon drejtpërdrejtë për njerëzit e prekur”, tha Alicante.

Presidenti i Guineas Ekuatoriale, Teodoro Obiang Nguema Mbasogo, tha se ai udhëzoi autoritetet të hetojnë incidentin për të rregulluar përgjegjësitë dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Ai u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë.

Ai tha se aksidenti ka ndodhur për shkak të “neglizhencës dhe keqpërdorimit të dinamitit” në kazermat ushtarake në lagjen Mondong Nkuantoma që dëmtoi pothuajse të gjitha shtëpitë dhe ndërtesat në Bata.

Ministri i Punëve të Jashtme, Simeon Oyono Esono Angue, e përshkroi situatën si katastrofike dhe u lut për mbështetje ndërkombëtare.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb