Edicioni i VI i “Ditëve të kujtesës”, një aktivitet i përvitshëm i Institutit për Demokraci Media e Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) do të mbahet në Tiranë në datat 19-26 shkurt.
Këtë vit bëhen 3 dekada që nga rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, më 20 shkurt 1991.
Ngjarja e cila shërbeu si akti simbolik që shënoi rënien e regjimit totalitar në vend, 30 vite më pas, shërben si pikë fillese, për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar në shoqërinë shqiptare që prej asaj date?
Ndër vite, pyetjet që janë shtruar, janë disa: a ra diktatura gjysmëshekullore komuniste përmes një “revolucioni popullor nga poshtë”? Cilat ishin sfidat e drejtësisë tranzitore për dënimin e krimeve të komunizmit? Cilat janë politikat e kujtesës që u aplikuan në këto dekada dhe si e ndikojnë ato qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj kësaj periudhe të errët historike?
Sa e njohim ne komunizmin dhe sa dijeni kemi për ato që ndodhen gjatë dekadave të pushtetit autoritar? Sa të vetëdijshëm jemi për pasojat e asaj periudhe dhe sa ka ndikuar qasja ndaj të shkuarës ndaj qasjes që kemi kundrejt të përditshmes sonë? Çfarë u bë me dënimin e politikave dhe emrave të përfshirë në krime?
Kultura e pandëshkueshmërisë, që nisi po tri dekada më parë, a është riprodhuar në të përditshmërinë tonë kundrejt dukurive të demokracisë?
“Ditët e Kujtesës” e çelin siparin e aktiviteteve, me forumin online: “30 VJET MË PAS, SA E NJOHIM KOMUNIZMIN?”.
Folësi kryesor i këtij edicioni do të jetë historiani i mirënjohur, Prof. Dr. Oliver Schmitt (Austri), i cili do të referojë në ceremoninë e hapjes më 19 Shkurt 2021, me temën “Komunizmi në Shqipëri- perspektiva krahasuese”.
Të pranishëm në aktivitetin e IDMC-së do të jenë, presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z.Vincenzo del Monaco, drejtori i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Tobias Rutterhof, historiania shqiptare, znj.Valentina Duka, historiani shqiptar në SHBA z.Elidor Mëhilli, historiani zvicerian, z.Daniel Ursprung. Fjala e mireseardhjes mbahet nga drejtoresha e IDMC, Jonila Godole.

Përgjatë javës së kujtesës, IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me ISKK, Ambasadën Austriake në Shqipëri, kujto.al, Shoqatat e ish- të përndjekurve politikë dhe aktorë të tjerë të fushës do të sjellin aktivitete të përditshme me qëllim forcimin e dialogut mbi të shkuarën dhe njohjen më të mirë të regjimit komunist, si: forume diskutimi, prezantim ekspozitash, vizita studimore në Vendet e Kujtesës, shfaqje filmash e dokumentarësh, prezantim publikimesh, etj.

Një studim mbi filmat e prodhuar para 1990-ës, nëse janë do të prezantohet gjatë këtyre ditëve ndjekur nga një tryezë diskutimi me temë “Kinostudio – Propagandë apo Trashëgimi Kombëtare”. Pas prezantimit, mbi filmat e prodhuar gjatë diktaturës, do të mbahet një diskutim ku marrin pjesë, Drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole; shkrimtari Agron Tufa; Drejtoresha e Arkivit te Filmit, Iris Elezi; Esat Musliu, Drejtori i Forumit për Mbrojtjen e të drejtave Audiovizuale dhe pedagogu Ergys Mertiri, studiues pranë ISKK-së.

Whatsapp Image 2021 02 16 At 3.09.15 Pm (1)
Whatsapp Image 2021 02 16 At 3.09.15 Pm (1)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb