*Ngrihet komisioni për dekriminalizimin, ja emrat-
*Kuvendi shqyrton dekretin e presidentit për ligjin e borxhit-
*Ahmetaj, PD-së: E moret ekonomine me 6.5% dhe e late me 1.5% rritje-

TIRANË- Parlamenti rrëzoi me 75 vota dekretin e Presidentit Nishani për kthimin e ligjit për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Shqipëri. Gjatë diskutimeve opozita u shpreh kundër, duke theksuar se ky ligj ka për qëllim vetëm të mbushë xhepat e qeveritarëve dhe të thellojë gjendjen e rëndë financiare. Deputeti demokrat Edmond Spaho tha se këto ndryshime nuk lejohen nga neni 166 i Kushtetutës. Por nga ana e tij, Ministri i Financave Shkëlqim Cani iu përgjigj akuzave të opozitës, duke u shprehur ishin ata që e lanë vendin në krizë të thellë financiare. Sipas tij, ligji i buxhetit e ka të përcaktuar nivelin maksimal të borxhit dhe qeveria do ta respektojë atë. Për deputetin demokrat Shrefedin Shehu, me këtë ligj huaja krijon devijime financiare.
Ndërsa deputeti socialist Erjon Brace nënvizoi se pavarësisht marrëveshjes, çdo qindarkë e negociuar do kalojë në Kuvend. Për të kundërshtuar këtë ligj, ish-kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se nga ana e saj PD do të nisë të dërgojë letër të gjitha bursave të njohura, duke i njoftuar se opozita nuk do të njohë borxhet që mund të marrë qeveria. Parlamenti miratoi gjithashtu ngritjen e  Komisionit për Dekriminalizimin, vendosur pas Rezoltutës së firmosur nga pozita dhe opozita në dhjetor të vitit 2014 me ndërmjetësinë e dy eurodeputetëve. “News 24” mëson se në Komision do të marrin pjesë:

Nga mazhoranca:
Spartak Braho
Armando Subashi
Piro Lutaj
Ulsi Manja

Nga opozita:
Oerd Bylykbashi
Eduard Halimi
Gent Strazimiri

Po ashtu, ka nisur dhe diskutimi i disa projektligjeve sipas rendit të ditës. Gjatë diskutimit të projektligjit për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, deputeti dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se të dhënat e fundit ekonomike, tregojnë se Shqipëria po shkon drejt recesionit, ndërsa ka akuzuar qeverinë për tirani në lidhje me politikat ekonomike. Ai është kundërshtuar më pas me shifra nga ministri Arben Ahmetaj.

DEKRIMINALIZIMI, MIRATOHET ME 102 VOTA PRO NGRITJA E KOMISIONIT PARLAMENTAR

Ora 19:05 – Me 102 vota pro, Kuvendi miratoi sot në mbrëmje ngritjen e Komisionit Parlamentar që do të shërbejë për  dekriminalizimin e parlamentit.  Në krye të këtij Komisioni, do të jenë deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, ndërsa nënkryetar, deputeti i PS-së Taulant Balla.
Miratimi këtij komisioni vjen pas marrëveshjes së dhjetorit mes PD dhe PS, një pikë e fortë kjo e kësaj marrëveshje kërkuar nga opozita. Dy ditë më parë kreu i selisë blu, Lulzim Basha tha se shikonte një mungesë vullneti nga ana e mazhorancës për të ecur përpara me zbatimin konkret të marrëveshjes për dekriminalizimin.

MIRATOHET ME 109 VOTA PRO, PR/LIGJI “PËR MEDALJET NË FORCAT E ARMATOSURA”

Ora 19:00 –Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 109 vota pro dhe 1 kundër projektligjin “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Gjatë diskutimeve në seancë plenare, deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati u shpreh se në forcat e armatosura po promovohen vetëm persona të lidhur me politikën, në vend që të vlerësoheshin aftësitë e tyre profesionale.
“Sot ka dy ligje të përgatitura që në kohën e qeverisë “Berisha, si ligji për QKR-në dhe ligji për medaljet. Sidoqoftë është një eufemizëm diskutimi për ligjin për medaljet dhe në situatën ku ndodhemi. Pak muaj më parë, keni bërë një promovim të pafund të ish-bllokmenëve apo të ish-sigurimsave. Problemi i vetëm është se meqë ju promovoni njerëzit tuaj, më vjen keq që ata ish pronarë apo ish të persekutuar gënjehen nga mashtrimet tuaja, pasi po promovoni vetëm ish- bllokmenë”, tha Helidon Bushati, ndërsa solli në vëmendje largimin nga Forcat e Armatosura të Dritan Demiraj.

Sipas tij, Ministria po ndjek standarde të dyfishta, pasi ky dikaster nuk ka marrë masa të njëjta edhe për 300 ushtarakë që janë larguar nga territori shqiptar dhe nuk kanë pasur asnjë masë disiplinore.
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko vlerësoi se tashmë medaljet do të shoqërohen edhe me një shpërblim monetar.
“Dua të them se ky motivim nuk është vetëm moral, por këto dekorata shoqërohen dhe me shuma të konsiderueshme. Para disa ditësh qeveria ka nxjerrë edhe një vendim që rrit masën e shpërblimit për forcat e armatosura për ushqimin që ju ia hoqët. Është detyra jonë që t’u japim mbështetje forcave të sigurisë së këtij shteti, si Forcave të Armatosura dhe atyre të Policisë”, – tha Çuko.
Krahas kësaj Kuvendi miratoi me 104 vota pro dhe 2 abstenim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr 112/2013 “Për Dekoratat, Titujt e Nderit, Medaljet dhe Titujt Vendor të Nderit në Republikën e Shqipërisë”.

BERISHA PËRGJIGJET NGA VENDI: PO RRËZONI FINANCAT PËR QËLLIME ELEKTORALE
Ora 15:40-Nuk ka qëllim tjetër vetëm qëllim elektoral. Të rrëzosh financat për qëllime elektorale kryen krimin më të madh të këtij vendi. Kujt i përket borxhi? I përket parlamentit. A besohet se një njeri që iu vodh floriri të thotë se atje nuk ka pasur flori. Ne nuk kemi ndërruar asgjë, ne kemi respektuar Kushtetutën. Do shkojmë në gjyq për atë punë, po po. Pra si mund t’i besohet ky ligj një grupi kleptokratësh të tillë? A e dini ju more zotëri se vendet e BE kanë vendosur me Kushtetutë nivelin e borxhit? Kanë vendosur nivelin e borxhit jo me ligj. Me kushtetutë e ka vendosur Gjermania. Kurse këta zotërinj duan të heqin kontrollin parametra mbi borxhin. Ky akt bie ndesh me interesat e popullit shqiptar

CANI: MASHTRUSA, KUFIRI I BORXHIT ËSHTË I CAKTUAR NË BUXHET JO NGA QEVERIA
Ora 15:20-“Kufiri i borxhit është i caktuar në buxhet nuk venoset nga qeveria”, u shpreh ministri i Financave Shkëlqim Cani.

Ministri ka reaguar i indinjuar ndaj deklarateve të Berishës duke e akuzuar si kryekrijuesin e gjithë të këqijave.
“Kryekrijuesi i gjithë këtyre të këqijave gënjen, ti vetëm zgërdhihesh, ta çosh ekonominë njëherë në vitin ‘97 e njëherë në gropë. Hiqe nga mendja se do e bësh këtë. E vlerësoj zotin Mima për mençurinë por dua ta vlerësoj për mencurinë por dhe për problemin sublim. E verteteta është
Ai që është mashtrues është mashtrues, shifrat janë, mos merrni rastin grek, por ke një rast mashtrusash këtu që nuk ka ku të shkojë më.
Zoti i shpi suaj nuk ka shumë kohë të merret me këto punë, në ligjin e buxhetit është dhe i keni aty gjithçka. I zoti i shpis iku tani të hajë drekë, pastaj vjen nis nga e para, flet për palma dhe napalma.
Kuvendi dhe me këtë ligj mbetet plot me saktësi ai që do të japë kontrollin dhe vulën për kreditë. Është e thënë shprehimisht, që është një merak i madh dhe se ju mbetët duke e gënyer këtë popull”

Sipas tij, ligji synon të përmirësojë kuadrin ligjor shqiptar lidhur me huamarrjen për ta përshtatur me kërkesat e vendit, por edhe në raport me kuadrin ligjor ndërkombëtar. “Ligji nuk mund të rrijë statik i të metave të së shkuarës. Duam të ulim koston e huamarrjes sepse ky popull nuk e meriton të paguajë kosto të larta për borxhin publik”, deklaroi Cani.

Kuvendi, tha ai, do të japë vulën për kreditë. Ai foli edhe për letërkreditë për të cilat opozita e ka akuzuar se ka rritur fiktivisht nivelin e investimeve publike në fund të vitit 2014. Cani tha se, gjithçka është e bazuar në ligj. Ju, akuzoi Cani opozitën, e rrënuat Shqipërinë dy herë, në vitin 1997 dhe në vitin 2013.

PROJEKTLIGJI PËR HUAMARRJEN, BERISHA: TREGUAT SE JENI NJERËZIT MË AVENTURIERË PËR FINANCAT
Ora 15:00- Gjatë diskutimit të projektligjit për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror, garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë, ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sipas tij investimet që kanë bërë ministritë ndërsa e quajti draftin një aventurë. Berisha tha se qeveria nuk ka përfunduar projektet e nisura dhe nuk ka bërë asnjë investim në rrugë e shkolla.
“Një VC me 3 aksesorë 83 mln lekë fatura. Sa është fatura e mureve të kryeministrisë? Nga dekreti i gropës kaluat tek buxheti i gropës. Kur u thosha se në Korçë ishte investuar më shumë në 20 vite, ishte e vërtetë se u asfaltuan qindra kilometra rrugë. Ai funksionon me papagaj, i çon në studio televizive. Arriti deri aty sa të thoshte se Riformato e çoi rrotën përtokë se e telefonoi Berisha. Është e regjistruar. E çuat borxhin. Nuk ndërtuat një shkollë të vetme. E dini sa po harxhon Ministrja e Arsimit për zyrat e veta 1.1 mln dollarë, tenderi i fundit. Ajo harron se me këto norma morale që futi në arsim, ajo mbetet Ministrja e Lizës”, tha Berisha.
Sipas Berishës, qeveria uli rrogat. “Më thoni ju mue? Rrogat i ulët, shihni situatën e listave. Harruat njeriun që vraponte dhe zotohej dhe betohej për listat, pavarësisht se vetë ishte rritur në bllok. A shkoni prapë të shihni listat. Ju keni historira të tmerrshme. Historia juaj është vjedhja e floririt. Ish-guvernatori tha se në Kërrabë s’ka patur flori. Me këtë ligj ju treguat që jeni njerëzit më aventurierë për sa i përket financave”, u shpreh ish-kryeministri.

KUVENDI SHQYRTON DEKRETIN E PRESIDENTIT PËR LIGJIN E BORXHIT
Ora 14:40-Kuvendi nisi shqyrtimin e dekretit të Presidentit që ktheu për rishqyrtim Ligjin e ri të Borxhit. Ligji zhvesh qeverinë nga detyrimi për t’i miratuar në Parlament kredite që merr në tregjet ndërkombëtare. Në dekret, Presidenti argumenton se kjo shkel Kushtetutën.

Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, theksoi në fjalën e tij se ligji është kushtetues. Ky ligj, tha ai, nuk thyen kufirin e borxhit, por thjeshton procedurat e marrjes së borxhit. “Duke i bërë një analizë argumenteve kryesorë, që janë përdorur në relacionin shoqërues të Dekretit të Presidentit, nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese, sikurse është shprehur edhe Komisioni i Ligjeve në mbledhjen ku u diskutua ky ligj, janë tërësisht të tejkalueshme për të mos cënuar Kushtetutën e Republikës”, tha deputeti i PS-së, Anastas Angjeli.

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, deklaroi se këto ndryshime nuk lejohen nga Kushtetuta. Gjithashtu, ai theksoi se Qeveria është e papërgjegjshme dhe nuk duhet lejuar që të bëjë ndryshime kushtetuese për huamarrjen.

Neni 121 i Kushtetutes detyron që marrja përsipër e detyrimeve financiare nga jashtë duhet të kalojë me ligj të veçantë në Parlament. Kjo ka krijuar një ngërç me kosto publike, pasi kur del në tregun e lirë ndërkombëtar, Shqipëria duhet të publikojë normën e interesit në avancë ende pa u zhvilluar ankandi. Por, sipas qeverisë, ligji i ri e korrigjon këtë ngërç dhe lehtëson qytetarët nga kostot e borxhit.

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ktheu në Kuvend në mesin e muajit janar ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, pasi e cilësoi si antikushtetuese nismën e qeverisë. Në dekretin e kreut të shtetit, ligji numër 181 për marrjen e borxheve apo kredive të qeverisë pas miratimit të Kuvendit, cilësohet nga Presidenti si një veprim që bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit shqiptar.

PD-TABAKU: PRO MIRATIMIT TË PROJEKTLIGJIT PËR QENDRËN KOMBËTARE TË REGJISTRIMIT
Ora 12:10-Në emër të grupit parlamentarë të Partisë Demokratike, foli sot në Kuvend Jorida Tabaku, e cila në diskutimin e saj për projektligjin për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit,  u shpreh se “ne jemi dakort në parim të miratohet një ligj i tillë, pasi prej tre vitesh po punohet për këtë ligj dhe është i njësuar me standardet e Bashkimit Evropian”.

Tabaku në vijim të fjalës së saj u shpreh se “Në emër të Partisë Demokratike jemi në mbështetje të ligjit për “Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, sepse ka lidhje me përafërimin e ligjislacionit tone me legjislacionin e BE-së dhe së fundmi sepse vazhdon me përmiresimin e disa procedurave të të bërit biznes në Shqipëri”.

Ajo bëri një ekspoze të ekonomisë, duke u shprehur se “eksportet e mallrave u ulën me 10% në krahasim me nëntorin e një viti më parë. Rritja ekonomike për tremujorin e fundit ishte 0,6%, ndërsa 80% e vlerës së shtuar në ekonomi gjatë vitit të shkuar e ka marrë shteti, asnjë lekë për biznesin. Taksa e sheshtë nga 10% në 15% dhe e gjithë kjo taksë ka shkuar në xhepat e shtetit, asnjë vlerë e shtuar në ekonomi. Por, bëma e fundit ishte kur para disa ditësh dëgjuam se Shqipëria është lider në rajon, por nuk është e vërtet, sepse të gjithë treguesit deshmojne të kundërtën. Ky është një vend me rënie ekonomike, me papunësi, kriminalitet, një vend ku sundon ligji i kryeministrit”.

“Në emer të Partisë Demokratike shpreh mbështetjen për ligjin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, reformat të cilat janë bërë përgjatë tetë vitesh dhe shpresojmë se sugjerimet tona do të merren parasysë në seancen e sotme”, u shpreh Tabaku.

AHMETAJ, PD-së: E MORET EKONOMINE ME 6.5% DHE E LATE ME 1.5% RRITJE
Ora 11:00 Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj ka akuzuar opozitën për rëniën drastike të ekonomisë me 6% në tetë vjet. “Banka e Shqipërisë ka qënë dhe ëhstë e pavarur dhe raporti i saj është referencë për ne, qoftë kur del mirë, qoftë kur del keq. A mund t kujtoj se në 205, rritja ekonomike ka qënë 6.5% ndërsa në 2013-ën, ka qënë 1.5%. Arsyeja janë politika juaj, taksa e sheshtë, klima e biznesit etj. Çfarë janë 726 milionë USD që ju ia morët me dhunë biznesit, klimë e mirë? Vetëm në 2014-ën ne kemi kthyer mbi 400 milionë USD që të përmirësonim klimën e biznesit. Nuk është e rastësishme që nga B Negativ ne kaluam me B pozitiv. Dhe në botën tonë, B pozitiv ende nuk është aty ku duhet. Për herë të parë në 2014-ën, në Shqipëri u importuan makineri e pajisje në vlerën 1.1 miliardë USD. Po ku shkojnë ato, përse shërbejnë?!”

MEDIU: NDRYSHIMI I KONTRATAVE TË BIZNESIT PO KRIJON PASIGURI 

Ora 10:50 “Qeveria tirani, synon ndrydhjen dhe kontrollin ekonomike të shoqërisë shqiptare. Jemi zgjedhur për t’i shërbyer të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Çdo shtet ka rrugën dhe vazhdimësinë e vetë. Çdo kryeministër ka të drejtën e tij, por asnjë nuk fillon nga hiçi siç deklaron qeveria sepse nga hiçi del hiçi. Situata po shkon drejt krizës. Ndryshimi i kontratave të biznesit vendas dhe të huaj, po krijon pasiguri tek ta. Të dhënat ekonomike, shumë shqetësuese dhe alarmante. Të dhënat e INSTAT se ekonomia shqiptare nuk po shkon në drejtimin e duhur. Është krijuar një borxh i ri për biznes. Borxhi publik rritje. Pagat reale 6% më të ulëta se vitit i kaluar. Niveli i papunësisë është rritur më shumë se 3%. Shqipëria po shkon drejt recesionit. Nëse QKR e QKL nuk harmonizohen në një paketë të përbashkët për biznesin, Shqipëria s’ka për të ecur në drejtimin e duhur, por do të shkojë drejt recesionit, do të rritet papunësia.”

Parlamenti pritet të diskutojë sot:
1.Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të regjistrimit” të ndryshuar.

2.Projektligji “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

3.Dekretin nr. 8899, datë 16.01.2015 “Për kthimin e ligjit nr. 181/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.

4.Projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe, ndërmjet vendeve të Europës juglindore për zbatimin e Konventës “Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekst ndërkufitar”.

5.Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës Koha e diskutimeve deri në 60 minuta.

(m.k/ar.sh/d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb