TIRANE – Shqipëria, një vend i vogël në Europën juglindore, është kthyer në epiqendrën e tregtisë europiane të drogës, në mënyrë të veçantë të marijuanës. Kështu e nis shkrimin e tij të publikuar në “Huffington Post”, Luke Coffey, drejtori i qendrës për politika të jashtme në Fondacionin e Trashëgimisë.

Gazetari amerikan shkruan se si problemet e drogës, sipas tij, të rrënjosura thellë në Shqipëri, tashmë prekin të gjithë Europën. Duke përmendur rastet e avionit në Ishëm dhe akuzat ndaj ish-zyrtarit të Sarandës, Klemend Balili, Luke Coffey ngre dyshime se zyrtarë të lartë të qeverisë, mund të jenë të përfshirë në trafikun e drogës, jo thjesht për përfitime personale, por se kanë një plan për të mbajtur pushtetin me paratë e drogës.

“Ajo që e bën situatën unike janë akuzat, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga partia demokratike në opozitë, të cilat thonë se zyrtarë të lartë të partisë socialiste në pushte kanë lidhje dhe përfitime nga trafiku i drogës. Kryeministri Edi Rama në mënyrë të përsëritur është akuzuar se ka dështuar në betejën e tij për ti dhënë fund rolit të Shqipërisë në tregtinë europiane të drogës. Edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është akuzuar se mbron, dhe madje mbulon personat e përfshirë në tregtinë e drogës. Këto akuza ngrenë pyetjen: Çfarë e motivon elitën qeverisëse të Shqipërisë që të ruajë e mbrojë lidhjet me krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës? Ndoshta ata kanë përfitime personale. Ndoshta është pjesë e një plani më të gjerë në mënyrë që të ruajnë pushtetin. Shqipëria vuan nga korrupsioni politik dhe ekonomik po aq shumë, ose ndoshta edhe më shumë se pjesa tjetër e Ballkanit. Miliona dollar mund të blejnë shumë gjykatës, gazetarë dhe prokurorë, si dhe mund të ndihmojnë në një fitore elektorale në të ardhmen.”- thuhet në shkrim.

“Por pavarësisht arsyes, diçka e dyshimtë po ndodh. Në fillim të muajit shtator një pilot Italian Andrea Guidi, u ul pas një defekti në një fushë në veri të kryeqytetit shqiptar. Fillimisht Guidi pretendoi se po fluturonte mbi Shqipëri për arsye turizmi personal. Gjithsesi një gazetar, Artan Hoxha deklaroi se piloti i kishte thënë prokurorëve se po provonte terrenin para se të kthehej 20 ditë më vonë për të marrë 200 kilogramë marijuanë. Duke marrë në konsideratë historitë e avionëve të vegjël që përdoren për transportin e drogës në Shqipëri, ky shpjegim i dytë duket më i besueshëm.
Autoritetet shqiptare shoqëruan gazetarin Hoxha me arsyetimin se kishte bërë publike informacione të ndjeshme. Dhe situate u rëndua kur partia demokratike supozoi se informacioni i dhënë nga Hoxha ishte transmetuar nga vetë ministri i brendshëm Tahiri si pjesë e një plani për të kompromentuar hetimet dhe për të mbuluar mënyrën e veprimit të trafikantëve të drogës. Në fillim të këtij viti, autoritetet greke akuzuan qeverinë shqiptare se po mbronte dhe mbulonte Klement Balilin, një biznesmen shqiptar i cili shërbente si një zyrtar i administratës vendore në qytetin jugor të Sarandës. Balili dyshohet se financon një tregti të marijuanës ku droga eksportohet nga Shqipëria për në Europën Perëndimore. Sërish opozita, partia demokratike, akuzoi lidhjet politike të Balilit dhe Ministrin Tahiri se po mbronte krimin.”- vijon shkrimin e tij gazetari Luke Coffey.

“Deklaratat e qeverisë për sa i përket luftës kundër problemeve të drogës në vend, nuk janë të besueshme. Një vit më parë autoritetet shqiptare deklaruan se kishin shkatërruar 99.2 për qind të marijuanës në vend. Por vetëm, këtë vit policia pretendon se ka shkatërruar 1.7 milion bimë kanabisi, shifër që është trefish më e lartë se sasia e drogës e shkatërruar një vit më parë. Pra këtu llogaritë nuk dalin. Në shumë mënyra një vend si Shqipëria vuan pasojat e aktiviteteve të paligjshme ndërsa renditet e 88 në botë në indeksin për korrupsionin dhe perceptimin të Transparency International. Dhe indeksi për lirinë ekonomike i fondacionit të trashëgimisë në 2016-ën, i dha vendit renditjen më të ulët të mundshme në kategorinë e korrupsionit. Pavarësisht kësaj Shqipëria ka përse të jetë krenare. Vendi u bë anëtar i NATO-s në 2008-ën, duke u bërë vendi i dytë me mazhorancë myslimane në aleancë. Ndërsa në vitin 2014, u bë dhe kandidat zyrtar për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Për një vend të ndodhur në trazira, të shtypur ekonomikisht dhe i dalë nga luftërat në rajon, këto nuk janë arritje të vogla.
Por niveli i korrupsionit në elitën politike dhe roli i vendit në trafikun europian të drogës, të dyja këto përfshijë zyrtarë të lartë të qeverisë, duhet të japin një lloj alarmi për politikëbërësit në Uashingotn dhe në Europë. Jo vetëm një aspekt negativ për një vend që aspiron të bëhet një anëtar më i afërt në komunitetin Euro Atlantik, por rrezikon një destabilizmi të mëtejshëm të një rajoni që është i brishtë.”- përfundon shkrimi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb