Italia ka nderuar ditën e sotme viktimat e regjistruara me koronavirus, duke kujtuar ditën kur një vit më parë janë transmetuar pamje tronditëse në gjithë botën, të ushtrisë duke bartur viktimat nga Bergamo, qyteti i goditur keq nga pandemia.

Kryeministri italian Mario Draghi ka udhëtuar në Bergamo, për të nderuar viktimat. “Ky vend është simbol i dhimbjes për gjithë kombin”, ka thënë Draghi para pak personave prezentë në ceremoni.
Ai ka thënë se qyteti i Bergamos është përballur me “ditë të tmerrshme”, në të cilat banorët nuk kanë qenë të gjendje të jenë me më të afërmit e tyre gjatë momenteve të fundit të jetës. Një vit më parë, qyteti i Bergamos nuk ka pasur më vend për trupa të vdekur, andaj ushtria ishte angazhuar për t’i transportuar ata në krematoriume të qyteteve tjera.

Draghi ka inauguruar një memorial të gjallë – një pyll me qëllim të nderimit të viktimave – dhe ka dërguar kurora në varrezat e qytetit. E enjtja ka qenë ditë kombëtare e përkujtimit të viktimave në Itali. Të vdekurit janë përkujtuar në mënyra të ndryshme dhe flamujt janë vënë në gjysmë-shtizë.
Meqë Lombardia, rajoni ku gjendet Bergamo, është aktualisht në “zonën e kuqe” të Italisë, ku po zbatohen masat më të rrepta kundër pandemisë, shumica e njerëzve nuk kanë pasur mundësi të jenë personalisht në organizimin e Draghit.

Italia, shtet me 60 milionë banorë, ka regjistruar më shumë se 103,000 viktima me koronavirus.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: