Një tjetër familje nga Thumana, që humbi disa pjesëtarë nga tërmeti, është sistemuar në Tiranë. Mbrëmjen e sotme, kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, vizituan familjen Greku, të cilët para 26 nëntorit jetonin 3 kurora në një banesë, ndërkohë që tashmë janë sistemuar në banesa të veçanta.

Djali i shtëpisë bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij janë strehuar në një apartament 1+1, ndërsa vajza e familjes Denisa bashkë me të fejuarin e saj kanë marrë një tjetër apartament. Për shkak të tronditjes së pësuar prej tërmetit, Denisa është aktualisht nën trajtim mjekësor, ndërkohë që gjithçka është e mbuluar nga institucionet.


Familjarët vlerësuan angazhimin e qeverisë dhe të Bashkisë Tiranë që në momentet e para si dhe për përkujdesjen për plotësimin e çdo nevoje.


Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër strehimin e menjëhershëm të familjes Greku, ndërsa ka mundësuar edhe mobilin e saj me gjithçka që duhet. Krahas pagesës së menjëhershme financiare dhe trajtimit të veçantë financiar në vazhdimësi, pjesëtarët e familjes Greku do të kenë edhe përkujdesjen e vazhdueshme të institucioneve të Bashkisë së Tiranës për të lehtësuar dhimbjen.


Të gjitha familjet e prekura më rëndë në Thumanë kanë filluar që të zhvendosen në Tiranë ku do të kenë të gjithë kushtet e nevojshme për të jetuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb