Pëllumb Dragoti është 57 vjeç dhe vjen nga fshati Dragot i Belshit. Ai rrëfeu në emisionin “Me Zemër të hapur” në News24 historinë e jetës së tij dhe vuajtjet e shumta. Pëllumbi ka qenë i martuar dy herë por me të dyja martesat ka pasur fatkeqësi e probleme. Nga martesa e parë 20-vjeçare ka një djalë, por bashkëshortja ndërroi jetë dhe iu desh të gjente një tjetër grua. Përmes mblesërisë u njoh me gruan e dytë me të cilën thotë se deri në çastin kur lindi djali i tyre gjithçka shkonte mirë, më pas filluan debatet dhe ajo u largua nga banesa.

Pëllumbi fillimisht pranoi rikthimin e saj, por më pas vendosi të ndaheshin. Djali ishte ende i vogël dhe ai thotë se u kujdes për të i vetëm deri në momentin që gruaja shkoi në gjykatë dhe kërkoi divorcin dhe kujdestarinë e të birit. Gjykata e shkallës së parë Elbasan vendosi qe djali do të rrinte me nënën, po ashtu ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Durrës. Pëllumbi nuk e pranon një fakt të tillë, por tani thotë se nuk arrin dot madje as ta takojë të birin për shkak se ish-gruaja nuk e lejon. Ai bën apel që zëri i tij te dëgjohet dhe institucionet t’i vijnë në ndihmë.

“Kam një djalë 25-vjeçar. I kemi ndërprerë lidhjet. Erdhën disa probleme familjare. Në martesën e parë s’kam pasur probleme. Unë kam ardhur për të vërtetën këtu. Kur më vdiq gruaja djali kishte ikur nga shtëpia por u futën njerëzit e mi dhe të asaj, e pranova djalin. Bëra të 40-at, ndenja në shtëpi, pastaj shkova në Greqi. Lashë djalin në shtëpi. U ktheva pas dy muajsh, nuk ishte djali në shtëpi, por babai. Mora në telefon nuk ma hapte. Ky ishte momenti i fundit që kam pasur me djalin e madh. Djali është larguar dhe ka shkuar te njerëzit e nënës. Unë nuk pranoj. Ai i pari, unë i dyti. Ai s’ka pasur asgjë. E kam rritur për së mbari. Na ka shfrytëzuar të dyve, mua dhe nënën e tij. Nuk do t’i them asgjë sot”, deklaroi Pëllumbi.

Më pas ai tregon marrëdhënien me bashkëshorten e dytë.

“Martesa e dytë, shok pas shoku. Më tha një fshatari im, e llafosëm dhe për një javë e lamë. Të katërtën ditë erdhi me xhaxhain. I luta për kafe dhe më tha që brenda javës mund të vish. Edhe unë vajta. Takova xhajën. I thashë unë fshatar jam, folëm. Shkuam në gjendjen civile që të pyesnim për moshën. Kishim 15 vite diferencë. Unë e kam nisur në jug dhe dola në veri për një grua. Unë doja të ishte me fëmijë. Këtë gjë e bëra pas tre vitesh nga vdekja e gruas. Nuk doja diferencë të madhe moshe. Ajo dukej e vuajtur, siç isha unë. Folëm shumë pak…! Ishte e vuajtur, mirëpo nuk ishin të vërteta ato që më kishin thënë. Ramë dakord për martesë. Djali i madh ishte i ndrojtur. Llafosëm dhe nuk pata ndonjë problem, sepse e kërkova vetë të ishte me fëmijë zonja. Unë nuk di sesi e ka pritur djali i madh, sepse s’kam pasur kontakte. Marrëdhënia me djalin e gruas ishte shumë e mirë. E kam respektuar shumë. Ai ishte 7 vjeç. E kam trajtuar si fëmijën tim. Fëmija që kemi sot ka lindur me 13 gusht të 2014 dhe problemet dolën pas lindjes. Aty ishte sherri. Unë jam i ndërgjegjshëm në jetën time. Filloi disa ngacmime. Jo se dua ta shaj, por kushedi sa herë i kam bërë kafe unë asaj. Nuk e pata rënduar te puna, në bujqësi. Unë e pajisa me një telefon nusen. Ia theva telefonin, kisha dyshime për tradhti. Ajo nuk ishte e rregullt sepse fliste…nuk kontrollonte veten”, tregoi Pëllumbi.

Ai rrëfeu më tej se debati i fundit me ish-gruan ka qenë kur mori firmën e ndarjes dhe se tani nuk e di ku ndodhet i biri.

“Mirela u largua me pretekstin se po kërkonte djalin. Ku e dinte që do ikte djali? Këto duhen vërtetuar. Djalin e saj e kishim në shtëpi dhe e çuam në dyqan. Kjo ka qenë e planifikuar. Konfliktet kishin filluar më përpara, kishte qejf meshkujt. Nuk ishte e pastër. Atë ditë që vajti për të kërkuar djalin, pas dy orësh më merr polici i zonës së Belshit. Më thotë: Pëllumb ishte gruaja këtu në polici dhe djalin e saj e ka gjetur njëri dhe e ka sjellë në polici. Atje në polici kishte qenë dhe babai i saj”, tregoi 57-vjeçari duke mohuar se ka ushtruar dhunë mbi gruan dhe djalin.

Ndërkohë Mirela, ish-gruaja solli një version tjetër të ngjarjeve.

“Jam shumë krenare për kujdestarinë e djalit. Edhe me vendim gjykate ai zotëri e ka mbajtur me zor fëmijën. Me policinë e Elbasanit kam kërkuar ta takoj në distancë, s’ka pranuar. Ai ishte vetë ligji, vetë shteti. Një nënë që t’i ikë fëmija nga gjiri është e pafalshme. Nuk e di se si ka fytyrë ai që del ai. Ai fëmijën e madh e ka në Greqi, çfarë kërkon? Unë kam dy fëmijë. Nuk e takon dot, sepse ai baba nuk e meriton ta takojë. Çfarë takimi do ai me atë fëmijë?! Ai zotëri nuk i ka lënë vend vetës të takojë fëmijët”, tha gruaja.

“Ai e di që ai fëmijë ka një nënë, duhet ta kërkojë në rrugë ligjore. Komuna ka një polic. Pse nuk e kërkon në rrugë ligjore. Duhet të shkojë të komuna dhe ta njoftojë, pastaj unë e nxjerr përdore. S’ka pse të vijë me shufër hekuri dhe të më kërcënojë. Unë i di vetë rregullat. Duhet të dijë ai ku ta kërkojë fëmijën. Ai të gjejë rrugën sesi ta kërkojë fëmijën”, u shpreh ish-gruaja.

Pëllumbi tha më tej se kërkon vetëm të shohë të birin. “Unë kërkoj vetëm drejtësi. Unë dua ligjin”, u shpreh 57-vjeçari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb