“Unë kërkoj drejtësi nga shtetit. Besoj vetëm tek shteti.”. Kështu deklaron Ylber Tola, i cili 10 muaj më parë humbi gruan bashkë me dy fëmijët në rrethana ende të paqarta, ndërsa vajza e tyre e vogël arriti që të shpëtonte.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 shkurt të këtij viti në Ostren të Bulqizës, ku 3 anëtarë të kësaj familje u gjetën të pajetë brenda në banesë, ndërsa vajza e vogël në gjendje të rëndë. Ndonëse për këtë ngjarje u dhanë shumë versione, se ishin helmuar nga gazi i çliruar nga soba e drurit që ishte në kuzhinë, apo bombola e gazit dhe dhe pesticide, ende Ylber Tola nuk e ka një përgjigje se kush ka qenë shkaku i vdekjes së të shtrenjtëve të tyre.

Në një intervistë ekskluzive për “BalkanWeb”, kryefamiljari ka treguar për gazetarin Enver Doçi se si e kishte mësuar ngjarjen e rëndë teksa ishte në Greqi. Ai tha se kishte folur për herë të fundit me gruan natën që ka ndodhur ngjarja, ndërsa pohoi se ata nuk e kishin ndezur sobën, pasi në furrë një prej bukëve ishte ende e papjekur.

Mes të tjerash ai i bëri apel shtetit që të zbardhë ngjarjen dhe se të mësohet se nga kanë vdekur familjarët e tyre.

INTERVISTA
Ju jeni kryefamiljari i familjes Tola. Si ka ndodhur ngjarja?

Unë kisha vetëm një javë që kisha shkuar në Greqi. Nata e fundit, fola me familjen, kur kishte ardhur gruaja nga vjehrri se ishte sëmurë. Bisedova pas rrugës në darkë. Më tha; ‘erdhi Fajtoni, (çuni i vëllait) më mori te pompa. Erdhi nga Ostreni i Vogël. Mora në telefon, e ngriti goca e madhe. E pyeta; ku është mami?! Më tha; ‘Është tek xhaxhi sipër po çon ca borxhe’. Kur erdhi pastaj, ishte nata e fundit që bisedova dhe më tha; “Kam qenë në Ostren të Vogël”. E pyeta për fëmijët.

Sa ishte ora?
Ora në Greqi ka qenë në orën 9:30 të darkës. Ditën tjetër e kisha për të shkuar me një çun daje në një vend tjetër të punoja. I thashë; ‘Nesër nuk do të marrë në telefon se do shkoj herët në një vend tjetër. Më tha; ‘mirë’. Në orën dy më mori në telefon goca e pronarit. E kishte marrë vëllai im vesh se çfarë kishte ndodhur. Më tha; ‘kemi ça punë’. I thashë; ‘jam në punë tjetër, tani kur të vijë’. Më tha; ‘foli vëllai’. Aty mendova se ka ndodhur diçka. Për momentin u tremba. Mora në telefon në internet, se ngrinin telefonin. I thash se çfarë ka?! Më tha; ‘Nuk ka gjë!’. Mora në telefon prapë në shtëpi, e ngriti një çuni i xhajës së nuses. Ishin të gjithë tek shtëpia ime. I thashë ‘ça ka’. Më tha se nuk ka asgjë, por ‘nisu se i kemi nisur në spital’. Mora grekun dhe i thashë; ‘më ço në fshatin tim’. Vëllai im kishte faturuar një makinë. Erdha këtu, më mbajtën të gjithë me fjalë. Nuk kisha mend. Erdha atje sipër duke para gjithë ato makina, ishte plotë. Pashë njerëz, dhe askush nuk ishte në shtëpi nga familja. Vetëm vajza që ishte e martuar, ishte me dhëndrin. Thash se janë në spital. U futa tek dhoma, ndenja me shpresa se janë sëmurë dhe jo të vdekur. Më futën gjilpëra, se di ça më bënë. Nuk mbaj mend.

A ka pasur sobë brenda të ndezur?
Sobë ndezur nuk ka pasur. Një bukë ka qenë në sobë brenda, një sipër. Pa pjekur ajo që ka qenë brenda. I kam filmimet. Nuk janë skuqur bukët. As bombol gazi, as korent.

Si e mendoni këtë ngjarje?
Unë kërkoj drejtësi nga shtetit. Unë besoj vetëm tek shteti.

Keni dyshime?
Dyshime…ku ta di unë tani! Shteti është shtet. Nuk jemi si ato delet që i çojnë pa çoban që t’i hajë ujku. Ka shtet. Deri tani smë kanë pyetur më, ka 9 muaj. Se di ende se si është puna. Duhet të di të vërtetën se nga se vdiq familja ime.

Keni pasur konflikte me ndonjë person?
Me asnjë. Deri tani jo! Skam pas konflikte. Soba ka qenë e fikur. I gjetën bukët pa u pjekur. Bombolat i kanë nxjerrë kot, s’kanë gjetur asnjë. Dua drejtësi nga shteti.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb